Opinion

Më mirë kompromis me opozitën, se pazar me “qokatarët e ditëlindjeve”

ARBEN MANAJ

Arben Manaj

Gjithçka mund të ndodhë në, dhe pas mbledhjes së parashikuar të së martës së grupit parlamentar të PS-së. Ajo mund të mbyllë një krizë ose të hapë një plagë akoma më të madhe politike për Kryeministrin dhe qeverisjen e kësaj shumice plebishitare.

Kjo do të varet nga qasja e paepur, që do të adoptojë kreu i qeverisë dhe mazhorancës, e cila do të përcaktojë edhe roadmap-in e kësaj administrate, me sfida të mëdha në fushën e reformave të pritshme.

Në botën e politikës njihen presionet dhe shantazhet për të arritur një objektiv apo qëllim politik, deri në orën 23:00, afër mesnatës-deadline.

Kështu ndodh shpesh edhe në politikën perëndimore dhe sindikalizëm, ku grupe dhe individë të caktuar, në vartësi të konfiguracionit ose brishtësisë së tij, në parlamente të ndryshme apo instanca politike apo publike, luajnë kartat e tyre makiaveliste.

Andaj këtu, nuk ka asgjë për t’u habitur. Në këtë rast me precedentë të politikës shqiptare, ajo që pritet të identifikohet është qasja ndryshe, ose e paprecedentë, që do të aplikohet nga një lider politik, që erdhi në pushtet me kartën e të bërit të gjërave ndryshe, ose rilindjes së politikës së kulisëve dhe pazareve të shëmtuara, edhe pse koalicioni i ri, është produkt i një lloj amoraliteti politik, që në gjenezë të tij, në njëfarë mënyre.

Pavarësisht nga shkaqet apo justifikimet, sa herë qesharake, si ditëlindjet e tetorit të parafestuara në korrik, apo pretendimet për frikë copëzimesh të bastioneve elektorale, e deri te kritika me “thikë në gojë”, për punën e njeriut, argumentueshëm, më të suksesshëm të kësaj qeverie 300-ditore, si ministri Tahiri, nevoja madhore për reformë që ky vend ka, do të duhej të superonte çdo konsideratë politike.

Madje, do të duhet të mos bëhej që në fillim, pjesë e konfliktualitetit politik brenda gardhit, në rast se nuk do kishte dështuar si deri më tani, intuita, qoftë edhe prej biznesmeni e ndonjë apo disa deputetëve, që në fund të fundit, kanë hyrë në politikë dhe Parlament, për të imunizuar politikisht interesat e veta personale apo të të afërmve të tyre.

Rama ndodhet përballë një dileme dhe kushti ekzistencial, siç është ajo e vetë qeverisë që ai drejton, nëse do t’i hapte rrugë, (gjë që nuk e besoj), të bërjes së Saimir Tahirit “kokë turku”, për të plotësuar teket apo intrasigjencën politike të një deputeti apo grupi syresh, për hir të shumicës së cilësuar.

Saimir Tahiri, si politikan, e fitoi betejën e tij me Lazaratin, siç mund edhe ta kishte humbur, dhe për këtë, sado jo perfekt dhe i gabueshëm që mund të jetë dhe është, si politikan dhe ministër, do të mbahet mend gjatë, duan apo s’duan kritizerët e tij, si njeriu që “mposhti”, bashkë me Policinë e Shtetit, me forcën e ligjit dhe shtetit dhe suportin publik të shqiptarëve, Lazaratin, ish-famëkeq.

Vetëm për këtë fakt, dhe për këtë vetëm, por edhe për mirënjohjen e shqiptarëve të thjeshtë dhe ndërkombëtarëve, sikur edhe vetëm për këtë arritje lapidare, sakrifikimi i tij, do të duhej të shoqërohej me rrëzimin e qeverisë, pasi e kundërta do të ishte absolutisht nonsense.

Personalisht, kam pasur dhe jam kundër idesë së hyrjes së biznesmenëve në politikë, për shkak të efekteve që ajo sjell në hartimin e politikave të një vendi.

Në Britani, bëhet kujdes mjaft i madh, që edhe kur një deputet bën një pyetje në interpelancë me Kryeministrin apo anëtarë të tjerë të kabinetit, të shihet konflikti potencial i interesit dhe ndikimi i grupeve të caktuara të interesit apo biznesit, te deputetët dhe propozimet dhe iniciativat e tyre legjislative.

