Home / Arte / Libri / Pas 16 vitesh, Plasari largohet nga biblioteka

Pas 16 vitesh, Plasari largohet nga biblioteka

plasariNënshkrimi i dy marrëveshjeve “Për sallën franceze të leximit” pranë Bibliotekës Kombëtare me Aleancën franceze të Shqipërisë dhe Ambasadën Franceze në Tiranë, ka qenë aktiviteti i fundit i Aurel Plasarit si drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Në prani të ambasadores franceze, Christine Moro, dhe presidentes së Aleancës Franceze, prof. dr Drita Hadaj, ai ka pranuar, fjalët e thëna nën zë për largimin e tij nga posti i drejtorit, post që e mban prej 16 vitesh”. “Largimi nga detyra erdhi pas një marrëveshjeje me ministrinë, për t’u emëruar në një vend tjetër”, tha Plasari, duke e quajtur fatlum faktin që marrëveshja e fundit që nënshkroi ka të bëjë me kulturën franceze dhe gjuhën frënge. “Së pari, sepse është fjala për një kulturë dhe një gjuhë – cette “langue superbe” – të cilave kultura jonë u ka detyrime të mëdha. Së dyti, edhe sepse vetë Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ia detyron modelin e vet kulturës franceze: kur më 1920 baballarët e shtetit shqiptar vendosën themelimin e kësaj biblioteke imituan pikërisht modelin e Bibliotekës Kombëtare të Francës, model tanimë zotërues në mbarë Europën, por edhe përtej saj. Së fundi, e quaj fat të lumë edhe për arsye vetjake, për detyrimet që kam vetë ndaj gjuhës dhe përkatësisht kulturës së Francës”, është shprehur Plasari. Dikur në antologjinë e hershme “Poetë francezë” ai ka shlyer pak nga këto detyrime, duke përkthyer në shqip një dorë të mirë poetësh të dashur, sa për të aq edhe për lexuesin”. Kjo do të thotë që borxhet (këtë e kam nga turqishtja) ose debitet (këtë e kam nga frëngjishtja) kulturës franceze ende nuk ia kam larë sa do të dëshiroja dhe, jam i bindur, sa do të dëshironte shumëkush prej nesh”, tha Plasari. Sipas informacioneve, Plasari do ta mbajë postin e drejtorit deri në emërimin e drejtorit të ri, që pritet të bëhet pas një konkursi që Ministria e Kulturës do të hapë gjatë muajit gusht. Plasari është një ndër drejtorët më jetëgjatë në krye të një institucioni kulture në vend. Përkthyes, studiues dhe autor librash ai është një ndër personalitetet me kontribute në letrat shqipe. Falë përpjekjeve të tij në cilësinë e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare ka mundësuar përfshirjen e Shqipërisë në disa projekte të rëndësishme ndërkombëtare, si: Biblioteka Europiane sendërtuar në EUROPEANA, Biblioteka Dixhitale Botërore etj. Është nismëtar i festimit të Ditës Botërore të Librit në Shqipëri (2002); bashkëthemelues i Konferencës Kombëtare të Bibliotekonomisë (2005); organizator i disa konferencave shkencore kombëtare dhe/ose ndërkombëtare; pjesëtar i stafit akademik në Shkollën Kombëtare të Bibliotekonomisë; iniciues i organizimit për herë të parë në sistemin arsimor shqiptar të Masterit të Nivelit të Dytë të Shkencës së Bibliotekave etj. Lajmi për largimin e tij nga detyra e drejtorit ka rreth një muaj që qarkullon në rrethe të ngushta të njerëzve të librave. Ndër emrat e përfolur për zëvendësimin e tij ka qenë dhe ai