Parlamentare

Reforma territoriale, Çuçi: I jep fund katrahurës në pushtetin vendor

 bledi-cuci-320x222Kuvendi i Shqipërisë ka nisur diskutimin e projektit për reformën territoriale, që propozon ndarjen e re administrative të vendit në 61 bashki. Në hapje të debatit, ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi tha se reforma i jep fund katrahurës së deritanishme në pushtetin vendor, i organizuar në 373 njësi.
Kjo reformë, është ndër të paktat reforma shtetformuese nga e cila përfitojnë të gjithë qytetarët, pavarësisht vendit ku ata banojnë. Krijimi i njësive më të mëdha vendore, tha ministri Çuçi, do të ofrojë shërbime publike më të efektshme dhe me kosto më të ulëta, ndërsa vetë njësitë do të mbledhin më shumë të ardhura dhe do të kenë më shumë burime financiare për t’i çuar në investime.
Ministri tha se përllogaritjet e ekspertëve konstatojnë se krijimi i njësive më të mëdha vendore do të sjellë një përfitim nga 3-6 miliardë lekë për shkak të menazhimit efikas të shpenzimeve për personelin dhe atyre operative.
Çuçi e konsideroi reformën e re një hap strategjik në punën e qeverisë që do t’i japë frymëmarrje të re zhvillimit ekonomik e shoqëror në Shqipëri.
Para nisjes së debatit për pr/ligjin e ndarjes së re administrative mësohet se në parlament janë depozituar tre amendamente, të propozuara nga deputeti i PS-së, Andrea Marto, nga grupi i PDIU-së, dhe nga deputeti i PBDNJ-së, Vangjel Dule, nënkryetar i Kuvendit.
Amendamenti i deputetit Marto propozon që fshatrat Kardhikaq, Pecë dhe Muzinë t’i bashkohen Bashkisë Livadhja . Amendamenti i PDIU-së propozon që fshatrat Vagalat, Sopik dhe Pandelejmon t’i kalojnë Bashkisë Livadhja, ndërsa amendamenti i deputetit Dule propozon që bashkia Himarë të mos bashkohet me Vranishtin.
Ndërkohë, seanca po vijon me diskutimin e deputetit të Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, përfaqësues i opozitës, e cila prej tre javësh vijon të bojkotojë punimet e Kuvendit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button