Te ndryshme

Gjahtari bullgar i emigrantëve: hero apo kriminel?

 Një tregtar bullgar i pjesëve të këmbimit të autobusëve është bërë një VIP kombëtar, pasi filloi të patrullonte kufirin turk duke “gjuajtur” për emigrantë. Shumë bullgarë e duartrokasin iniciativën e tij vigjilente, ndërsa të tjerë janë shumë të shqetësuar

“Bullgarisë i duhen njerëz si unë, bullgarë me dinjitet që janë gati ta mbrojnë atdheun e tyre”, thotë Dinko Valev, duke rrufitur një lëng të freskët portokalli në një kafene në qytetin e tij të lindjes Yambol, 50 kilometra nga kufiri bullgar me Turqinë.

Valevi, 29 vjeç, është një mundës gjysmë profesionist me kokë të rruar dhe sjellje prej të forti. Kraharori i tij i majtë ka një tatuazh me një kryq të madh.

Ai u bë i famshëm brenda natës muajin e shkuar, kur televizionet e lajmeve kombëtare e raportuan atë si një superhero dhe treguan për përplasjen e tij të dhunshme me një grup sirianësh pranë kufirit, ndërsa ai po ngiste motorin e tij me katër rrota.

Prezantuesi e vlerësoi Valevin për kapjen e një grupi prej 12 sirianësh, tri gra dhe një fëmijë “me duart e tij”. Një video e filmuar me celular nga një prej shoqëruesve të Valevit tregon emigrantët e shtrirë përtokë teksa presin të vijë policia. Valevi dëgjohet teksa i ofendon refugjatët dhe thotë se ata kanë ardhur “të na vrasin neve si qen”.

“Këta janë njerëz të neveritshëm e të këqij dhe duhet të qëndrojnë aty ku janë”, tregon Valevi për BBC-në. Ai vlerëson se rreth 95 për qind e bullgarëve e mbështesin atë dhe i përshkruajnë emigrantët si “terroristë, xhihadistë dhe talebanë” të rrezikshëm.

“Bullgaria është një tokë e pambrojtur dhe krejtësisht e paorganizuar”, thotë ai, duke reflektuar mungesën e besimit te qeveria që e kanë shumë bullgarë.

Në fakt, autoritetet shtetërore kanë ndërtuar një gardh përgjatë gjysmës së kufirit me Turqinë dhe tani kërkon ta zgjasë.

Valevi e ka përdorur këtë famë të re për të bërë thirrje për vullnetarë të rinj, që t’i bashkohen patrullimit të kufirit me të. Më 12 mars, thotë ai, rreth 50 njerëz të paarmatosur u mblodhën për të kërkuar emigrantë përgjatë kufirit me xhipa dhe motorë me katër rrota.

Por një grup i madh i policisë kufitare po priste mbërritjen e tyre. Sipas Valev-it, ata po i trembnin me kast emigrantët, që burrat të mos i kapnin. Koha dhe vendi i patrullave të ardhshme, thotë ai, nuk do të lajmërohet publikisht.

Zëdhënësja e policisë kufitare, Lora Lyubenova, thotë se autoritetet e mirëpresin informacionin rreth shkeljeve kriminale nga ana e qytetarëve, përfshirë kalimin e paligjshëm të kufirit, por vetëm policia ka autoritetin të izolojë dhe arrestojë njerëz.

Vitin e shkuar, më shumë se një milion njerëz përdorën “rrugën e Ballkanit Perëndimor” për të hyrë në Bashkimin Europian, megjithëse vetëm 90 mijë kanë hyrë në Bullgari.

Pavarësisht kësaj, media bullgare është mbushur me retorikë antiemigrante. Një studim i vitit 2013 nga Lidhja e Gazetarëve Europianë, një OJQ me bazë në Sofje, analizoi 8439 artikuj rreth emigrantëve në median bullgare dhe zbuloi se dy nga fjalët shoqëruese më të përdorura me ta ishin “kërcënim” dhe “sëmundje”.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar të Bullgarisë, historiani i njohur Bozhidar Dimitrov, hodhi idenë që migrantët të konvertoheshin në krishterim dhe sugjeroi që Bullgaria të pranonte vetëm gra dhe fëmijë.

“Zyrtarët publikë nxisin haptazi frikë dhe kafshëri kundër refugjatëve, duke i prezantuar ata si kërcënim te publiku bullgar”, thotë Margarita Ilieva, kreu i programit ligjor në Komitetin Bullgar të Helsinkit, një organizatë e të drejtave të njeriut.

Komiteti i Helsinkit u ka kërkuar prokurorëve të hetojnë Valevin, duke theksuar se ai mburrej në televizion rreth kryerjes së disa krimeve.

Nga ana e vet Valevi thotë se ai po vepronte në vetëmbrojtje, pasi një sirian u përpoq ta qëllonte. Disa burra sirianë u bënë agresivë, thotë Valevi, ndaj atij iu desh të përdorte forcën ndaj tyre.

Kur Valevi u mor në pyetje nga policia, rreth 30 persona protestuan jashtë komisariatit, duke bërtitur “Dinko është një hero!” dhe “Ne nuk i duam emigrantët!”

Frika nga emigrantët ka qenë një pikë e fuqishme fokusi në pakënaqësinë e popullit për shumë probleme të tjera që nuk kanë lidhje, sipas Haralan Alexandrov-it, një antropolog social nga Universiteti i Ri Bullgar, që thotë se bullgarët nuk janë as më shumë e as më pak ksenofobë se europianët e tyre.

Korrupsioni, varfëria, zhgënjimi me anëtarësimin në BE, sistemi jofunksional i drejtësisë dhe dështimi në reformimin e tij, të gjitha këto i kanë zemëruar bullgarët, thotë ai.

Por ka edhe traumë historike. Bullgaria ishte pjesë e Perandorisë Osmane për rreth 500 vjet deri më 1978-n dhe propaganda nacionaliste i ka nxitur bullgarët të shohin çdo përfaqësues të botës islame si një përdhunues apo terrorist të mundshëm.

Një shqetësim i ri janë rrugët e trafikimit që mund të ndryshojë prej një marrëveshjeje të re mes BE-së dhe Turqisë për kthimin e azilkërkuesve.

Ndërkohë, kryebashkiaku i Topolovgradit, mes Yambollit dhe kufirit turk, doli në lajme kur i kërkoi Ministrisë së Mbrojtjes të armatoste një grup vullnetarësh të përgjigjes emergjente në rast se shpërthente një valë refugjatësh.

Ai tha se rreth 200 vendas kishin dalë vullnetarë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button