i studiuesit Ardian Vehbiu. Ky i fundit e ka mohuar në faqen e tij në Facebook që mund t’i jetë propozuar një post i tillë. “Asnjë të vërtetë nuk ka në këtë mes; më mjafton drejtorllëku i bibliotekës sime private. Dhe s’më ka ofruar njeri ndonjëherë as këtë post, as poste të tjera të ngjashme, ndoshta edhe pse e kanë parë që më mungon interesi, ose për çfarëdo arsyeje tjetër. Shërbimet në fushën e kulturës i kam dhënë dhe do t’i jap ashtu siç mund t’i jap më mirë – duke shkruar”, ka shkruar Vehbiu në faqen e tij zyrtare. Hapja e konkursit nga ana e Ministrisë pritet të bëjë publikë dhe garuesit e ri, për të pasuar Plasarin, në krye të një institucioni i cili përgjatë gjithë viteve është parë si një referencë mendimi. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë si institucion i parë shte­të­ror, publik e laik, mban për datë të themelimit të saj 10 korrikun 1920. Si bërthamë e saj shërbeu fondi i bibliotekës së “Komisisë Letrare Shqipe”, organizëm i përbashkët shqiptaro-austriak, krijuar në qytetin e Shkodrës në vitin 1917 në kontingjencat e njohura të Luf­tës së Parë Botërore. Më 1920 ky fond u vendos në Ministrinë e Ar­simit, Tiranë. Mbas vitit 1920 u bënë përpjekje për pasurimin e këtij fondi, si dhe për rior­ga­ni­zimin e bibliotekës si institucion kombëtar. Në momentin e përurimit më, 1922, ajo kishte rreth 6000 vëllime. Për periudhën e paraluftës, spikat veprimtaria e saj në vitet e Mbretërisë Shqiptare (1928-1937), kur ins­titucioni drejtohej nga atdhetari dhe lëvruesi i gjuhës shqipe, Sotir Kolea. Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti Bibliotekën me një koleksion prej 15.000 vëllimesh. Ajo u vendos në një nga ndërtesat më të mira të asaj kohe, e cila shërben edhe sot si “aneks” i saj. Koleksionet me karakter albanologjik u rritën kryesisht si rezultat i konfiskimit të disa librarive dhe bibliotekave private të personaliteteve të kul­tu­rës. Në fund të vitit 1947, fondi i saj numëronte rreth 100.000 vëllime. Ngjarje me rëndësi për bibliotekën, por dhe për kulturën kombëtare, ishte dalja më 31.05.1948 e dekretit “Mbi dërgimin e detyrueshëm të shtypshkrimeve të Bibliotekës Kombëtare”, sipas të cilit asaj i dërgoheshin falas një numër ekzemplarësh të çdo shtypshkrimi të vendit. Ky de­kret i dha mundësi bibliotekës të kryejë rolin e qendrës arkivore të të gjitha botimeve të ven­dit dhe të botojë më pas Bibliografinë Kombëtare të librit shqip. Dekreti është ndryshuar e plotësuar disa herë. Nga institucion në var­tësi të Institutit të Shkencave, në vitin 1959 biblioteka kaloi në vartësi të Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës. Në vitin 1966 ajo u zhvendos në një pjesë të ndërtesës së re të Pallatit të Kulturës, ku gjendet dhe sot. Ndryshimet demokratike të viteve ’90 sollën mundësi ndryshimi edhe në politikat e Bibliotekës Kombëtare. Nga modeli i bibliotekave të Europës Lindore, me kufizime të skajshme në sigurimin e informacionit dhe shfrytëzimin e disa kategorive të literaturës, ajo kaloi në heqjen e barrierave kufizuese të kësaj natyre, duke shkuar drejt lirisë së plotë të informacionit për përdoruesit.

