Home / Kronika / Prokuroria e Shqipërisë dhe e Belgjikës: Bashkëpunim i ngushtë për të mbrojtur vlerat universale

Prokuroria e Shqipërisë dhe e Belgjikës: Bashkëpunim i ngushtë për të mbrojtur vlerat universale

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe Prokurori Federal i Belgjikës, Frederic Van Leeuw shprehën të njëjtin qëndrim gjatë takimit të zhvilluar të martën në Tiranë, se “aktet barbare që tronditën Brukselin dhe mbarë botën e qytetëruar pak kohë më parë, nxisin të gjithë institucionet e sigurisë të forcojnë bashkëpunimin për të parandaluar disa anonimë që synojnë të godasin vlerat universal”.

Prokurori Federal i Mbretërisë së Belgjikës, i cili po zhvillon takim zyrtar në Prokurorinë e Përgjithshme të Shqipërisë, vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me institucionet e vendit tonë, si për sa i përket koordinimit për luftën kundër terrorizmit, gjithashtu edhe për hetimin e krimit të organizuar. Llalla, duke folur lidhur me ekstremizmin fetar, garantoi homologun e tij se “vendi ynë do të vijojë të jetë aleat i Belgjikës dhe i kujtdo tjetër që ka si objektiv primar ruajtjen dhe forcimin e sigurisë për çdo njeri, pavarësisht etnisë dhe besimit fetar”.

Krahas masave të përbashkëta për përballimin e terrorizmit të çdo natyre, dy drejtuesit e Prokurorive u fokusuan në bisedën e tyre edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe bandave kriminale. Ndërmjet Shqipërisë dhe Belgjikës ka një bashkëpunim shumë pozitiv sa i përket evidentimit, hetimit dhe zbulimit të shtetasve shqiptarë dhe belgë, të përfshirë në veprimtari kriminale.

Grupe të ndryshme shqiptarësh, të cilët veprojnë në paligjshmëri në Belgjikë, kanë qenë dhe vijojnë të jenë pjesë e koordinimit ndërshtetëror për vënien e tyre para drejtësisë. Nga ana tjetër, në Shqipëri janë zhvilluar hetime edhe për disa shtetas belg, të cilët tentojnë të shfrytëzojnë vendin tonë për pastrimin e parave të prejardhura nga aktivitetet kriminale.

Në vijim të takimit zyrtar, stafet që shoqëronin dy Prokurorët e Përgjithshëm diskutuan edhe për çështje konkrete me interes të përbashkët. Pas atentateve terroriste të ndodhura pak muaj më parë në Paris dhe në Bruksel, Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë, krahas bashkëpunimit me strukturat ligjzbatuese vendase, ka intensifikuar ndjeshëm kontaktet me zyrat homologe, me qëllim koordinimin në kohë reale dhe përballimin e kësaj sfide ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published.