Home / Arte / Ekspozita / Misteri nën kapelat e femrave të Marubit

Misteri nën kapelat e femrave të Marubit

Ekspozita “499 965 Familja Marubi”, Pionierët e fotografisë shqiptare”, hapur në galerinë Irrgang në Berlin pritet mirë nga vizitorët gjermanë

Jutta Benzenberg: Doja të tregoja Shqipërinë përmes portreteve të njerëzve

Në fytyrën e saj mund të ndiesh dëshirat. Flokët e shkurtër dhe ca lule nën kapelën plot elegancë. Në supe dallohet fustani i lehtë i purpurt. Jutta Benzenberg veçon portretin e kësaj gruaje të re në morinë e fotove të Marubëve që prej dy javësh vazhdojnë të befasojnë publikun gjerman në galerinë Irrgang në Berlin. Si fotografe ajo vazhdon të tërhiqet nga portretet njerëzore, e bindur se në fytyrë mund të lexosh gjithçka. Kjo ndihet dhe në sytë gjysmë të mbyllur të vajzës që ka pozuar për Marubin. “499 965” Familja Marubi, Pionierët e fotografisë shqiptare, quhej ekspozita e cila u hap në Berlin në mbështetje nga Ambasada shqiptare në Berlin dhe Ministrisë së Kulturës në bashkëpunim me fototekën Marubi nën kurimin e Jutta Benzenberg, dhe Christophe Gateau. “Ti mund ta njohësh më mirë një vend përmes portreteve të njerëzve. Një grua e tillë ngjason si një grua që mund të ishte fotografuar kudo në Europën e atyre viteve”, thotë Jutta. Bri bashkëshortit dhe vajzës së vogël një tjetër grua shqiptare të befason me portretin e brishtë dhe çadrën në dorë. Fustani i saj i gjatë elegant dhe flokët e shkurtër nën kapele ia nxjerrin më në pah vështrimin. “Shikoje fytyrën e bukur të kësaj gruajeje”, thotë Jutta e cila është e dashuruar me gjithë fotot e Marubëve. Një foto e Kel Marubit fotografuar nga Pjetër Marubi, tregon elegancën e fotografëve që kishin ngritur dinastinë e tyre në Ballkan. Me një këmishë të bardhë gjysmë i zhveshur, Kel Marubi është vetëm një djalosh në këtë foto, teksa përpiqet të zbulojë në studio artin e fotografisë. Marubët të befasojnë me forcën që u japin syve në fotografi. Portreti i një burri të moshuar, të bën të ndalesh gjatë në blunë e thellë të vështrimit, që ngjason me atë të një fëmije. Marubët për Juttën janë plot histori, që i zbulon foto pas fotoje. “Ekspozita pati shumë sukses. Më shumë se 100 njerëz kanë hyrë në galeri dhe pjesa më e madhe ishin të rinj. Kam punuar shumë me fotografitë, por kam zgjedhur fotografi nga fototeka “Marubi” që nuk ishin shumë të njohura. Nuk doja të tregoja imazhe të veshjeve tradicionale apo luftëtarëve nga veriu, por doja të tregojnë bukurinë e shqiptarëve. Pjesa më e madhe e gjermanëve nuk dinin shumë për shqiptarët dhe kanë mbetur të befasuar nga kjo përzgjedhje”, thotë Jutta. Ajo mund të flasë gjatë për çdo fotografi që ka zgjedhur për të ekspozuar, duke u ndalur tek ekspresiviteti i fytyrës, element i marrë me kujdes prej Marubëve. Koleksioni “Marubi” u themelua në shekullin XVIII nga artisti dhe fotografi Pjetër Marubi. Ai u largua nga vendi i tij, Italia, i motivuar nga arsye politike dhe u vendos në qytetin e Shkodrës, në veri të Shqipërisë. Në vitin 1858, ai fotografoi luftëtarin e rezistencës shqiptare, Hamza Kazazi. Kjo shënon pikënisjen më të vjetër të koleksionit të fotografive të tij, që sot përmban vlera të paçmuara kulturore. Në ato vite, Pjetër Marubi themeloi studion e parë fotografike në Shqipëri dhe siguroi vazhdimësinë e saj përmes nxënësve të talentuar Kel dhe Gegë Marubi. Deri në mbylljen e arkivit më 1944 studio shënoi rreth gjysmë milioni regjistrime fotografike. Pa këtë koleksion do e kishim të vështirë të njihnim sot Shqipërinë e asaj kohe. Pjetër dhe Kel Marubi dokumentuan me detaje ngjarjet politike dhe personalitetet e asaj kohe, si për shembull trupat e lëvizjes kombëtare shqiptare Princin e shqiptarëve Wilhelm zu Wied. Po kështu, portretet pasqyrojnë jetën e borgjezisë së pasur. Të tjera fotografi dëshmojnë modën shqiptare të atyre viteve, kostumet tradicionale me ndikimet e tendencave të Europës Perëndimore. Në të njëjtën kohë, dokumentohet edhe jeta e përditshme e popullsisë malore në rajonin e Shkodrës. Të tjera foto pasqyrojnë kompozime surrealiste, duke dëshmuar kështu për eksplorimin artistik të fotografëve Marubi. Për dy kuratoret Jutta Benzenberg dhe Christophe Gateau kjo ekspozitë ishte një udhëtim në një nga koleksionet më të çmuara në Ballkan, siç është ai i Marubëve, të cilët bota duhet t’i njohë sa më shpejt.

Leave a Reply

Your email address will not be published.