Home / Arte / Muzike / 75 minuta drithëruese

75 minuta drithëruese

Rikthehet pas shtatë vitesh në skenën e teatrit “Shekspir”, në “Metropol”, më 7 prill, artisti i njohur, Robert Bisha

Tinguj pianoje, eksperimentime mbi të, me hark a makinë roje, interpretim në kitare, saze e def, kjo është atmosfera që do të përfshijë, sallën “Shekspir” në Teatrin Metropol. Për herë të parë në Tiranë, poli-instrumentisti Robert Bisha vjen me projektin e tij  në piano solo “Ritual Moods”, këtë të enjte, më 7 prill 2016, ora 20:00. Pas koncertit të Gent Rushit, ky është koncerti i dytë i organizuar nga Qendra Kulturore Tirana, i cili vjen në vazhdën e aktiviteteve të tilla artistike, për të promovuar vlerat më të mira kombëtare dhe mbarëkombëtare. Bisha vjen pas shtatë vitesh në Shqipëri. “Jam pak i emocionuar për koncertin dhe e pres me shumë dëshirë. Do të jetë një koncert shumë i ngrohtë si vetë skena “Shekspir” në të cilën unë luaj për herë të parë. Publiku i ulur rreth pianos, më ngjan si një tryezë, ku mund të takohemi së bashku nëpërmjet tingullit”, shprehet Bisha. Ai ka ikur nga Shqipëria 16 vjeç drejt Italisë, ku edhe njihet së tepërmi për artin e tij. Ndërkaq, “Ritual Moods” është një koncept i vjetër, me të cilin performon në vende të ndryshme, koncerte të reja.

“Puna ‘Ritual Moods’ për piano solo ka një strukturë gjeometrike të paramenduar, një arkitekturë, forma vjen duke u kompletuar gjatë performimit live. Kur ndodhem në skenë, improvizoj këngë të shkurtra me intervale tipike të folklorit, të cilat në pjesën më të madhe jo domosdoshmërisht kanë ekzistuar më parë. Kjo, sepse për mua është thelbësore të vihem në marrëdhënie me  procesin krijues të drejtpërdrejtë mes folklorit dhe improvizimit”, shprehet artisti. Koncerti do të zgjasë 75 minuta, ku do të interpretohen numra të ndryshëm muzikorë, ndërkohë të ftuar special gjatë koncertit janë Albanian Iso- Polyphonic Choir. Robert Bisha njihet si një pianist kompleks, muzika e të cilit në origjinë ndërthur studimin me teknikën, e cila ka  ardhur duke u përsosur si pasojë e kërkimit harmonik në bashkëkohoren e njëkohësisht në folklorin e pasur. Është instrumentist eksperimentues, performon si profesionist që në moshën 12 vjeç në skenat shqiptare e jashtë saj, me kompozimet e veta. “Në pjesën e parë, procesi i ngjan zhvillimit muzikor të folkut epik: së pari shfaqet një temë që më pas e ndjek një improvizim narrativ. Njohjet e mia mbi instrumente si çiftelia, sazet, defi, dajret, fyellin etj., më lejon të eksperimentoj në piano tingujt e këtyre instrumenteve duke mbajtur një lidhje të ngushtë me muzikën kanto. Temat mbi të cilat punoj kanë karakter minimalist, por janë edhe të shtrira e emotive”, thotë Bisha.

Ndërkaq, në pjesën e dytë, pianoforte merr ngjyrimet e “prepared piano”. Për të vëmendja spostohet sidomos te kordat, duke integruar në këtë mënyrë si tastierën ashtu edhe kordat për të krijuar kështu variacion shprehjeje.

“Krijoj mikrotema, ku përdorimi i harkut mbi kordat e shtrira thërret teknikën e thjeshtë te kordat e shtrira, duke theksuar në këtë mënyrë një nga pasuritë e mëdha të instrumentit, “notat e larta solo”. Gjithashtu, përdor tastiera në sfumatura të ndryshme, me qëllim që të shfrytëzoj çdo mundësi të instrumentit dhe ta integroj me tastet e tastierës. Në eksperimentet e mia, kërkoj të mbaj gjithnjë raporte të ngushta me kanton, duke qenë se e konsideroj si një nga përbërësit kryesorë të qenies njerëzore në evolucion”, shprehet artisti. Robert Bisha ka lindur në Shkodër dhe studimet për piano i nis, që në moshën 6 vjeç, për t’iu kushtuar më vonë edhe fizarmonikës, kitarës dhe perkusionit etnik. Studion pianoforte klasike në konservatorin e Ferrarës. Pasioni i tij për folklorin dhe për instrumentet e tij e ka shtyrë Robertin të eksperimentojë shumë gjatë në instrumentin e tij kryesor i cili është pianoja. Temat të kompozuara me intervalet e folklorit, edhe pse shpeshherë nuk janë realisht tema këngësh folklorike, ato të kujtojnë dhe thërrasin folklorin. Njohuria e repertorit klasik perëndimor pianistik, njohuria e shumë zhanreve të ndryshme muzikore të kohërave tona apo të lashta, e bëjnë Robertin një improvizues dhe kompozitor me cilësi ndërkombëtare, por edhe një artist me mënyra shprehëse, unike në instrumente. Dhe, pse i ri në moshë, ka fituar çmime të ndryshme kompozimi dhe ka performuar live me artistë të ndryshëm dhe me reputacion e famë rëndësi ndërkombëtare.  Koncertet e tij për piano solo, gjejnë vend si në teatro, ashtu edhe në festivale bashkëkohore apo evente xhazi. Zhvillon laboratorë mbi ritmin dhe seminare – workshop mbi improvizimin në muzikën folklorike deri edhe në muzikën serioze bashkëkohore. Aktualisht, po punon për dy projekte në fushën e bashkëkohores dhe që të dy, projekte të bazuara në muzikën tradicionale shqiptare. Bëhet fjalë për Përzgjedhje e Isopolifonisë shqiptare (Albanian Iso-Polyphonic Choir), album që do të shohë dritën në vjeshtë të 2016-s me Fanfarën e Tiranës dhe një album që pritet të dalë në 2017, që do të ketë prezantimin paraprak në festivalin më të madh francez “Netët e Furviere” që mbahet më 8 korrik 2016.

Leave a Reply

Your email address will not be published.