Home / Arte / Libri / Bajron, “fino alla morte” …

Bajron, “fino alla morte” …

Në ato stuhi të lirisë së popujve, homoseksualiteti i tij ishte si ajo porta e fshehtë që hapej veçse natën dhe ku përtej gjeje një tjetër Bajron, atë të dhembjeve dhe të dashurive të mëdha që, siç thoshte ai, vazhdonte “fino alla morte.

Nga Luan Rama

Adoleshenca jonë është përkundur me këngët e Çajld Haroldit. Kjo nuk ndodh tani. Ne ishim krenarë për vargjet e poetit anglez për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët i shihte si një popull të virtytshëm dhe të veçantë nga të tjerët. Sigurisht ishte ndjenja jonë patriotike në një vend totalitar, ku s’i kishte mbetur tjetër gjë ku të kapej, veç disa adhuruesve të së kaluarës, si Xhorxh Gordon Bajron. A nuk shkruante ai në letrat e tij dërguar mikut të tij John Moore se “I dua shumë shqiptarët … Arnautët ose shqiptarët, më kanë habitur me ngjashmërinë që kanë me skocezët e Hightlands … malet e tyre kanë një pamje si të Kaledonisë, me një klimë të këndshme. Edhe pse veshja e tyre ishte e bardhë, silueta e hollë dhe e shkathët, dialekti i tyre disi celtik në veshin tonë dhe jeta e tyre e ashpër, gjithçka më çonte në Morven” …

S’ka disa muaj që jam kthyer nga Athina dhe në mes të lagjes “Plaka”, në zemër të saj, aty ku shekuj më parë pikëtakoje arvanitët e famshëm, aty janë ende ato shtëpi të ulëta, ato themele të hotelit ku banoi Bajroni në një kohë kur grekët e arvanitasit ende nuk e kishin bërë revolucionin e pavarësisë së Greqisë. Një përmendore dhe dritarja tej, ku vështrimi të çon në ato kohëra të largëta kur figura e atij poeti të madh dhe tribuni të lirisë frymëzonte një radhë të madhe të intelektualëve të Europës. Kur isha kineast i ri dhe për herë të parë shkelja në kështjellën e Ali Pashë Tepelenës, imagjinoja çastin kur Bajroni ishte pikëtakuar me këto peizazhe të thyera, me kështjellën dhe zotin e asaj fortese mitike, pashain që në atë kohë ishte një personazh nga më të pushtetshmit dhe më të dyshimtit jo vetëm për sulltanin, por dhe për kancelaritë e Europës. Për Bajronin do të mendoja dhe kur shkova në Delf, në Akropolin e Athinës dhe Maratonë, për të cilat ai shkruan, kur shkova në Argos e Tripolica ku ai takoi Veli Pashën, birin e Aliut, dhe ku iu ngjita luginave të Kalamas e Çamërisë, atje ku Bajroni kishte shkruar se s’kishte parë vend më magjepsës në jetën e tij, përveç Cintra-s së Portugalisë. Pra kisha ecur në gjurmë të jetës së Bajronit jo thjesht për nostalgji të adoleshencës sime dhe dashurisë sublime që ai deklaronte për shqiptarët, por sepse ky njeri, ky bard i një epike moderne të asaj kohe që adhuronte Ualter Skot, kërkoi të udhëhiqte bota të tjera drejt lirisë. Në këtë kuptim, Bajroni iu përkushtoi revolucionit grek jo për ekzibicionizëm, por se ai donte të përçonte dritën e lirisë në popujt e robëruar, edhe kur ai e parandiente se ndoshta dhe nuk do të kthehej më dhe do të shuhej përgjithnjë. Ishte një lloj flake që banonte brenda shpirtit të këtij bohemi që nuk mund të jetonte në dhomën e lordëve, kur ndërkohë revolucioni e thërriste. Ky ishte imazhi që kishim krijuar ne, por dhe që ka mbetur ende ndër shqiptarët, deri në tekstet e historisë. Por Bajroni ishte poet, ishte artist, ishte njeri ku sensibiliteti i tejkalonte caqet e marrëdhënieve të zakonshme të një burri, duke kapërcyer shpesh në anën tjetër, atë të homoseksualitetit. Madje dashuritë e tij kryqëzoheshin pa bërë dallimin e seksit para njeriut që ai adhuronte.

Në Shqipëri duket ndoshta si një lloj tabuje të paraqesësh “portretin në hije” apo “portën e fshehtë” të Bajronit, atë që flitet në librat e kritikëve dhe biografëve dhe jo për publikun e gjerë, atë që një sy i vëmendshëm e lexon në rreshtat e letrave të tij dërguar miqve të tij Hobhouse, Moore etj. A duhej prezantuar ky “portret-hije” i Xhorxh Gordon Bajron? Pse jo?! Homoseksualiteti nuk i ul asnjë vlerë as veprës dhe as figurës së tij, njëlloj si dhe bashkëpatriotit të tij anglez Oskar Uald, vite më vonë, e shumë të tjerë. Siç shkruan dhe një biografi i tij, Lesli A. Marchand, në librin Bajroni, portreti i një njeriu të lirë: “Në janar të vitit 1824, Bajroni kujtonte shpesh të kaluarën e tij dhe mikun e tij të vjetër të shkollës së Kembrixhit, koristin Edleston, i cili kishte vdekur në lulen e rinisë. Edleston ishte një nga dashuritë e tij perfekte, më shumë se për asnjë femër tjetër që ai kishte njohur”. Duke shkruar për dëshpërimin e Bajronit përballë djaloshit që ai mbante me vete në Misolongj, Lukas Kalandrikanis, biografi Marchand shkruan: “Vallë a kishte gjetur ai te Lukas diçka nga Edlestoni-i? … Por kësaj radhe, ndjesitë e tij komplikoheshin me një zhgënjim të ri: indiferenca e djaloshit të ri për dashurinë e tij. Ishte një dështim i hidhur që provonte tek ai se ishte “plakur në këtë botë vuajtjesh” … Të njëjtën gjë shkruan dhe kritiku Doris Langley Moore në librin The late Lord Byron: ”Ai kujtonte se në moshën 36-vjeçare dhe me një shëndet të keq, me shqetësimet dhe zhgënjimet e tij, ai duhej t’i dukej atij pesëmbëdhjetëvjeçari si një njeri i mbaruar; ai që kaq shumë njerëz e kishin dashur, në sytë e Lukas kishte vetëm një cilësi: që të mund të luftonte nën urdhrat e tij, me kostumin e praruar dhe xhepat plot para”. Pikërisht në këtë kohë Bajron shkruan dhe një poezi: “Është koha që kjo zemër të pushojë së djeguri / sepse ajo s’mund të tronditë më një tjetër”.

Biografët duket se janë në një mendje: Dashuria për Lukas Kalandrianos e frymëzoi për poemën e fundit të shkruar nga dora e tij:

“Kur afrohej armiku dhe përgjoja mbi ty / Isha gati të qëlloja, të vriteshim të dy,

Pa mundur të shpëtonim dhe të ndanim së bashku, / Veç dashuri dhe liri …”

Edhe për shoqëruesin e tij Nicolo Argyri (apo Giraud), që do ta angazhonte si drogman, ai do të shkruajë mbi ndjenjat që kishte për të, siç e lexojmë dhe në një nga letrat e shumta që i ka dërguar mikut të tij Hobhouse: “Me Nicolo-n, që është dhe profesori im i italishtes, ne jemi si filozofë. Unë jam ‘padroni’ i tij dhe ‘miku’ i tij dhe një Zot e di se çfarë. Dy orë pasi më kishte thënë se donte të më ndiqte gjer në fund të botës, për ta mbyllur, më tha se do të ishte mirë që ne jo vetëm të jetonim bashkë, por dhe ‘morire insieme’ (të vdesim bashkë)”.

Por le të kthehemi në pikëtakimin e tij me bukurinë mashkullore shqiptare. Në udhëtimin e tij të parë në Greqi e Shqipëri që në vitet 1809-1810, që ai bën me mikun e tij Hobhouse nga Preveza në Misolongj e Janinë, ku takon dhe kapitenin anglez Leake, ai habitet me bukurinë dhe madhështinë e kostumeve shqiptare. Në Janinë, kur shkon në hamamin e qytetit, ai nuk harron të kujtojë në shkrimet e tij dhe ata “belli giovanni” (djem të bukur), të cilët i kishte parë me admirim.

