Home / Parlamentare / Thirrja për armatosje, Blushi: Berisha e ka bërë një herë në ’97

Thirrja për armatosje, Blushi: Berisha e ka bërë një herë në ’97

Deputeti socialist, Ben Blushi në fjalën e tij nga foltorja e kuvendit e cilësoi fatale dhe deklaratën e ish-kryeministrit Sali Berisha i cili iu bëri thirrje qytetarëve që të armatoseshin për t’u mbrojtur nga qeveria kriminale.

Sipas Blushit, një deklaratë e tillë e bërë jo nga një njëri i zakonshëm, por nga një ish-kryeministër e ish-president që e ka bërë një herë këtë gjë në vitin ‘97 dhe të gjithë i dinë pasojat, është katastrofale, ndaj ka kërkuar nga Berisha ta tërheqë deklaratën, ndërsa grupi i PD sipas tij duhet të heqë dorë nga arnimet e kësaj deklarate që sipas tij vetëm sa e përkeqësojnë këtë deklaratë. Blushi ka ftuar PD që nëse ka dëshirë, ta fusë në programin e vet vitin tjetër në fushatën zgjedhore ligjin e armëve.

“Sot si qytetar i këtij vendi ndihem i kërcënuar. U bë sot një deklaratë e papranueshme që e tha një ish-president. Unë kam shumë arsye për të qenë kundër kësaj qeverie, por t’u thuash shqiptarëve merrni armën për t’u vetëmbrojtur dhe këtë nuk e tha kushdo, e tha një njeriu që e  ka bërë një herë në ’97 dhe të gjithë i dimë pasojat e kësaj. Ju për të mbrojtur Saliun, thoni gjithçka, Jozefina u çua ta rregullojë fjalën e Saliut, që ta bëjmë armatosjen si Amerika, me ligj,

Kjo është edhe më keq. Atje po e reduktojnë ky është një debat që nuk bëhet në asnjë vend të Europës, kjo është një marrëzi që duhet të marrë fund. Shullazi nuk e justifikon atë që tha Saliu. Banda në Shqipëri do ketë gjithmonë, kjo nuk do të thotë që secili të krijojë një bandë në Shqipëri. Ajo që keni bërë sot është fatale, është katastrofë, dilni në fushatë vitin tjetër dhe bëni fushatë për ligjin e armëve. S’mund të armatosni gjithë popullin se jeni kundër Saimir Tahirit”, tha Blushi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.