ParlamentarePolitika

Opozita bllokon foltoren, rendi i ditës diskutohet nga salla

Ashtu siç pritej, Partia Demokratike vazhdoi edhe këtë të enjte me qëndrimin e kushtëzuar ndaj Kuvendit dhe pas fjalës së mbajtur nga kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Edi Paloka, deputetët e opozitës bllokuan foltoren.

“Përveç dekriminalizimit dhe të drejtës së opozitës që përmes funksioneve hetimore të ushtrojë të drejtën e vet kushtetuese, kemi paraqitur edhe dy amendamente që kanë më shumë se 1 muaj që janë dorëzuar në Kuvend dhe nuk janë marrë ende nga Komisionet. Për këto arsye, grupi ynë parlamentar nuk mund të qëndrojë në këtë Parlament si një Parlament normal. Ndaj ne do të protestojmë dhe do të qëndrojmë në këmbë edhe këtë seancë, deri kur kjo maxhorancë t’i kthejë legjitimitetin këtij Kuvendi”, deklaroi Paloka.

Kërkesat e tyre për dërgimin për shqyrtim të mandatit të Valentina Leskajt dhe Rakip Sulit, demokratët nuk i quajnë kushte për reformën në drejtësi, por detyrim kushtetues për maxhorancën që t’i zbatojë ato.

“Kusht mandatet e dy deputetëve është një mashtrim kokë e këmbë. Ne nuk vëmë kushte të tilla. Kushtet nuk i vëmë ne, i vë Kushtetuta, vendimet e Gjykatës Kushtetues. Ato janë kushtet për ne dhe për këdo tjetër. Ne kërkojmë zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës, jo mandatet”, deklaroi Paloka.

Për kreun e grupit parlamentar të PD-së kërkesat e opozitës u konfirmuan edhe nga mesazhi i përcjellë nga Komisioneri Johannes Hahn një ditë më parë, mesazh që sipas opozitës kishte katër pikë kryesore.

“Komisioneri Hahn tha dje që të zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të zbatohet ligji i dekriminalizimit, të sigurohen zgjedhje të lira e të ndershme dhe të ketë dialog pozitë-opozitë për reformën në drejtësi”, u shpreh ai.

Pas Palokës foli nga vendi kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi. Ai kërkoi nga opozita që të dëgjojë argumentet e maxhorancës dhe të mos bllokojë punimet e instucionit.

Pas Ruçit, kreu i Kuvendit, Ilir Meta kërkoi pushim me shpresën se do të arrihej një konsensus për vijimin normal të seancës, por pas 20 minutash demokratët u kthyen në seancë me të njëjtën strategji; bllokimin e foltores.

Në këto kushte, Parlamenti vijoi punimet me rendin e ditës, ku deputetët e maxhorancës morën fjalën nga vendet e tyre në sallë.

Duke folur nga vendi i tij, deputeti socialist, Artan Gaçi iu rikthye protestës tek kodrat e Liqenit. Ai tha se protesta është përpjekje e opozitës për t’i shpëtuar reformës në drejtësi.

“Burgu 313, që po rikonstruktohet, është drejt përfundimit dhe shpresoj që ky lajm t’u ngushëllojë sadopak”, u shpreh ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button