Home / Arte / Teater / Ikja e bukur e Tomaž Pandur

Ikja e bukur e Tomaž Pandur

Ndahet nga jeta në moshën 51-vjeçare regjisori slloven, Tomaž Pandur, teksa përgatitej të ngjiste në skenën e Teatrit të Shkupit “Mbretin Lir”

Laert Vasili: Ai ishte mentori im në teatër, bota humbi një ndër regjisorët më të mirë

Tomaž Pandur, një nga emrat më të njohur të teatrit europian nuk është më. Ai u nda nga jeta dy ditë më parë, ndërsa ishte duke realizuar provën e fundit të tragjedisë “Mbreti Lir” që do të ngjiste në skenën e Teatrit të Shkupit. “Ai vdiq bukur, ashtu si çdo artist do ta ëndërronte”, thotë aktori dhe regjisori shqiptar, Laert Vasili, duke përsëritur shprehjen që “ëndrra e çdo artisti është të vdesë në skenë”. Vasili kujton takimin me të tetë vite më parë në Festivalin MESSSarajevo ku ishte i ftuar të përfaqësonte në atë kohë Greqinë si dramaturg e regjisor me veprën “Një në dhjetë vepra”. Gati 20 vjet pasi Tomaz Pandur ishte vlerësuar me çmimin si regjisori më i mirë i ri i këtij festivali, për të pasur më pas një karrierë të suksesshme si regjisor në skena ndërkombëtare, një regjisor i ri shqiptar vlerësohej me këtë çmim. Ai ishte Laert Vasili, i cili mori çmimin “Mess Future Prize 2008”. “Ishte ky moment i çmimit të cilin ai e kishte marrë kohë përpara meje që na bëri të ndanim bashkë një bisedë të shkurtër mbi teatrin dhe festivalin”, thotë Vasili. Ata do të takoheshin sërish disa vite më parë në Greqi, ku Tomaž Pandur ndodhej aty për të ngjitur në skenë sërish tragjedinë e Shekspirit “Mbreti Lir”. “Mbreti interpretohej nga miku im me të cilin kam bashkëpunime George Kimulis, përmes të cilit pata mundësinë të takohesha dhe të ndaja biseda të gjata me Tomaž Pandur”, kujton Vasili. Për aktorin shqiptar, ndarja nga jeta e Tomaž Pandur është një humbje e madhe për Teatrin Europian. “Është një ndër regjisorët më të mirë në botë. Është një humbje e madhe për teatrin dhe pse me karrierën e tij, ai kishte arritur të merrte të gjitha çmimet e rëndësishme mbi teatrin. Tomaž Pandur ka qenë një ndër mentorët e mi në teatër, një njeri i cili më ka frymëzuar me punën e tij. Tre janë regjisorët prej të cilëve jam ndikuar Tomaž Pandur, Teo Terzopoulos dhe Robert Wilson”, thotë Vasili. “Mbreti Lir” tragjedia me pesë akte e Shekspirit, e cila përshkohet nga pesimizmi dhe nihilizmi ishte një ndër pjesët e preferuara të Pandur, të cilën e kishte ngjitur në skena të njohura botërore. Gjuha e Shekspirit, sipas tij, ishte ajo përmes së cilës mund t’i flitet ende kohës dhe të na bëjë të reflektojmë. Pandur lindi më 19 shkurt 1963 në Maribor, Jugosllavi dhe do të ishte një ndër studentët e shkëlqyer e Maribor Grammar School. Menjëherë pas studimeve më 1988 ai do të themelonte grupin teatror “Tespisov voz”. Më 1989, ai ishte drejtor artistik i Teatrit Kombëtar slloven dhe gjatë kësaj periudhe ngjiti në skenë Hamletin, Faustin apo Karmen për t’u evidentuar si një nga artistët më bashkëkohorë sllovenë. Pandur do ta linte Slloveninë për një periudhë kohe, për të jetuar në SHBA dhe do të kthehej sërish më 1990-n. Vitet e fundit, ai jetonte dhe punonte në Madrid, Spanjë. Regjisor i shumë veprave skenike si Sheherazade, Lufta dhe Paqja, Komedia Hyjnore, Medea, Fausti, Babilonia, Mbreti Lir, Utopia etj., ai gjeti Përrallën dhe Mistiken, si tokë e sigurt për rrëfimin. Zjarri, Toka, Uji janë kryqëzimet mahnitëse vertikale dhe horizontale të mjeshtërisë së tij skenike; Enciklopedia e ëndrrave, labirinti, kryqi, vdekja – mbeten QASJA e autorit me teatrin. Teatri i tij krijoi simbolet e lartpërmendura që paraqesin bazën e universit, ata gjithashtu pasqyrojnë karakteristikat themelore të njeriut, pjesë e këtij universi; Pandur kërkoi të gjente përvojën mistike të universit, thellë brenda vetes, përshkroi krijimin për të çliruar veten nga të gjitha shtresat e udhëtimit civilizues. “Nëse Bota është ndërthurje e të gjitha botëve, njeriu, me peshën e përvojës së historisë njerëzore është pjesë e tyre, atëherë është e natyrshme që ai përpiqet për të kuptuar universin nga vetja dhe përmes vetes. Për Pandur, teatri ishte çelësi për këtë kuptim universal. S’u takuam asnjëherë. Në qytetet ku mund të ishim gjetur përmes teatrit, thjesht nuk u kryqëzuam”, do të shkruante për të Milena Selimi. Mijëra fansa të teatrit kanë shprehur ngushëllime në faqet e tij në “Facebook”. Me një buzëqeshje të lehtë Tomaž Pandur na shfaqet në foto, teksa është i gjithi i përqendruar te skena që e deshi aq fort, përmes së cilës zgjodhi dhe të shkojë…

Leave a Reply

Your email address will not be published.