Home / Kosova / Zbatimi i MSA-së -Mustafa: Sot fillon një kapitulli i ri i zhvillimit ekonomik dhe social

Zbatimi i MSA-së -Mustafa: Sot fillon një kapitulli i ri i zhvillimit ekonomik dhe social

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë sot në ceremoninë e organizuar me rastin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Me këtë rast, kryeministri Mustafa ka dorëzuar dokumentin e parë unik doganor për zhdoganimin e mallit konform Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, që shënon fillimin e implementimit të MSA-së në Kosovë.

Para të pranishmëve në këtë ngjarje, kryeministri Mustafa tha se “për Republikën e Kosovës, po fillon një kapitull i ri i zhvillimit. Pas nënshkrimit të MSA-së, më 27 tetor të vitit 2015, sot Kosova po kalon në një fazë tjetër të zhvillimit politik, social dhe ekonomik. Në këtë moment edhe zyrtarisht po fillojmë me implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Prandaj, kjo ditë e shumë pritur për ne, do të jetë e shënuar në historinë e zhvillimit të shtetit tonë”.

Me hyrjen e sotme në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, sipas kryeministrit Mustafa, Kosova po e vë gurthemelin e marrëdhënieve kontraktuale me BE, që kushtëzon të drejta dhe detyrime reciproke në një spektër të gjerë sektorësh, duke përfshirë respektimin e parimeve demokratike, aplikimin e standardeve evropiane të tregut, konkurrencës, shtetin ligjor dhe pronën e përgjithshme dhe atë intelektuale.

“Marrëdhëniet kontraktuale me BE-në do të ndihmojnë në adoptimin e standardeve evropiane në vendin tonë, në avancimin e dialogut politik, në përmirësimin e standardeve të edukimit, punësimit, energjisë dhe ambientit; forcimin e shtetit ligjor dhe rritjen e efiçiencës së qeverisjes së brendshme”, nënvizoi Mustafa.

Sipas tij, marrëveshja e Stabilizim Asociimit brenda saj ka një axhendë të veçantë të krijimit të një tregu të përbashkët të Kosovës dhe BE-së dhe të reformave që parashohin bashkëpunimin rajonal, lirinë e lëvizjes së mallrave, shërbimeve të punës dhe kapitalit.

Kjo Marrëveshje, vijoi ai, synon të mbështesë tranzicionin ekonomik të Kosovës, si dhe të forcojë integrimin e saj në tregun e përbashkët të BE-së gjatë një periudhe kohore jo më të gjatë se 10 vite që nga sot”, tha kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, theksoi se me liberalizimin gradual të tregut sipas Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, BE-ja dhe Kosova do të vendosin një bashkëpunim më të ngushtë për të kontribuar në zhvillimin dhe rritjen ekonomike të Kosovës në përgatitjen e saj për integrim në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Isa Mustafa gjithashtu tha se ka arsye të shpresohet shumë se pas përmbushjes së suksesshme të kritereve dhe rekomandimeve që janë kërkuar për liberalizimin e vizave, së shpejti këtij akti të rëndësishëm të fillimit të zbatimit të MSA-së do t’i bashkëngjitet edhe vendimi i BE-së me të cilin do të mundësohet lëvizja e lirë e bizneseve dhe e qytetarëve tanë në vendet e BE-së.

“Me këtë rast dëshiroj të falënderoj gjithë ata që punuan dhe kontribuuan për këtë marrëveshje, të falënderoj përfaqësuesen e lartë të BE-së, zonjën Mogherini, komisionerin Hahn dhe Zyrën e BE-së në Kosovë, përfaqësuar nga z. Zhbogar. Ju uroj shumë në implementimin e kësaj Marrëveshje. I falënderoj partnerët tanë nga SHBA-të për përkrahjen dhe punën e tyre të përhershme dhe uroj që sukseset tona në implementimin e kësaj Marrëveshje të jenë suksese të përbashkëta”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Leave a Reply

Your email address will not be published.