Home / Ekonomia / Shkodër- Panariti: Mbështetje konkrete fermerëve në zonat e thella të vendit

Shkodër- Panariti: Mbështetje konkrete fermerëve në zonat e thella të vendit

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Edmond Panariti dhe Drejtori i SARED, Ole Herinksen, vizituan të martën një fermë blegtorale në Barbullush, Shkodër, në veri të vendit, që është financuar nga projekti SARED, për t’u zhvilluar sipas modelit të fermës me cikël të mbyllur.

Ministri Panariti dhe Drejtori Herinksen inspektuan nga afër këtë fermë, 15 km larg qytetit të Shkodrës, në pronësi të Fabian Demit, me 200 krerë dhi dhe një baxho të përpunimit të qumështit, që ka krijuar dhe po zhvillon një cikël të mbyllur në prodhimin blegtoral dhe industrinë e qumështit, si modeli që garanton zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit rural në vendin tonë.

“Kjo fermë me cikël të mbyllur është shembulli më i mirë i zhvillimit të sektorit veterinar”, tha ministri Panariti, ndërsa vuri në dukje se, reforma veterinare është prioritet në programin tonë qeveritar.

Ministri Panariti theksoi se, “iniciativa e këtyre fermerëve ka gjetur mbështetje financiare nëpërmjet projektit SARED. Ndërsa politikat tona do të orientojnë fermerët drejt bujqësisë me porosi, që prodhimi i tyre të ketë shitje të garantuar”, tha ai.

Drejtori i SARED, Herinksen u shpreh se, qëllimi kryesor i projektit është të mbështesim edhe ndërmarrjet e vogla bujqësore për të arritur standardet e sigurisë ushqimore të kërkuara nga BE.

Sipas tij, kjo fermë është shembull për çfarë mund të bëjmë duke mbështetur fermerët e vegjël në zonat më pak të favorizuara.

SARED çel grantet për mbështetjen e bujqësisë në zonat e thella të Shqipërisë

Programi Gjermano-Danez ‘Mbështetje për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural në zonat e Thella në Shqipëri’ (SARED), zbatuar nga GIZ ka çelur aplikimet (14 mars-30 qershor 2016) për të gjithë fermerët e agro-përpunuesit në gjashtë qarqe të vendit Shkodër, Kukës, Dibër, Korçë, Elbasan dhe Berat, për të përfituar grante deri 75% të vlerës së investimit në sektorin e bujqësisë.

Burime nga SARED bëjnë të ditur se mbështetja e Skemës së Grantit SARED do të ofrohet në tre drejtime kryesore; mbarështimi i blegtorisë së imët (ripërtypësit e vegjël), pemët frutore dhe arrorët, bimët aromatike dhe mjekësore. Të gjitha aplikimet duhet të dorëzohen në dy kopje, vetëm personalisht në zyrat e SARED në zyrat e Drejtorive Rajonale të Bujqësisë në rajonet përkatëse gjatë orëve normale të punës në një zarf, duke shënuar mbi të emrin e aplikantit dhe sektorit për të cilët paraqitet aplikimi.

Sektorët e mbështetur me grante nga SARED Për investimet në fermë, shuma totale e investimeve që duhet të aplikohet është nga 400.000 lekë deri në 3.500.000 lekë Për investime jashtë ferme (mbledhja, përpunimi, marketingu i produkteve bujqësore) shuma totale e investimeve që duhet të aplikohet është nga 700.000 Lekë deri në 10.000.000 lekë. Për përfituesit shuma financiare e grantit bazë do të jetë kryesisht midis 50% – 65% e shpenzimeve totale të investimit.

Granti paguhet në llogarinë bankare të përfituesit vetëm pas përfundimit të investimit për të cilin aplikuesi është pajisur me kontratë. Bujqësia është shumë e rëndësishme dhe një sfidë komplekse në kuadër të aderimit të Shqipërisë në BE, ndaj nuk është rastësi që Bashkimi Evropian po mbështet bujqësinë shqiptare. Programi SARED i kushton vëmendje mbështetjes së grave dhe të rinjve, të cilët investojnë në sektorin rural. Zhvillimi i zonave të thella veriore të vendit synon të përmirësojë jetën e banorëve në këto zona si dhe të rikthejë banorët të punojnë tokat e tyre, përmes mbështetjes financiare.

Leave a Reply

%d bloggers like this: