Home / Bota / Sulmet në Bruksel, identifikohen vëllezërit kamikazë. Arrestohet i treti

Sulmet në Bruksel, identifikohen vëllezërit kamikazë. Arrestohet i treti

Dy prej autorëve të sulmeve, që tronditën një ditë më parë Brukselin, ishin vëllezër e sipas mediave vendase, që i identifikojnë agresorët në fjalë si Khalid dhe Brahim el-Bakraoui, nuk ishin të panjohur për policinë.

Të paktën njëri prej tyre – thotë televizioni “RTBF”, – është në mesin e 3 të dyshuarve që shihen në pamjet filmike të kamerave të sigurisë, të regjistruara pak përpara shpërthimit në Aeroportin e Zaventemit.

Dy vëllezërit, – vazhdon “RTBF”, – kishin dosje penale. Gjithmonë sipas kanalit televiziv, Khalid el-Bakraoui kishte përdorur një emër të rremë për të marrë me qira një apartament në zonën “Forest” të kryeqyteti belg, ku policia qëlloi për vdekje një person të armatosur javën e kaluar.

Ishte pikërisht gjatë atij operacioni, që u gjetën gjurmët e gishtërinjve të Salah Abdeslamit, i dyshuari kryesor për sulmet terroriste të 13 nëntorit në Paris. Arrestimi i tij do të vinte pak ditë më vonë dhe sot duhet të dalë në gjyq për një seancë dëgjimore.

Belgjika nisi sot 3 ditë zije pas sulmeve të përshkruara si më të rëndat në vend, që prej Luftës së Dytë Botërore, e në mesditë, në nder të viktimave u mbajt një minutë heshtjeje.

11 të vrarë në aeroport, 20 në metro, 250 të plagosur, njerëz të shtrirë në tokë të mbuluar në gjak, terror në sytë e të mbijetuarve, policë e ushtarë që mbajnë pushtuar rrugët, pamje të tilla zor se do të fshihen lehtë nga kujtesa e belgëve dhe të të gjithë Europës.

Disa media atje thonë se, njëri prej vëllezërve el-Bakraoui mund të jetë autori i masakrës në metro. Sipas gazetës “La Derniere Heure”, njeriu me kapele në fotot e shpërndara nga policia është vet Najim Laachraoui, bashkëpunëtori i shumëkërkuar i Abdeslamit.

Mendohet se, 2 prej të dyshuarve për sulmet në aeroport kanë gjetur vdekjen aty, ndërsa Laachraoui është arrestuar paraditen e së mërkurës në rajonin jugperëndimor të kryeqytetit belg, Anderlecht. Me kujdesin të mos japin më shumë detaje se ç’duhet, burime belge të sigurisë thonë se, ka shumë mundësi që sulmuesit të kenë qenë pjesë e rrjetit përgjegjës për organizimin e sulmeve të Parisit.

Dy zyrtarë të lartë amerikanë i thanë CNN-it se mund të bëhet fjalë për persona brenda grupit të vet Abdeslamit. Departamenti amerikan i Shtetit i paralajmëroi më herët qytetarët amerikanë për rreziqet potenciale nga udhëtimi drejt Europës. Në deklaratën e DASH-it thuhet se, grupet e terrorit po përgatisin sulme afatshkurtra në mbarë kontinentin, me në shënjestër eventet sportive, zonat turistike, restorantet dhe transportin.

Pas sulmeve, transporti në mbarë Brukselin u paralizua, por një pjesë e shërbimeve më vonë nisën të funksionojnë si normalisht. Aeroporti, nga ana tjetër, me shumë gjasë do të qëndrojë i mbyllur për disa ditë.

* Prokuroria belge ka konfirmuar se bastisjet që janë zhvilluar në lagjen Schaerbeek, periferinë veriore të Brukselit, kanë çuar në zbulimin e një mjeti shpërthyes që ndër të tjera përmbante gozhda.

Pranë tij hetuesit kanë zbuluar edhe produkte kimike dhe një flamur të Shtetit Islamik çka dëshmojnë se edhe këto sende mbajnë vulën e ISIS. Praninë e gozhdëve në bombat e terroristëve e ka konfirmuar edhe një grafi që i përket një pacienti të shtruar në spitalin ushtarak të Brukselit, të cilit në gjoks mjekët e kanë dalluar objektin.

Por, terrorin e shkaktuar jo vetëm në Bruksel por edhe më gjerë, militantët e ISIS e kanë cilësuar si triumfin e tyre dhe e kanë manifestuar nëpër rrjete sociale. Madje edhe përgjegjësinë për sulmin ata e morën përsipër në një postim online në faqen e tyre të lajmeve.

“Luftëtarët e Shtetit Islamik mbajtën një seri bombardimesh me breza dhe me pajisje kamikaze, duke shënjestruar aeroportin dhe stacionin qendror në qendër të kryeqytetit belg, Brukselit”, shkruhet në faqen zyrtare online të “Amaq”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: