Bota

Sulmet në Belgjikë, dhjetëra persona në terapi intensive

Me dhjetëra vetë mbetën në terapi intensive pas shpërthimeve të së martës në Bruksel, që i kushtuan jetën 31 personave. Nga 300 njerëzit e plagosur atë ditë, 61 janë në gjendje kritike për jetën dhe autoritetet nuk e përjashtojnë mundësinë e një rëndimi të mëtejshëm të bilancit të vdekjeve.

Ministrja belge e Shëndetësise, Maggie de Block, sqaroi përmes një deklarate se të lënduarit janë të 40 kombësive të ndryshme dhe 150 ende po trajtohen në spitale anembanë vendit. Një pjesë vuajnë nga djegie, të tjerë kanë plagë që mund t`i shohësh rëndom në zona lufte, siç janë dëmtimet nga copëzat metalike të bombës që shpërthen.

Katër pacientë, shton më tej De Block, janë në gjendje kome, ndërsa identiteti i tyre nuk dihet ende. Mbreti Filip dhe Mbretëresha Matilde vizituan aeroportin të mërkurën e u takuan dhe me disa nga të lënduarit e sulmeve që gjunjëzuan Belgjikën.

Prokurorët konfirmuan një ditë më parë se dy prej katër sulmuesve ishin vëllezërit Khalid dhe Brahim el-Bakraoui. Dy agresorët e tjerë ende nuk e kanë zyrtarisht një emër. Njëri dihet që vdiq në aeroport, ndërsa tjetri është në arrati. Ky i fundit, sipas raportesh të pakonfirmuara, është as më pak e as më shumë se vetë xhihadisti i kërkuar me qiri, Najim Laachraoui, ADN-ja e të cilit është gjetur tek ekzsplozivët e lidhur me sulmet e nëntorit në Paris.

Nuk dihet ende se kush është personi i tretë, personi që në fotot e publikuara nga policia ndodhet në të majtë të Khalid el-Bakraoui-t, i cili vetë është në qendër. Njeriu me kapele në të djathtën e tij, ai që arriti të largohej e që sot është në kërkim, kishte në valixhe bombën më të madhe nga të treja, por ajo u shpërthye pjesërisht nga policia pas evakuimit të terminalit e nuk lëndoi askënd. Radiotelevizioni belg RTBF pretendon nga ana tjetër se në sulmin vetëvrasës të metrosë mund të jetë përfshirë dhe një person i dytë, por zyrtarët nuk prononcohen.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button