Home / Parlamentare / Azilantët në Holandë ikin nga Gjermania. Topalli: Vendi, në mjerim. Protesta

Azilantët në Holandë ikin nga Gjermania. Topalli: Vendi, në mjerim. Protesta

Arta Dade, kryetare e Komisionit parlamentar për Punët e Jashtme, shtimin e numrit të azilkërkuesve shqiptarë në Mbretërinë e Holandës e shikon si një çështje që duhet adresuar urgjentisht.

Në dëgjesën e posaçme në këtë komision, zëvendësministri i Jashtëm, Halil Hyseni tha se rritja e numrit të azilkërkuesve shqiptarë ka ardhur “sepse ka rënë numri i azilkërkuesve të tjerë sirianë, somalezë, eritreanë e afganë pas mbylljes së kufirit në Greqi”.

“Rreth 1.500 shqiptarë kanë aplikuar për azil deri në shkurt të 2016-s. Midis tyre ka persona që kanë ardhur nga Shqipëria, ashtu siç ka edhe persona që kanë ardhur nga vende të tjera të Europës, ku mund, ose nuk mund të kenë aplikuar për azil. Për këtë arsye, 800 raste – nga totali prej 1.500 azilkërkime – janë klasifikuar për t’u proceduar sipas Rregullit të Dublinit, pra një tjetër vend europian është përgjegjës”, tha Halil Hyseni.

Sipas Stefan Çipës, zëvendësministër i Brendshëm, shtimi i numrit të azilkërkuesve në Holandë vjen në një kohë kur mundësitë për azil në Gjermani janë zero. Por, anëtarja e këtij komisioni, Jozefina Topalli, këtë çështje e lidh me situatën në të cilën ndodhet Shqipëria.

“Informacioni i fundit që vjen nga Holanda është vetëm shprehje e një realiteti që bërtet këtu në Shqipëri. Ky vend ka marrë fund. Për të mos shkuar në fund të greminës, drejt së cilës po vrapojmë, duhet një zgjidhje e menjëhershme. Rruga është kombinimi i protestave në çdo qytet me betejën parlamentare për çështje kaq madhore”, tha deputetja demokrate, Jozefina Topalli.

Leave a Reply

%d bloggers like this: