Te ndryshme

Heroi mysliman që turpëron të gjithë fanatikët fetarë

Në sulmet e 11 shtatorit, si fillim edhe ai u paragjykua nga fanatikët fetarë, të cilët e konsideruan terrorist, por më vonë e vërteta u kuptua. Ai vdiq si një Jedi i vërtetë, emri i luftëtarëve të së mirës në filmin e famshëm “Star Wars”, të cilët ai aq shumë i adhuronte

Kur politikanë apo njerëz të thjeshtë i quajnë myslimanët si një kërcënim për kombin amerikan, mjafton shembulli i një 23-vjeçari me origjinë nga Pakistani, kadet i policisë së Nju Jorkut, për t’ua hedhur poshtë argumentet e tyre.

Në sulmet e 11 shtatorit, si fillim edhe ai u paragjykua nga fanatikët fetarë, të cilët e konsideruan terrorist, por më vonë e vërteta u kuptua. Ai vdiq si një Jedi i vërtetë, një luftëtar i së mirës në filmin e famshëm “Star Wars”, të cilët ai aq shumë i adhuronte.

Madje edhe targa e tij në makinën “Honda” shkruante YUNGJEDI.

Mohammad Salman Hamdani erdhi në Nju Jork me familjen e tij, kur ishte vetëm 13 muajsh. Ai u rrit i vendosur për t’u bërë edhe më shumë amerikan sesa dy vëllezërit e tij të lindur në atdheun e dytë.

Ai njerëzve u thoshte që ta thërrisnin Sal. Në kolegjin “Queens”, Hamdani u dallua nga të tjerët për aftësitë që kishte në lëndët shkencore. Ai vendosi se do të bëhej ose doktor, ose një detektiv i policisë së Nju Jorkut, i specializuar në Mjekësinë Ligjore. Ndërkohë punonte me kohë të pjesshme në ndihmën e shpejtë dhe si studiues në Universitetin “Rockefeller”.

Ai gjithashtu u bë një kadet i policisë. Kur mësoi për sulmet në World Trade Center më 11 shtator të 2001-shit, ai reagoi sikur të ishte tashmë një polic me kompetenca të plota, po ashtu edhe si personel i ndihmës së shpejtë.

Ai ishte duke lëvizur nga laboratori i tij në Queens, për në “Upper East Side” të Manhattan-it. Menjëherë vendosi t’i drejtohej qendrës, te dy kullat e mbërthyera nga flakët, bashkë me çantën e tij të ndihmës së shpejtë.

Kur prindërit nuk po merrnin më informacion rreth tij, e denoncuan në polici si të humbur. Fakti që kishte lindur në Pakistan, bëri që një pjesë e hetuesve të mendonin se ai kishte qenë pjesë e komplotit e më pas kishte ikur. Dyshimet ikën vetëm kur eshtrat e tij u gjetën në kullën e veriut, gjashtë muaj pas sulmeve terroriste. Çanta e tij e ndihmës së shpejtë u gjet bashkë me të.

Një ceremoni mortore ku policia njujorkeze e nderoi solemnisht u mbajt në Qendrën Kulturore Islamike. Të pranishëm atëherë ishin edhe ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Mike Bloomberg, dhe drejtori i policisë në atë kohë, Raymond Kelly. “Ne nuk e dimë se sa njerëz ndihmoi ai, sa jetë shpëtoi”, tha Kelly gjatë një fjalimi lavdërues për të riun. Por nëse shikojmë ecurinë e jetës së tij, ne kuptojmë që ai ishte i vendosur për të bërë diferencën dhe diçka të tillë e bëri. Ai ishte me të vërtetë hero.”

Kurse kryebashkiaku e cilësoi Hamdani-n si një shembull i mënyrës se si ai mund ta bëjë këtë botë më të mirë.

Nëna e kadetit të vdekur, Talat Hamdani, tha se i biri e sakrifikoi veten në përpjekje për të shpëtuar të tjerët. Por viktima gjithashtu ka shpëtuar Amerikën nga vetvetja, nga paragjykimet që e bëjnë atë shumë më pak sesa ai vendi i madh që ai me aq pasion e përqafoi si atdheun e tij të ri. Kuraja e tij vetëmohuese turpëroi të gjithë ata që hamendësuan se Sal-i ishte një xhihadist.

“I riu im Jedi, ti e dhe jetën tënde për fëmijët e injorancës. Ai e dha jetën e tij për Amerikën. Tani Amerika po e nderon atë”, tha e ëma e tij.

Në 2014-n, viktima u nderua prapë nga njujorkezët, pasi një pjesë e rrugës së 204-t në Queens, u quajt rruga “Salman Hamdani”. E ëma e tij foli prapë në këtë ngjarje domethënëse për familjen e saj.

“Kjo është ditë e gëzueshme dhe triumfuese dhe është një pikë kthese në historinë e Amerikës për të luftuar paragjykimet e fanatizmin. Kjo simbolizon faktin që edhe myslimanët e Amerikës janë gjithashtu amerikanë dhe ne jemi një pjesë thelbësore e shoqërisë.”

Por, pas dy vitesh, politikanë si Trump dhe Cruz po përpiqen që të baltosin myslimanët amerikanë dhe të hedhin plot paragjykime ndaj tyre. Fjalët e mbushura me urrejtje të tyre ofendojnë edhe një mijë anëtarë të policisë së Nju Jorkut, të cilët janë myslimanë. Shumë të tjerë janë në ushtri që rrezikojnë jetën e tyre, si brenda dhe jashtë vendit, kur fanatikët fetarë diçka të tillë s’e kanë bërë kurrë.

“Ky është atdheu ynë, kemi ardhur këtu për të jetuar dhe do ta mbrojmë këtë komb dhe do t’u shërbejmë qytetarëve”, tha kapiteni i Nju Jorkut, Waheed Akhtar, 41 vjeç për “Daily Beast”. “Ne të gjithë jemi një komb dhe duhet të jetojmë bashkë. Unë çdo mëngjes vesh uniformën dhe dal jashtë që të mbroj qytetarët e këtij kombi”. Ai u bë pjesë e policisë njujorkeze përpara 11 viteve, katër vite pas vdekjes së Hamdani-t. Babai i tij ka qenë punonjës policie në Pakistan, ashtu si edhe i vëllai. “Ai është polic atje dhe unë jam këtu. Kjo është natyra ime e dytë. Jetoj për të shërbyer”, tha kapiteni i parë i Nju Jorkut me origjinë pakistaneze. Ai thotë se bashkë me policët e tjerë që kanë të njëjtën fe, u bëjnë thirrje të rinjve që kanë prirje radikaliste. “Kur ata të bëjnë krime do të përballen me myslimanë. Jemi betuar se do ta mbrojmë këtë vend, këtë komb dhe këtë qytet të madh. Jam shumë i privilegjuar që po i shërbej këtij shteti të madh.”

Por punonjësit myslimanë në SHBA, tani janë të shqetësuar nga fanatizmi fetar dhe racizmi që është shtuar së fundmi në vend. Donald Trump, i cili me shumë mundësi do të nominohet nga republikanët si kandidat për president, ka premtuar se do ta bëjë prapë “Amerikën të madhe” dhe nuk i do myslimanët aty. “Situatë shumë shqetësuese. Sidomos kur të tilla mesazhe vijnë nga figura politike. Fjalët e tyre kthehen në helm. Ata pak a shumë po helmojnë vlerat tona”, përfundoi kapiten Akhtari.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button