Home / Kryeartikull / Behari i çuditshëm i opozitës

Behari i çuditshëm i opozitës

FATOS BAXHAKU

Fatos BaxhakuBehari i sivjetshëm na ka befasuar vërtet. Shirat e shpeshtë na kanë bërë të besonim se jetonim diku në zonën e musoneve dhe jo në bash të Ballkanit. Shumë vetë janë mërzitur pa masë teksa kanë planifikuar e paguar për pushime në bregdet. Të tjerë kanë mbetur të kënaqur. Sikur të paguanin nuk do ta kalonin më mirë këtë periudhë të frikshme të vitit. Por befasira – nëse na ka mbetur ende vetia për t’u befasuar – na ka sjellë këtë behar edhe politika. Më kryesorja nga të gjitha është mungesa e opozitës në Parlament, atje ku i takon të jetë dhe të jetë e fortë. Para nja dy ditësh, një nga figurat qendrore të PD-së u shpreh pak a shumë se PD ka qenë e pranishme, madje edhe shumë aktive në jetën politike të vendit me anë të zëdhënëses së saj, me anë të deklaratave të deputetëve të ndryshëm, me anë të mbledhjeve për tema të posaçme fort të rëndësishme dhe më në fund, me anë të intervistave në televizione apo gazeta. Komenti i parë që bëhet mbi këtë deklaratë është se edhe politikanët tanë më në fund kanë nisur të mësojnë. Ky është rasti tipik kur faktit, pra mungesës në Parlament, i shmangesh duke thënë gjëra të përgjithshme disi të mjegulluara. Komplimente! Zakonisht këto veprime i bëjnë politikanët me përvojë.

Megjithatë për çdo njeri, qoftë edhe për atë më të thjeshtin dhe qoftë edhe në vapën më të madhe lindin disa pyetje të tipit: A ka demokraci normale në një vend ku opozita nuk ulet në karriget që i takojnë? Përse u zgjat kaq shumë mungesa e opozitës? Po nëse kthehet në shtator çfarë do ketë ndryshuar, vetëm temperatura?

Gjëja më e thjeshtë sidomos në Shqipëri është të japësh mend. E duke qenë kështu le të përsërisim gjëra që i kemi stërthënë edhe më parë. Opozita është në fakt vetë demokracia. Pa të kthehemi në pseudodemokraci, ose në “demokraci” të stilit të Jugosllavisë së dikurshme, kur kishte vetëm një parti dhe ndonjë zë të mekur kundër. Prezenca e një opozite të fortë ka të bëjë me vetë ashtin e demokracisë. Sa më e fortë ajo, aq më në punë dhe më e përgjegjshme qeveria, aq më i mbrojtur individi, aq më e afërt ëndrra. E teksa shumë prej nesh prisnim të ishte vërtet kështu, pra që të kishim një oponencë të mençur, të ndershme, të bindur për ato që thotë e që bën, pamë se opozita e braktisi detyrën e saj, sepse disa të fortë nga një lagje tjetër kishin rrahur një djalin tonë të lagjes.

Në muajt e parë të veprimtarisë së saj, sapo kaloi krizën e pashmangshme që të zapton sapo lë pushtetin, opozita ndërmori disa hapa të rëndësishëm, sikurse ishin demaskimi i emërimeve të të fortëve në poste kyçe, diskutimet për ligjet e reja, për shkurtimet në administratë, alternativat… Pastaj ndodhi mbyllja.

Refuzimi i parë i madh, ishte refuzimi për të marrë pjesë në reformën territoriale e administrative. U tha se nuk marrim pjesë nëse nuk kemi një konsensus të përgjithshëm, ndërkohë që komisioni përkatës do të bashkëkryesohej nga opozita. E tash që reforma ka marrë formë nuk ka vonuar ankesa: reforma është bërë që të na dëmtojë politikisht në zgjedhjet e ardhshme. Njësoj sikur reformat territoriale të këtij niveli të bëheshin çdo katër vjet! Nëse do të kishin bashkëdrejtuar reformën atëherë askush nuk do t’ua kishte me hile. Thjesht nuk do t’ia mbante edhe hilecakut më dhelparak.

Mungesa e dytë e madhe është mospjesëmarrja në debatet për reformën në drejtësi. Edhe këtu ankesa ishte gati: Edi Rama kërkon të zaptojë të gjitha pushtetet. A thua se Edi Rama është Çaushesku e do të rrijë në pushtet derisa të bëhet 100 vjeç! Në këtë rast ka funksionuar më së miri ajo teoria e ngjasimit gradual të të kundërtave, të cilat me kalimin e kohës nisin të t’i ngjasojnë njëra-tjetrës. Vetëm pak më shumë se një vit më parë të njëjtën gjë thoshin edhe socialistët, edhe këta ish-specialistë të njohur të bojkotit.

Përveç shkrehjes së punëve, që ndodh zakonisht në periudha pushimesh, ka diçka që nuk shkon në PD. Për ne, që e shohim nga jashtë, ende nuk është e qartë se çfarë opozite kërkon të bëjë në të ardhmen, pra në vjeshtë. Do jetë një parti e masave, që dalin në rrugë sapo t’i bëjë thirrje lideri, sikurse ka qenë për shumë e shumë vjet? Do jetë një parti elitare, që betejën e zhvillon me idetë? Apo çfarë? Kësaj pyetjeje drejtuesit e PD-së i ranë shkurt. Shkuan me leje të parakohshme dhe ky muhabet u mbyll deri në shtator. Një gjë që nuk e meritojnë aspak njerëzit që i kanë votuar.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen? E cili nga njerëzit publikë nuk është acaruar nga kjo pyetje e shpeshtë. Megjithatë, megjithëse është bezdisëse, ajo në thelb fsheh detyrimin e njeriut publik për t’iu përgjigjur përgjegjësive që ka marrë mbi vete. Është një kërkesë e publikut për të kuptuar vizonin që ka filan apo fistek politikan. Pikërisht kjo anë, vizioni i qartë, konturi i një partie aktive në beteja politike dhe jo në shmangien e tyre, është ajo që i mungon opozitës, dhe duke i munguar asaj i mungon krejt vendit, edhe apolitikëve më të vendosur.

Pastaj deri më tash, edhe jashtë Parlamentit, janë kundërshtuar vetëm hapat që ka ndërmarrë qeveria. Po ndonjë ide që gjenerohet nga vetë opozita? Votuesit e djathtë, ose të pavendosurit kanë nevojë për entuziazëm pa rënë në utopi. Entuziazmi, bindja se ka edhe një forcë tjetër që ka ide dhe është gati t’i realizojë ato, është një kërkesë normale e votuesve të thjeshtë. Edhe kjo nuk ka ndodhur dhe kjo e ka zbutur edhe më ashtin e demokracisë së vërtetë.

Mund të duket si çudi, apo si mendim kontradiktor ideja që prezenca jo vetëm në Parlament, por ekzistenca e një opozite të fortë është edhe në interes të vetë shumicës. Ligjet që miratohen në vetmi, fuqia e kartonit, nuk e bëjnë bindës asnjë hap. Ligji merr jetë dhe forcë vetëm kur është debatuar, diskutuar e kundërshtuar, ani se si del rezultati i votimit. Qeverisja pa opozitë është një grackë e pashoqe, është një komoditet, që mund të shndërrohet në një kurth të rrezikshëm. Po tani është vonë të mendojmë për këto gjëra. Pushimet, ato të vërtetat, po trokasin në prag.

Leave a Reply

Your email address will not be published.