Në thellësi të bibliotekës

Biblioteka Kombëtare numëron në fondet e veta rreth 1.156.778 materiale bibliotekare,- deri më 01 qershor 2014,- (libra, periodikë, harta, atlase, mikrofilma e materiale të tjera). Fondi i arkivit të botimeve shqip, i antikuarit, i dorëshkrimeve, hartave, si dhe fondi i albano-balkanologjisë përbëjnë pasuri me vlera të mëdha për thesarin e kulturës kombëtare shqiptare e, si të tilla, të kulturës europiane. Fondi i arkivit përfshin botime me vlera të veçanta për pasurinë e shkruar të shqiptarëve, duke filluar nga botimet e para në gjuhën shqipe (shek. XVI) dhe duke vijuar deri në ditët tona. Koleksionet e rralla janë një tjetër pjesë e vyer e bibliotekës duke filluar nga antikuari, dorëshkrimet, apo hartat. Koleksioni i antikuarëve përbën një fond të posaçëm, shumë të rëndësishëm, jo aq nga numri i vëllimeve sesa nga përmbajtja e tij. Përmban 2449 vepra të rralla të botuara në shekujt XV-XVIII, përfshirë edhe veprat e para në gjuhën shqipe të Gjon Buzukut, Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit, Frang Bardhit dhe të Jul Varibobës, si dhe veprat në latinisht të humanistëve shqiptarë Marin Barleti, Marin Beçikemi dhe Dhimitër Frangu. Pjesë e këtij koleksioni janë edhe botimet e Voskopojës që i takojnë shek. XVII-XVIII, si dhe 7 inkunabula. Libri më i vjetër i këtij koleksioni është vepra e Papës Piu II “Epistolae de Conventu Mantvano”, botuar në Milano në vitin 1473. Vepra ka vlera të veçanta. Në të theksohet mundësia e pjesëmarrjes së shqiptarëve dhe e Skënderbeut në koalicionin kundërosman të të krishterëve. Fondi i dorëshkrimeve ka 1189 vepra të dorëshkruara, kryesisht në gjuhët orientale (arabisht, osmanisht dhe persisht), shumica e të cilave janë kopjuar nga kaligrafë të specializuar në Shkodër, Berat, Elbasan, Tiranë etj. Koleksioni ka qenë pjesë e bibliotekave të medreseve dhe e bibliotekave të familjeve të mëdha shqiptare siç është dhe Biblioteka e Bushatllinjve, prej të cilës numërohen rreth 150 njësi bibliotekare që mbajnë vulën e sundimtarëve të Shkodrës, Mustafa dhe Karamahmut pashë Bushatlliu. Dorëshkrimet orientale kanë përmbajtje fetare, juridike, historike, gjuhësore e letrare etj. Vlen të veçohen veprat letrare të dorëshkruara në gjuhën shqipe me alfabet arab, sidomos divanet. Vlerësohen posaçërisht mynsheatet ose krestomacitë dokumentare (përmbledhje letrash private dhe shkresash zyrtare), një pjesë e të cilave me të dhëna për historinë e Shqipërisë dhe të qyteteve të saj. Pjesë e këtij koleksioni janë veprat e poetëve të mëdhenj të botës orientale. Shumica e dorëshkrimeve orientale u takon shekujve XIII-XIX. Ato shquhen për miniaturat në ar dhe dekoracionet. Koleksioni përmban një numër të vogël dorëshkrimesh shqip me alfabet grek, ku veçojmë Kodikun e Beratit të shek. XVIII me pjesë këndimi, poezi fetare, fjalor greqisht-shqip me 1600 fjalë etj. Pjesë e koleksionit janë edhe disa dorëshkrime në gjuhët perëndimore, ndër të cilat me vlerë të veçantë për Shqipërinë është ditari i albanologut hungarez, Franc Nopça “Albania Notizbücher” në 6 vëllime, shkruar gjatë viteve 1905-1909, 1913 etj. Nga dorëshkrimet greqisht i rrallë dhe i rëndësishëm është kodiku për Shën Nikodhimin nga Berati, i dorëshkruar në fillim të shek. XVIII. Koleksioni i hartave të rralla numëron 54 njësi bibliotekare. Ato u takojnë shekujve XVI-XVIII dhe janë përpiluar nga hartografë europianë më në zë të kohës. Hartat e rralla kanë vlerë të posaçme për trojet shqiptare e më gjerë dhe janë burim informacioni me të dhëna të shumta historike, etnografike, gjuhësore, gjeologjike etj. Nga ky koleksion veçohet harta e Vincenzo Maria Coronelli-t, kozmograf i njohur i Republikës së Venedikut, “Corso delli fiumi Drino e Boiana nella Dalmatia” e vitit 1688, e cila bën pjesë në përmbledhjen “Atlante Veneto”. Përmbajtja e hartës paraqet interes për studiuesit e fushës së albanologjisë. Ajo sjell të dhëna të bollshme gjeografike, historike, toponomastike, etnografike, statistikore e demografike për krahinat, qytetet dhe fshatrat shqiptarë. Hartat dallohen për zbukurimet dhe ngjyrat. Në fondin e albano-balkanologjisë ruhen të gjitha botimet shqipe, si dhe ato të huaja, që flasin për Shqipërinë, shqiptarët dhe popujt e ndryshëm të Ballkanit, që trajtojnë historinë, gjuhën, folklorin, kulturën e tyre. Sot qendra e studimeve albanologjike është përqendruar në shtetin shqiptar dhe literatura bazë për këto studime ndodhet në këtë bibliotekë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: