ParlamentarePolitika

Drafti i LSI: Koncesionet, nga Parlamenti. PS: Nuk është garanci

Një projektligj i Lëvizjes Socialiste për Integrim, që i heq Qeverisë të drejtën të japë koncesione mbi 4 vite pa marrë miratimin nga Parlamenti, është parë me skepticizëm nga deputetët socialistë.

“Ne kemi dy raste konkrete, kemi shërbimin e skanimit të kontenjerëve dhe emetimin e pullave fiskale. Fakti që kemi dy koncesione që kanë kaluar nëpërmjet Parlamentit, a i kanë bërë përfitimet më të mira për qytetarët?”, pyeti Eduard Shalsi.

Por Petrit Vasili u kujtoi socialistëve se, kur ishin në opozitë, ata kanë pasur të njëjtin shqetësim.

“Deputetë të opozitës së djeshme kanë kritikuar me shumë të drejtë mazhorancën e kaluar se, përse një pjesë e mirë e koncesioneve nuk vinin në Parlament. Kjo kritikë e bërë dje merr një përgjigje sot”, tha Petrit Vasili.

Veç përfshirjes së Parlamentit, drafti kërkon që çdo koncesion të marrë paraprakisht miratimin e Ministrisë së Financave dhe Avokatit të Shtetit. Sipas Vasilit, kjo i bën kontratat më transparente.

“Na pëlqen apo jo neve, se kryeçështje e debatit politik në politikën e një vendi janë koncesionet, kjo ndodh vetëm në Shqipëri. Kontrolloni po të doni politikën e të gjithë vendeve fqinje dhe, në rast se gjeni që çështje themelore e që merr rreth 90% të kohës politike janë koncesionet më thoni. Nuk do të gjeni as në Ballkan dhe asgjëkundi. Atëherë kjo çështje kërkon një përgjigje”, tha më tej Vasili.

Përveçse një nga çështjet më të nxehta të debatit politik, koncesionet janë identifikuar nga FMN, si një burim risqesh potenciale për ekonominë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button