Në letrat e tij, Bajroni nuk mungon të vërë në dukje dashurinë e tij për shqiptarët. Ai i sheh ata pikësëpari si figura epike. Madje, pikërisht në Janinë ai fillon vargjet e para të asaj që më vonë do të ishte Çajld Harold. Në letrat dërguar nënës së tij, Katerina Gordon Bajron (12 nëntor 1809, Preveza), ai i shkruan se më 11 shtator ka lënë Maltën dhe bashkë me Hobhouse janë në Prevezë te konsulli anglez Strané. Pashai i ka dhënë një letër rekomandimi për djalin e tij të madh, Veliun, “që sundon në More dhe që ka influencë në Egjipt dhe që është një nga njerëzit më të fuqishëm të Perandorisë Otomane”. Pas tri ditësh ai arrin në Janinë, ku mëson se Ali Pasha ishte në Berat, ku kishte rrethuar Ibrahim Pashën e Beratit. Ali Pashës i kishin thënë se një anglez udhëtonte në trojet e tij dhe ai kishte urdhëruar komandantin e Janinës që t’i vinin në dispozicion një shtëpi me të gjitha komoditetet gjithçka të ishte falas. Për nëntë ditë rresht ai udhëtoi me kuajt e pashait drejt Janinës, në një rrugë të vështirë plot përrenj e shkëmbinj që binin rrugës. “S’do ta harroj kurrë spektaklin e Tepelenës, – i shkruan ai nënës së tij. – Ishte ora pesë e mbrëmjes dhe dielli po perëndonte. Ky imazh më kujtoi përshkrimin që Skot i bënte kështjellës Bransksome me hiret e saj të Mesjetës. Shqiptarët ishin veshur me kostumin e tyre, që ishte më i bukuri në botë: fustanellë e bardhë, xhaketë e jelek veluri e të praruar, pisqolla dhe kama të zbukuruara në argjend” … Për të takuar Aliun, Bajroni kishte veshur kostumin e tij ushtarak, me shpatën ngjeshur. Djaloshi i ri ishte vërtet i bukur dhe pashai, në sallën e madhe të veshur me pllaka mermeri, siç e përshkruan Bajroni, duke e pritur në këmbë, (çka tregonte shprehje respekti të veçantë), do të tërhiqej nga kjo bukuri gati femërore. “Një ditë më vonë takova Aliun, – vazhdon Bajroni në letrën e gjatë të tij. – Ai më uli në të djathtë të tij dhe kishte si ‘drogman’ një të quajtur Seculario, që dinte latinisht dhe përkthente krahas përkthyesit tim në greqisht. Aliu më tha se kapiteni Leake i kishte thënë se zbrisja nga një familje e madhe fisnike. Më përcolli nderimet për ty dhe më tha se e kishte dalluar se isha nga një derë e fisme, pasi kisha veshë të vegjël dhe flokë me bukla dhe duart e vogla e të bardha. Veshja ime i pëlqeu. Më kërkoi që ta shikoja si një Atë dhe se ai më konsideronte si birin e tij … Në fakt, ai më konsideroi si një fëmijë. Njëzet herë në ditë më dërgonte bajame, të ëmbla, fruta dhe më thërriste të shkoja e të rrija me të, veçanërisht në mbrëmje kur ishte pak më i zënë. Aliu ishte nja 60 vjeç, shumë i shëndoshë, jo i gjatë, por me tipare të bukura dhe sy blu të çelët dhe mjekër të bardhë. Fytyra nuk korrespondon me tipin e tij, sepse në fakt, ai është një tiran i pamëshirshëm. Por është dhe shumë trim. Dy herë Napoleoni i ka propozuar të bëhet mbret i Epirit, por ai preferon më shumë aleancën me anglezët. Bonaparti i ka dërguar madje dhe një kuti ‘tabakoje’ me portretin e tij. Por ai donte më shumë origjinalin sesa kopjen e tij … Në fakt ai ishte një Atë për mua. Më dha letra rekomandimi, një eskortë dhe të gjitha lehtësirat që mund të imagjinohen. Bisedat tona të fundit ishin për luftërat, udhëtimet, politikën, Anglinë. Ai thirri luftëtarin Vasili dhe e ngarkoi të më mbronte nga çdo rrezik. Si të gjithë shqiptarët, ai është trim dhe tepër i ndershëm … Raca e tyre është ndoshta me tiparet më të mira të njerëzve në këtë botë….”

