Home / Politika / Nishani në Bruksel takon Tusk: Zbatimi i reformave, me rëndësi në rrugën drejt BE-së

Nishani në Bruksel takon Tusk: Zbatimi i reformave, me rëndësi në rrugën drejt BE-së

Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk, pas takimit në Bruksel me Presidentin Bujar Nishani, theksoi se zbatimi i reformave, sidomos asaj në drejtësi, dhe dialogu mes forcave politike janë të rëndësishme për Shqipërinë në realizimin e ambicjes së saj për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Është e rëndësishme të theksojmë sërish zbatimin e reformave, disa prej të cilave ende presin që të zbatohen.
Shqipëria ka ndërmarrë reforma, por më e rëndësishme është zbatimi i tyre dhe dialogu politik mes partive. Kjo është kryesore për arritjen e ambicjes europiane”, theksoi Tusk gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin Nishani.

“Reforma në gjyqësor, sikurse është theksuar është mjaft e rëndësishme, por edhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Do të vazhdojmë bashkëpunimin me Shqipërinë edhe në kuadër të NATO-s, ku Shqipëria është anëtare”, tha Tusk.

Presidenti Nishani nga ana e tij duke falenderuar Presidentin e Këshillit të Europës për mbështetjen që BE i ka dhënë Shqipërisë në zhvillimin ekonomik të saj, shprehu angazhimin e palës shqiptare për të përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara nga BE.

“E informova Presidentin Tusk për angazhimin tim në përmbushjen e standardeve të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pronës. Po ashtu, e sigurova se Shqipëria është e angazhuar të vazhdojë politikën e saj të konsolidimit të marrëdhënieve me vendet fqinjë”, u shpreh Presidenti Nishani gjate konferencës per shtyp.

Leave a Reply

Your email address will not be published.