Politika

Basha, në Mirditë: Zgjedhjet e ardhshme, nën monitorim të rreptë ndërkombëtar

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar takime me banorë të disa fshatrave të zonës së Mirditës, si Fan, Kthellë dhe Rubik, ku është njohur kryesisht me problemet me të cilat përballen ata.

Por, ndërsa ka shprehur shqetësimin për situatën e rendit në vend, ku biznesi kërcënohet me armë nga banditë të lidhur me ministrin e  Brendshëm, Basha tha se zgjidhja janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, e për këtë shtoi se ato parlamentare të 2017-s do të jenë nën mbikëqyrjen më të rreptë ndërkombëtare, që prej vitit 1991.

“Zgjedhjet e ardhshme do të jenë nën mbikëqyrjen më të rreptë ndërkombëtare që prej vitit 1991, sepse bota e ka kuptuar se çfarë oligarkësh janë këta dhe se, shpresën e fundit e kanë për të vjedhur zgjedhjet. Si mund të hapen vende pune kur biznesi, i cili kërkon kushte të favorshme për të investuar, i rritet me 50 për qind taksa apo kërcënohet nga banditët e nga Shullazët, me gjoba e me tritol?! Si mund të hapen vende pune, kur krimi dhe njeriu që është ngarkuar me Kushtetutë të luftojë krimin janë bërë një, e nuk dallohet ku mbaron krimi e ku fillon ministri i Brendshëm? Ndaj, së bashku me partnerët tanë do të marrim të gjitha masat, që këta të mos i prekin zgjedhjet”, është shprehur Basha.

Ndër problemet më kryesore me të cilat përballen banorë të kësaj zone janë varfëria, papunësia e lartë, pamundësia për të paguar energjinë, por edhe…arroganca e pushtetit. Sipas selisë blu, banorët e këtyre zonave thonë se është e pamundur të ankohesh diku për ndonjë shqetësim.

“Këta që bërtasin shtet-shtet-shtet, shtetin e paskan për Emilianon, për Koço Kokëdhimën, për bijtë e tyre që të marrin tenderat e shqiptarëve, tenderat e OSHEE-së, hekurudhën e shqiptarëve, të mbajnë syze 60 mijë euroshe, aq sa ç’është ndihma ekonomike në muaj për Mirditën. Ku qenka shteti këtu? Një shtet ku OSHEE-ja, vetëm në një vit ka abuzuar me fondet, me taksat, me tarifat që iu merr shqiptarëve, në vlerën e 21 milionë dollarëve. Shteti ku, vitin e kaluar, vetëm për karburant për makinat e shtetit janë abuzuar 34 milionë dollarë. Imagjinoni se çfarë shifrash bëhet fjalë, sa për të ngritur pensionet e të gjithë Shqipërisë”, është shprehur Lulzim Basha.

Gjatë vizitës së tij, kryetari i Partisë Demokratike është ndalur edhe në Qendrën Ditore të ngritur nga motrat misionare për t’u shërbyer fëmijëve të zonës, si dhe në disa familje të persekutuara nga ish-regjimi komunist, por edhe të të larguarve nga puna. Mes të tjerash, banorët i kanë rrëfyer Bashës se, qeveria nuk po mban premtimin për të përndjekurit, por po i përndjek dhe i përsekuton ata edhe sot, duke i larguar nga puna dhe duke i lënë në mes të rrugëve. Më tej, Basha ka shpalosur edhe platformën për bujqësinë gjatë takimit me fermerët e zonës së Kthellës, ndërkohë që në Rubik, kreu i opozitës u ndesh me shqetësimin e qytetarëve për ilaçet e skaduara dhe burgosjen për një kasolle të ndërtuar për bagëtinë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button