Por dhe shqiptarët e deshën dhe e çmuan Bajronin, pasi ndryshe nga personazhet që vinin nga Perëndimi, Bajroni ishte ndryshe nga ata. Ai dinte ta falte menjëherë dashurinë dhe miqësinë e vërtetë. Interesant është fakti kur gjatë një udhëtimi, kur ai ishte në ishujt e Salaminës, Bajroni u sëmur, madje ethet e tij ishin të tmerrshme në Olimp. Ai donte të shkonte drejt Misolongjit, por gjendja e tij u rëndua aq shumë saqë dy shqiptarët që e shoqëronin, Vasili dhe çami Dervish Taliri, u frikësuan për rrezikun e vdekjes së tij dhe i vunë koburen doktorit italian që po e mjekonte: ose ta shëronte, ose ndryshe do ta vrisnin. Në një nga letrat e botuara në librin për lordin anglez Bajron, një portret i njeriut të lirë, shkruhet se “Pesë ditë ai vuajti në shtrat nga ethet. Më vonë ai do të thoshte se po mos të ishin dy shqiptarët që e kërcënuan për vdekje doktorin, ai do të kishte vdekur”. Më së fundi, më 2 tetor të atij viti Bajroni shkruan se “Natyra e Jupiterit fitoi mbi doktor Romanelli”-n. Për dy shqiptarët, Bajroni ishte miku i shenjtë apo miku i Zotit dhe ata ishin betuar se do ta mbronin atë me jetën e tyre. Biografët e Bajronit sjellin dhe një fakt tjetër interesant, kur Bajroni me dy shqiptarët bridhte nëpër Athinë, ngjitej në Akropol, shkonte gjer në Maratonë dhe më pas rikthehej të takonte miqtë e tij në Athinë. Një grup grekësh e kishin pikasur dhe ata e dinin se ai kishte para, me të cilat ndihmonte kryengritësit, por siç shkruan autori, “Kur panë dy shqiptarët e tmerrshëm, ata hoqën dorë nga plani i grabitjes”. Ndeshja me shqiptarët do të kthehej padyshim në një gjakderdhje të tmerrshme. Në një rast tjetër, ai i shkruan mikut të tij, konsullit anglez në Patras, zotit Strané: “I dua shqiptarët … Para një jave, një shqiptar që na ndihmoi të shpëtonim nga mbytja e anijes turke, pasi na ushqeu dhe na strehoi në breg (bashkë me Hobhouse, Fletcher, dy shqiptarët e tjerë, një grek dhe një prift që kishim në anije), kur u ndamë donim t’i jepnim ca para, por ai nuk i pranoi kurrsesi. U mjaftua vetëm me një fjalë se ‘ishim pritur mirë nga ai’, dhe se ‘është dashuria juaj që dua dhe jo paratë tuaja’. Këto ishin fjalët e tij”.

Por ngjarje më tronditëse do të jetë ajo e ndarjes me dy shqiptarët e tij, para se ai të merrte anijen Hydra në Pire për t’u nisur drejt Londrës, nga ku do të rikthehej dhjetë vjet më vonë në Misollongj, kur ishte vrarë Marko Boçari, për çlirimin e qytetit. Më keq e përjetoi këtë ndarje Dervish Tahiri. Kur Bajroni i zgjati tufën e parave për ta shpërblyer për gjithë atë rrugëtim të lodhshëm në mbrojtje të tij, shqiptari ia kishte kthyer. Pastaj ai kishte kapur ballin me të dy duart dhe kishte filluar të qante me zë. Qante dhe klithte duke thënë në greqisht: “Më braktisi!” … Bajroni dhe ata që ishin përreth u përpoqën që ta qetësonin shqiptarin e mjerë, duke mos e kuptuar këtë dënesë të tmerrshme të tij. Sigurisht, një skenë e tillë duhej të ishte si në skenat homerike, pasi ndarja me njeriun e dashur përjetohet si tragjedi, në një atmosferë të ndarjes së përjetshme, si një gjëmë, kësaj radhe e Jugut të Shqipërisë, jo për një të vdekur, por për atë që niset në botën e largët për të mos u kthyer më. Por ndryshe nga shqiptarët, greko-francezi Nicolo Argyri do t’i shkruante Bajronit letra të përlotura dashurie, ku i deklaronte se e dashuronte “fino alla morte” (“deri në vdekje”). Dy dhembje të ndryshme, por që dallonin krejtësisht nga njëra-tjetra: në të parën, ndarja nga miku i shenjtëruar në lartësinë e Zotit; në të dytën, dashuria fizike e shpirtërore, siç e gjejmë në të gjithë dashurinë midis sekseve.