Ndërsa në Shqipëri, edhe në Lindje në përgjithësi, për hir të së vërtetës, jemi në një stad akoma parapolitik dhe parademokratik në këtë fushë dhe shumë larg atyre standardeve të parlamentarizmit në demokracitë perëndimore.

Por kjo është Shqipëria dhe shumica e shqiptarëve votuan për reforma të mëdha dhe ndryshime të vonuara në jetën politike të vendit.

E për dallim nga shumica, në zona të caktuara, një pjesë e shqiptarëve, duhet pranuar troç, votuan të ndjellë pas shitjes së votës kundrejt shumave të caktuara financiare, ndaj dhe do të duhet të gatuash me këtë miell parlamentar që ke.

Ashtu siç duhet pranuar se, pati një symbyllje të qëllimshme nga të dyja palët, në vendosje kandidaturash për deputetë, që dihej se kishin ndikim dhe aspirata parlamentare, e do përdornin pasurinë e tyre në këmbim të votës dhe kjo është bërë me konshiencë të mirëfilltë politike.

Rreziku më i madh që ka Kryeministri Rama dhe qeverisja e tij, është te “kalimi i miut nën hundë” dhe bërja rrugë e tij.

Shqipëria ka përpara një listë të madhe reformash, që do të duhet të bëhen me shumicë të cilësuar, e nëse këto reforma do t’i nënshtrohen së njëjtës praktikë shantazhimi me pseudoqoka ditëlindjesh, nga deputetë apo grupe të caktuara deputetësh në të ardhmen, që veçse do të inkurajohen nga “thyerja” e paragjykuar e Kryeministrit përpara tyre, qeverisja e Tiranës nuk do të ndryshojë shumë nga ajo përpara 23 qershorit dhe Berisha nuk do jetë më me vetëm dhe aq djall sa e thërrasim, dhe krahasimisht, Rama jo më ai engjëll, që parapëlqejmë ta quajmë.

Blerja e deputetëve, sesa bindja apo edhe mirëkuptimi dhe zgjidhja e shqetësimeve të tyre, pa dëmtuar ca parime bazë të dinjitetit dhe angazhimit politik, do të ishte rruga më e shkurtër e zgjidhjes së një problemi afatshkurtër, por do të hapte “Kutinë e Pandorës”, për reformat e ardhshme dhe qeverisjen në vazhdim.

Imagjinoni se në vjeshtë, fillon reforma për drejtësinë dhe në Parlamentin shqiptar, dihet se ka individë që i frikësohen asaj, dhe do të përpiqen t’i vënë gurrë nën rrota kësaj reforme. Pa më të voglin dyshim.

Kjo minikrizë do të riciklohet në një megakrizë qeveritare dhe parlamentare, për aksionet politike dhe reformat me 84 vota.

Ndaj në mungesë të së parës, rrugëzgjidhja e vetme dhe e pranueshme dhe aspak joortodokse do të ishte bashkëpunimi me opozitën në fund të fundit, për të bërë kompromis me të, nëse edhe ajo do të kishte vullnetin dhe përgjegjshmërinë politike, shpesh të munguar e shpesh të injoruar, pasi do të ishte më e preferueshme si në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, se sa t’i nënshtrohej presionit të tanishëm dhe eventualisht të pritshëm në të ardhmen në Parlamentin shqiptar, në qoftë se të martën, Rama dështon me “qokatarët e ditëlindjeve”, e në rast se më 31 korrik nuk ka ndonjë ditëlindje tjetër!!

E nëse edhe me opozitën, qoftë edhe në vjeshtë, nuk arrihet kompromisi, dhe bëhet e pamundur bërja e reformave të programuara, do të ishte shumë më fisnike dhe perëndimore, tek e fundit, pse jo, të kërkohej votëbesimi i shqiptarëve, që dinë të vlerësojnë burrërinë dhe ndershmërinë politike në kësi rastesh, por edhe të ndëshkojnë me inat ballkanasi, ata që mendojnë dhe perceptojnë se e kanë gabim, e akoma më keq, ata që i sfidojnë tek të paktat gjëra minimale, që i kanë ata në dorë, siç është vota e tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button