Home / Arte / Libri / Librat e rinj

Librat e rinj

Martin Amis
Shtëpia e takimeve

Përktheu: Fari Laçka
Zhanri: Roman

Botimet: “Saras”
Libri flet për historinë e pazakontë të dy vëllezërve të cilët bien në dashuri me të njëjtën grua. Një “trekëndësh dashurie” siç e quan autori që në fillim. Dilema është: Kë do të zgjedhë Zoja, një femër e bukur hebreje, vëllain e madh, ish-partizan, i pashëm, i fuqishëm, me emër apo vëllain tjetër Leon, më të vogël në moshë, thatanik, i shëmtuar dhe pa asnjë përvojë?
Një roman për sistemet totalitare dhe atë çfarë ka mbetur nga ajo periudhë në ish-vendet komuniste, shkruar nga një prej penave më të mprehta të shekullit XXI, Martin Amis. Ky është romani i dytë i autorit në gjuhën shqipe pas “Treni i natës”.

Jan-Philipp Sendker

Në gjurmët e një përralle

Përktheu: Afrim Koçi
Zhanri: Roman
Botimet: “Pegi”

Një avokate e re, e bija e një bukurosheje amerikane dhe e një avokati të famshëm, rreket të gjejë babanë e saj me origjinë birmane, i cili është zhdukur pa lënë gjurmë katër vjet më parë. Ajo ka lexuar një letër dashurie të tij, drejtuar një gruaje të panjohur dhe tani është në kërkim të shpjegimeve të duhura. Ndërkohë që kërkon shpagim, befasisht dhe gradualisht do të njihet me një fëmijëri të vuajtur, përtej asaj që mund të përfytyronte, me një durim të rrallë e me aftësi të pabesueshme të të atit, e mbi të gjitha me një
dashuri të dëlirë e të sinqertë, si ato që mund të lindin vetëm mes njerëzve që nuk kanë asgjë për të humbur.

John Grisham
Apelimi
Shqipëroi: Artan Meçi
Botimet: “Dudaj”

Në Misisipi, në një sallë gjyqi të mbushur plot e përplot, juria merr një vendim tronditës kundër një kompanie kimike, që akuzohet për derdhjen e mbeturinave toksike në rrjetin e furnizimit me ujë të një qyteti të vogël, çka shkakton përqendrimin kanceroz më të madh në histori. Kompania apelon në Gjykatën e Lartë të Misisipit. Nëntë gjykatësit e saj mund ta miratojnë ose ta anulojnë atë.
Cilët janë të nëntët? Si do të votojnë ata? A mund të zëvendësohet ndonjëri, para se çështja të vendoset përfundimisht? Kompania kimike është pronë e një grabitqari në ‘Wall Street’, që quhet Karl Trudo. Dhe zoti Trudo është i bindur se gjykata nuk është në anën e tij. Duke qenë përpara zgjedhjeve të gjyqësorit, ai vendos të blejë një post në gjykatë. Përmes një rrjeti të ndërlikuar komploti dhe mashtrimi, agjentët e tij rekrutojnë një kandidat të besuar. “Apelimi” është një histori e fuqishme dhe tronditëse e kohës sonë, që tregon për intrigën politike dhe juridike.

Chiara Gamberale
Dritat në shtëpitë e të tjerëve
Shqipëroi: Beti Njuma
Botimet: “Pegi”

Maria, administratorja e një pallati të vogël e të zakonshëm, humb jetën në një aksident. Ajo lë pas një vajzë të vogël, Mandorlën, dhe një letër, në të cilën rrëfen se i ati i vajzës jeton në ndërtesën që administron ajo. Të gjithë burrat e ndërtesës janë në akuzë, por askush nuk pranon të jetë babai i vajzës dhe as t’i nënshtrohet testit të ADN – së. Për pasojë, familjet e pallatit vendosin ta rrisin vajzën së bashku, me radhë. Kështu, Mandorla do të rritet me shumë prindër dhe do të udhëtojë nga zhgënjimet e para të fëmijërisë deri te dashuritë e adoleshencës. Falë saj, lexuesi do të hedhë një sy pas perdeve të këtyre shtëpive dhe do të zbulojë se familja përmban një alkimi të papërcaktueshme elementesh: ata që e kanë, rrezikojnë ta shkatërrojnë; ata që s’e kanë, e shohin si të vetmen rrugë drejt lumturisë.

Harper Lee
Shko, vër një rojë

Shqipëroi: Oriana Tamburi
Botimet: “Omsca – 1”

Doli në qarkullim nëpër libraritë e vendit romani “Shko, vër një rojë” (Go Set a Watchman), i autores së njohur amerikane Harper Lee, botim që njohu një sukses të jashtëzakonshëm si dhe romani i saj i parë, i cili kishte mbetur i pabotuar deri më sot, se mendohej se origjinali i shkruar kohë më parë me makinë shkrimi kishte humbur. Harper Lee lindi në vitin 1926 në Monrovilë të Alabamës. Ajo është e njohur në vendin tonë me romanin e saj të famshëm e ndër më të lexuarit në botë “Të vrasësh zogun përqeshës” (To Kill a Mockingbird), një nga romanet më të dashur për lexuesin amerikan, që e vulosi emrin e saj në historinë e letërsisë botërore dhe është nderuar me çmimin prestigjioz “Pulitzer”, me Medaljen e Lirisë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe me shumë çmime e vlerësime të tjera letrare. Harper Lee vdiq në gjumë, në mëngjesin e 19 shkurtit, në moshën 89- vjeçare.

Leave a Reply

%d bloggers like this: