Teater

Teatri: “Made in Albania”, premierë më 14 prill në Teatrin Eksperimental

“Made in Albania”, drama që ka bërë sërish bashkë regjisorin Altin Basha dhe dramaturgun Stefan Çapaliku, pas disa javë provash, do të vijë premierë më 14 prill në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Kjo vepër është drama më e re e Çapalikut dhe pjesa e tretë e veprës “Triologia Albanica” (ku bëjnë pjesë edhe monodrama “I’m from Albania dhe drama “Allegretto Albania”). “Made in Albania” i bën jehonë Shqipërisë së sotme, asaj të vërtetës, thelbësores, të “padukshmes”, “underground”-it shqiptar. Ngjarjet zhvillohen në një rrobaqepësi, biznes fasonësh, në të cilën punojnë gra të të gjitha moshave dhe që prodhojnë rroba me etiketat “Made in Albania”. Regjisori Basha kërkon të sjellë përmes kësaj vepre jo vetëm teatrin e ri që ndihet në veprat e tij, por dhe thelbin e aktualitetit që trajton. Në rolet kryesore do të interpretojnë aktorët e njohur Zyliha Miloti, Luftar Paja, si dhe një radhë prej 11 aktorësh të tjerë më të rinj. Skenografe dhe kostumografe është Iliriana Loxha, koreograf Gjergj Prevazi dhe kompozitor Endri Sina. Regjisori Basha, në bashkëpunim me autorin, ka pasur një sukses ndërkombëtar në festivalin “Drama të reja nga Europa” në vitin 2010 në Gjermani, ku fituan çmimin e parë me dramën “Allegretto Albania”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button