Amerika

SHBA do të lirojë një pjesë të të burgosurve të Guantanamos

Pentagoni njoftoi se do të lirojë një pjesë të të burgosurve të Guantanamos në javët në vazhdim. Të burgosurit, që të gjithë të akuzuar për terrorizëm, do të transferohen në të paktën dy shtete të tjera, të cilat nuk janë zbuluar nga autoritetet ushtarake amerikane.

Vendimi i transferimit të tyre është pjesë e përpjekjeve të administratës Obama për mbylljen e burgut famëkeq, i hapur nga Presidenti George Bush pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

Burgu ndodhet në Gjirin e Guantanamos në jug-lindje të Kubës, ku gjendet një bazë ushtarake amerikane.

Agjencia Reuters, duke cituar një zyrtar amerikan thotë se mes të liruarve do të jetë edhe Tariq Ba Odah, një shtetas jemenas i cili ndodhet në një grevë urie të gjatë.

Aktualisht në Guantanamo mbahen rreth 90 persona të dyshuar për terrorizëm, nga 800 që u izoluan aty në vitin 2002.

Plani i Presidentit Obama është transferimi i këtyre të dënuarve në vendlindjet e tyre, ose në burgjet civile dhe ushtarake në Shtetet e Bashkuara për të shmangur kritikat e grupeve të të drejtave të njeriut, që thonë se pjesa më e madhe e të dënuarve atje mbahen të izoluar pa asnjë akuzë të ngritur kundër tyre, vetëm me dyshimet për lidhje me terrorizmin.

Obama thotë se mirëmbajtja e burgut u kushton amerikanëve 445 milionë dollarë në vit dhe nuk përmirëson sigurinë e vendit, por vetë ekzistenca e tij është një kërcënim për të.

Megjithatë, disa republikanë në Kongres kundërshtojnë mbylljen e burgut duke deklaruar se disa prej të burgosurve janë tejet të rrezikshëm për t’u transferuar në burgjet civile.

Guantanamo ishte temë e cekur në bisedën mes presidentit kuban, Raul Castro dhe atij amerikan, Barack Obama gjatë vizitës së shefit të Shtëpisë së Bardhë në Havana. Castro i ka kërkuar homologut amerikan rikthimin e sovranitetit të vendit ishullor mbi Gjirin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button