Europa

Pas sulmeve të Brukselit, alarm maksimal në Romë

Vigjilencë maksimale në Itali e në mënyrë të veçantë në Romë me afrimin e festës së Pashkëve. Pas atentateve në Bruksel, në kryeqytetin italian janë përforcuar masat e sigurisë në stacione, aeroporte dhe në vendet ku do të ketë grumbullime turistësh me rastin e festave.

Aktualisht po mbikëqyren 1 mijë pika që konsiderohen si objektiva të ndjeshëm: monumentet më të rëndësishme, kryesisht në zonën rreth Bazilikës së Shën Pjetrit, por edhe shkollat, redaksitë e gazetave dhe ambasadat.

Prefekti i Romës bëri të ditur se po studiohet një shtim i forcave ushtarake në kryeqytet dhe specifikoi se në një stacion hekurudhor si ai i Terminit në Romë, ku qarkullojnë çdo ditë rreth gjysmë milion njerëz, është i pamendueshëm kontrolli me zbulues metali. Aq më shumë, shtoi ai, që këta zotërinjtë na mësuan se atentatet bëhen para dhe jo pas kontrolleve.

Ditën e mërkurë kryeministri Matteo Renzi organizoi një takim pikërisht mbi çështjet e sigurisë. “Si të gjithë partnerët tanë kemi marrë çdo masë sigurie të nevojshme, megjithëse tani për tani nuk ka ndonjë kërcënim specifik për Italinë”, deklaroi Renzi.

Siç bëri edhe pas atentateve në Paris, kryeministri italian theksoi rëndësinë themelore forcimit të mekanizmave të bashkëpunimit mes shërbimeve sekrete të vendeve europiane.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button