Dhe Veli Pasha ishte një personazh i çuditshëm në sytë e Bajronit, një personazh simpatik, por dhe qejfli për meshkujt. Ja si i shkruan ai më 16 gusht të vitit 1810, mikut të tij Honhouse (Lettres Intimes, Albin Michel, Paris): “Veli Pasha donte që të gjithë të moshuarit të shkonin andej nga i ati i tij dhe të rinjtë të shkonin me të, sipas shprehjes së tij ‘vechio con vechio, Giovanne con Giovanne’ (plaku me plakun, i riu me të riun).Sigurisht kjo është gjë e mirë, por megjithatë, mënyra e tij që të përfshinte për beli dhe të shtrëngonte dorën në publik, ishte ngacmuese për ‘një të ri të dëlirët’ (pra për Bajronin, L.R.). Ai kishte një mjekër që i zbriste gjer në brez dhe më pyeti nëse nuk e çmoja dhe unë kështu këtë lloj rinie, duke shtuar dhe gjëra të tjera dhe duke i shqyer sytë nga Strané, aq sa më hutoi në përgjigjet e mia”. Bajroni dhe konsulli anglez Strané, e dinin se pederastia në oborret e pashallarëve ishte normale dhe ata mbanin djem të rinj si “dylberë”.

Nga Tripolica, në një letër drejtuar mikut të tij John Cam Hobhouse, më 11 gusht të vitit 1810, ai do të shkruante për takimin me djalin e Ali Pashës: “Veli Pasha më priti akoma më mire se i ati. Më bëri dhuratë një kalë shumë të bukur dhe më nxiti me këmbëngulje që të takoheshim përsëri në Larisa. Kur mori vesh që s’do të shkoja në Larisa dhe për në thellësi të tokave shqiptare, ai më tha: ‘Jo, mos e merr atë rrugë. Eja më mirë në Larisa, ku do të ndalem për pak kohë. Do të hamë e do të pimë mirë dhe do të shkojmë bashkë për gjueti. Ai më nderoi duke më quajtur ‘mik’ dhe ‘vëlla’, duke shpresuar që të ishim miq jo vetëm për disa kohë, por për gjithë jetën. Herën e parë që e pashë, ai më tha: ‘Djalosh trim dhe i bukur!’ … Ai u tregua përbuzës ndaj shoqëruesve të mi, shqiptarëve Andrea dhe Vasili, dhe tha se do t’u priste kokat po të silleshin keq me mua”.

Në dhjetor të vitit 1824, të gjithë në Misolongj presin Bajronin. Koloneli Stanhope i shkruan mikut të tij Bowring se “Të gjithë këtu e presin Lord Bajronin si të ishte Mesia vetë”. Dikush tjetër ka shkruar se ai u prit si një “Engjëll i shenjtë çlirues”. Më 31 dhjetor, jo larg Misolongjit, i ndjekur nga anijet turke, Bajroni detyrohet të zbarkojë në breg. Po atë natë ai dërgon drejt Anglisë një letër ku ka shkruar: “Jam i shqetësuar jo për vete po për këtë djalosh të ri që kam me vete. Do të parapëlqeja ta bëja copa-copa atë dhe veten time sesa të binim në duart e barbarëve”. Ai ushqente një dashuri të jashtëzakonshme për të, ashtu siç kishte dashur dhjetë vjet më parë drogmanin që e shoqëronte ngado, Nicolo. Edhe ai e shoqëroi nëpër Greqi, Athinë, brigjet e Qefalonisë apo Moresë, në Patra e gjetkë.

