Home / Kronika / Sociale / Rama: Ja arsyet stadiumit me kullë

Rama: Ja arsyet stadiumit me kullë

Në një dëgjesë publike për “Arenën Kombëtare”, Kryeministri Edi Rama mbrojti projektin për stadiumin e ri, duke dhënë për këtë disa arsye. Ai e quajti të pakuptimtë debatin e nisur për kullën e tij.

“Stadiumet me kullë nuk janë shpikje e kësaj kohe dhe nuk është shpikje e arkitektëve italianë. Do të isha i lumtur sikur të bënim ne të parën kullë, pavarësisht gjithë baltës dhe keqkuptimeve. Por nuk është e para. Kullat dhe stadiumi kanë bashkëjetuar qysh në vitet e para të shekullit të kaluar. Mjafton të shohësh “Olimpia Stadion”, stadiumin aktual të Firences me kullën e vjetër të ndërtuar para Luftës së Dytë Botërore, plot e plot stadiumeetë gjeneratës së fundit që kanë kullën si element”, u shpreh Rama.

Së dyti, sipas kryeministrit, kulla është kërkuar me ngulm nga arkitekti dhe studioja.

“Kulla është një element i kërkuar me këmbëngulje nga arkitekti dhe studioja si elementi ikonik i projektit të stadiumit të ri që reflekton qoftë kulturalisht raportin e arkitektit me traditën në tërësi dhe me ansamblin në fjalë në veçanti dhe i jep stadiumit një shenjë domethënëse dhe tërheqëse si pjesë të veten”, u shpreh ai.

Së fundmi, por jo më pak të rëndësishme, Rama renditi financimin.

“Stadiumi sot vlerësohet 50 mln euro dhe punimet me siguri mund të kërkojnë edhe financim shtesë. Nga kush i prisni ju që të ndërtojë stadiumin?! Nga qeveria?! Buxheti?! Asnjëherë! E pamundur! Nga federata? E pamundur. E vetmja mundësi është ajo që i drejtohen qeveri shumë më të pasura se e jona, partneriteti publik privat”, u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi se projekti ka marrë vlerësimin maksimal nga UEFA dhe foli për një bisedë me përfaqësuesin e qeverisë së futbollit europian, i pranishëm në ceremoninë e prezantimit të projektit.

“Një përfaqësues i lartë i saj ishte në prezantim dhe dha vlerësimin maksimal të projektit. Ai më pyeste vazhdimisht; A jeni të sigurtë që mund ta realizoni? Se ky është një nga stadiumet më të bukura të botës”, rrefeu Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published.