KronikaPresidenciale

Nishani kthen ligjin për mediat: Bie ndesh me Kushtetutën

Presidenti Bujar Nishani ka kthyer në Kuvend ndryshimet në ligjin “për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të miratuara në Parlament më 10 mars 2016, pasi sipas tij, këto ndryshime bien ndesh me Kushtetutën.

Sipas Presidentit, përmes këtij ligji është përcaktuar që nëse dështohet në zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar në tre raunde përmes shumicës së cilësuar, atëherë në raundin e katërt dhe të pestë të kalohet në shumicë të thjeshtë, ndërsa për lirimin e tij nga detyra  është mbajtur shumica e cilësuar 2/3 e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar.

“Një zgjidhje e tillë krijon premisat e zgjedhjes se një personi të parapëlqyer nga mazhoranca në Këshillin Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar, i cili gëzon votëbesimin e supermazhorancës parlamentare”, thuhet në relacionin shoqërues të kthimit të ligjit.

Sipas Presidentit të Republikës, këtij ligji i është dhënë fuqi prapavepruese, pasi rregullat e reja të përcaktuara për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së do të fillojne të zbatohen edhe për zgjedhjet që janë duke u zhvilluar në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit.

“Aplikimi i rregullave të reja, ku kërkohet një shumicë e thjeshtë nga anëtarët e Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar, qartazi nxjerr të fituar kandidatin e parapëlqyer nga supermazhoranca politike, i cili vazhdon të jetë në garë”, mbyllet arsyetimi i Presidentit Bujar Nishani, drejtuar Kuvendit të Shqipërisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button