Home / Parlamentare / Protesta e opozitës-Bllokohet sërish reforma në drejtësi

Protesta e opozitës-Bllokohet sërish reforma në drejtësi

Tensionimi i situatës politike në vend, pas protestave të djeshme të opozitës, rifuti sërish në ngërç procesin e reformës në drejtësi, e cila këtë javë pritej të sheshonte dhe mosmarrëveshjet e fundit mes palëve që lidhen me opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias për paketën e rishikuar të ndryshimeve kushtetuese.

Pas dakortësisë së arritur të mërkurën për disa çështje të rëndësishme, si Byronë Kombëtare të Hetimit, Këshillin e Emërimeve apo Tribunalin Disiplinor, dita e sotme ishte parashikuar se do të ishte deçizive për finalizimin e çështjeve të mbetura ende pa konsensus, për reformën më të rëndësishme e konsideruar ‘kyçe’ për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.

Por, acarimi i klimës politike nuk mundësoi mbledhjen e sotme të komisionit të posaçëm, e paralajmëruar që të enjten.
Paraditen e së martës nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se në rast se PD ka vendosur ta lidhë reformën në drejtësi me ‘një kënd lojrash’ kjo është pjesë e gjykimit të saj dhe po ashtu do të jetë pjesë e gjykimit të opinionit.

Ndërsa, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, mbrëmjen e djeshme deklaroi në Top Channel se protesta e opozitës është ‘një gjullurdi’ kundër reformës në drejtësi.
Përfaqësues të maxhorancës ishin shprehur optimistë se miratimi i kesaj reforme do të mund të kurorëzohej brenda këtij muaji, por zhvillimet e fundit nuk po e përmbushin këtë synim.

Rritja e tensionit politik në vend vjen vetëm një ditë para ardhjes në Tiranë të Komisionerit të BE-së për Zgjerimin, Johanes Hahn, i cili do të marrë pjesë në takimin që qeveria shqiptare organizon me ministrat e Jashtëm të rajonit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.