Teknologji

Presidenti kinez propozon zgjerimin e internetit, por…

Interneti kinez ka censuruar planin e presidentit Xi Jinping për një “internet më të lirë”. Bëhet fjalë për paradoksin e fundit të Pekinit, pushteti i partisë-shtet që pengon vetëveten.

Apeli i “Maos së ri” për një tolerancë më të madhe ndaj kritikave online kishte ardhur si surprizë, gjatë një forumi mbi sigurinë informatike.

“Duhet më shumë durim dhe më shumë tolerancë për përdoruesit e internetit dhe nëse synimet janë të mira, funksionarët duhet t’i shqyrtojnë kritikat e vlefshme me vëmendje”, tha Xi.

Ai u shpreh se, shteti dhe partia duhet t’i studiojnë me kujdes konstatimet që vijnë nga interneti, edhe pse ato në disa raste mund të jenë të ashpra.

Ishte një apel i paprecedentë në Kinë, ku interneti mbetet politikisht i censuruar, ku rrjetet sociale të huaja janë të paaksesueshme dhe ku kritika më e vogël ndaj autoriteteve çon në arrestimin e autorit.

Hapja e liderit kinez ishte e papritur, aq sa dhe mediat e kontrolluara nga qeveria, të kapura në befasi e pëprcollën lajmin pa i bërë komente.

Por sqarimet nuk vonuan të vinin, duke konfirmuar paradoksin kinez të një autoritarizëmi të trembur edhe nga vetëvetja.

Mediat shtetërore, pak orë nga njoftimi i madh i presidentit Xi, u nxituan të bllokonin të gjitha komentet që përdoruesit përpiqeshin të postonin si reagim ndaj fjalimit të kreut të shtetit.

Agjencia zyrtare “Xinhua” mbylli seksionin e komenteve me njoftimin “ky seksion është i bllokuar për mesazhet”, ndërsa censura ra edhe mbi rrjetet sociale dhe televizionin shtetëror CCTV dhe agjencitë “Sina News” e “China News”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button