Home / Bota / “Sulmet terroriste, refugjatët nuk janë përgjegjës por justifikim”

“Sulmet terroriste, refugjatët nuk janë përgjegjës por justifikim”

A do të ishte Europa më e sigurtë po të mos i pranonte refugjatët? Kjo është pyetja që po mundon kontinentin e vjetër pas sulmeve terroriste të Parisit dhe Brukselit, por që sipas analistes së “Deutsche Welle”-s, Verica Spasovska, të largon nga problemi i vërtetë.

Gjithnjë e më shumë politikanë europianë po vendosin lidhje mes sulmeve terroriste dhe numrit të shtuar të refugjatëve në Europë. Kryeministrja polake, Beata Szydlo ka deklaruar se nuk do të pranojnë më refugjatë, ndërsa ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto konstaton hapur se, rreziku nga sulmet terroriste është rritur me “ardhje të pakontrolluara” të refugjatëve.

Edhe politikanë të djathtë perëndimorë pohojnë se, sulmet terroriste kanë lidhje me rritjen e numrit të emigrantëve. Por, ata harrojnë se atentatorët e Brukselit nuk kanë kurrfarë lidhjeje me valën e refugjatëve. Ata janë lindur në Belgjikë dhe janë shtetas të atij vendi, – shkruan analistja, që e konsideron lidhjen mes terrorizmit dhe shtimit të emigrantëve si një justifikim për të hedhur përgjegjësinë për mungesën e solidaritetit.

Sulme të tilla kundër refugjatëve u shkojnë për shtat terroristëve, – thotë ajo duke kujtuar se, – Shteti Islamik synon që të përçajë edhe më shumë myslimanët dhe jomyslimanët në Europë dhe që sa më shumë myslimanë të radikalizohen.

“Sa më shumë ndahen myslimanët prej shoqërive shumetnike, aq më të mëdha janë mundësitë për radikalizimin e tyre”, vijon Spasovska, sipas të cilës përgjegjësia bie mbi organet e sigurisë, që duhet të evitojnë hyrjen e terroristëve të tillë, si dhe kryerjen e sulmeve.

Analistja fshikullon autoritetet belge, që – siç thotë – kanë injoruar të dhënat për vendstrehimin e terroristëve dhe kanë shpërfillur paralajmërimet nga Turqia. Gjendja e organeve të sigurisë në këtë vend është e mjerueshme, – thotë ajo duke shtuar se, – sulmet e fundit terroriste në Belgjikë duhet të shfrytëzohen, që më në fund të evitohen mangësitë në luftimin e terrorizmit.

Më shumë personel, komunikim më i mirë mes autoriteteve, shkëmbim i informacioneve mes shërbimeve, këto janë gjërat që duhen bërë menjëherë. Ai që fajëson refugjatët, vetëm sa largon vëmendjen nga problemet thelbësore në luftën e Perëndimit kundër terrorit islamik, mbyll analizën e sa Verica Spasovska.

Leave a Reply

Your email address will not be published.