Në vitin e fundit të jetës së tij ose më mirë në gjashtë muajt e fundit, pas ardhjes nga Italia e Veriut, nga Gjenova dhe Venecia, Bajroni donte t’i jepte fund dashurisë së tij homoseksuale. Madje, siç i shkruante në një letër dhe mikut të tij Hodgson, “ai do t’i braktiste veset e këqija të kësaj jete, se do t’i braktiste verën dhe kënaqësitë fizike, për t’u lançuar në jetën politike dhe vepruar për të mirën”. Ndoshta dashuria që kishte ndier me Firencen, pas ndarjes me gruan e tij, dhe jeta aventureske që kishte kaluar më parë, e kishin bindur të fillonte një jetë të re. Udhëtimin e tij drejt Misolongjit ai e parandiente si një etapë të fundit të jetës së tij revolucionare. Por mjerisht, djaloshin Lukas nuk do të mund ta harronte. Madje dhe në çastet e fundit, kur do të linte dëshirat e tij, ai kërkoi që paratë që i kishin mbetur t’ia linin Lukas-it.

Javët e fundit të Bajronit midis suljotëve që e shoqëronin ishin të dhembshme. Patras kishte rënë në duart e turqve. Anijet turke patrullonin në det. Bajroni në atë kohë ishte vënë në krye të 500 suljotëve, që ishin larguar nga “trojet e tyre shqiptare”, siç shkruan ai. Për të suljotët janë shqiptarë dhe jo grekë, edhe pse janë ortodoksë dhe të një feje me grekët. Madje, siç do të shkruante ai për Vasilin, “Ai ishte një ortodoks i bindur. Sa herë do të kalonte para ndonjë vendi të shenjtë apo kishe, ai do të bënte kryqin, por në fakt, priftërinjtë i konsideronte gjithnjë si batakçinj dhe hajdutë”. Sidoqoftë, ideja e tij ishte të bashkonte prijësit e përçarë të këtij revolucioni. Kur u sëmur në Misolongjin e lirë, atë erdhi ta shikonte dhe Lukas Vaja, doktori i Ali Pashës, të cilin e kishte njohur dikur në oborrin e pashait të Janinës. Bajroni ishte në delir dhe herë pas here fjalët i thoshte ca në anglisht e ca në italisht. Pastaj bërtiste fort sikur të hidhej në luftë, duke thënë: “Përpara, kurajo! … Ndiqmëni pas! Mos kini frikë! …” Bajronit i dukej se lufta kishte filluar dhe ai u printe suljotëve të tij trima. Më 19 prill të vitit 1824, zemra e tij pushoi. Atij i bënë homazhet ushtarake, siç i kishin bërë më parë dhe Marko Boçarit. Madje e vendosën në të njëjtën kishë ku kishin vendosur Boçarin. Pastaj trupin e tij e futën në një cisternë të mbushur me 800 litra alkool dhe e nisën për në Angli me anijen Florida. Koloneli Stanhope, miku i tij, e shoqëronte drejt Zantes për të mbërritur pastaj në brigjet e lumit Tamise. Pikërisht pse njihej si njeri libertin, kisha nuk pranoi, që ashtu siç i takonte si lord që ishte, të varrosej në Westminster Abbey. Kështu ai u varros në varrezat e të parëve të tij, në kishën Hucknall. Vdekja e Bajronit bëri një jehonë të jashtëzakonshme në Europë. Ajo frymëzoi me dhjetëra e qindra artistë francezë, gjermanë, italianë, anglezë etj., duke filluar me të madhin Viktor Hygo, i cili i kushtoi poema të mrekullueshme suljotëve trima, Marko Boçarit dhe Karaiskaqit, dhe duke vazhduar me Delakruanë dhe tablotë e Markos e të suljotëve që hidheshin si luanë në beteja. Lord Bajroni mund të kishte zgjedhur një jetë të paqtë, midis familjes së tij dhe Dhomës së Lordëve, por ai zgjodhi malet dhe stuhitë, trojet e revolucionit me heronjtë grekë e shqiptarë që ai i përjetësoi në vargjet e tij. E në ato stuhi të lirisë së popujve, homoseksualiteti i tij ishte si ajo porta e fshehtë që hapej veçse natën dhe ku përtej gjeje një tjetër Bajron, atë të dhembjeve dhe të dashurive të mëdha që, siç thoshte ai, vazhdonte “fino alla morte”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: