Kronika

Megaskandali i karburantit, kërkohet procedim për evazion, pastrim parash

Në  fillim të marsit oficerë të Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda dhe Drejtoria për Krimin Ekonomik e Financiar i kanë sugjeruar Prokurorisë së Tiranës regjistrimin e procedimit penal për veprat penale “Mashtrimit në Kredi” ; ”Pastrimit të Produkteve të Veprës Penale apo Veprimtarisë Kriminale”; “Fshehje e të Ardhurave në bashkëpunim” për shtetas të cilët shërbejnë si administratorë të kompanive kryesore të importit dhe eksportit te naftës dhe gazit, si dhe “Shpërdorim Detyre” në bashkëpunim nga punonjësit e disa bankave kryesore dhe të tatimeve.
Tashmë në duart e prokurorëve të Tiranës janë fakte tronditëse që sugjerojnë një skemë mashtrimi qindra-miliona dollarë. Në prokurori janë tashmë emrat e disa prej biznesmeneve më të njohur të kesaj industrie në vend si dhe persona të quajtur “si të ekspozuar politikisht”.
Gjithçka duket se ka nisur në muajin shkurt të vitit 2016, kur organet policore janë vënë në dijeni nga organet ligj zbatuese në lidhje me disa transaksione të dyshimta si kredimarrje, huadhënie dhe marrëveshje ndërmjet një grupi personash duke bërë të mundur shmangjen e detyrimeve shtetërore, mashtrime në kredi, pastrimit të produkteve të veprës penale në bashkëpunim si dhe implikimin e punonjësve të disa bankave të nivelit të dytë.

***
Sipas dokumentave të disponuara në mënyrë ekskluzive nga Top Channel, rezulton se policia prej dy muajsh grumbullon prova të pakundërshtueshme për një aktivitet të disa kompanive hidrokarburesh në bashkëpunim me disa banka të nivelit të dytë, të cilat janë përfshirë në operacione të dyshimta financiare, si transaksione të dyshimta me anë të kontratave të dhurimit, shit-blerjeve të aksioneve, rritjen e vlerave të kolateraleve të vendosura si garanci për marrjen e kredive në këto banka.
Fjalëkyçi që lidh të gjitha kompanitë dhe të gjitha aktivitetet është shoqëria “ARMO”. Ky informacion konsiston në marrëdhënien midis kompanive në pronësi të shtetasve Albano Aliko, Apostol Goçi dhe Ardian Xhillari me kompanitë “GULF”, “ALPET”, “ALTINBAS Holding”, “CITY INVESTIMENT HOLDING S.A”, “A.K.F PETROLIUM”, “TEA OIL GROUP” dhe shoqërive të tjera të lidhura me grupin “ARMO”.
“Këto shoqëri kanë marrëdhënië tregtare midis tyre dhe bazë aksionare të njëjtë, adresa të njëjta, pikat e tregëtimit të karburantit, automjetet, pasuri të paluajtshme këto që në bazë të ligjit nr.9901 datë 14.05.2009 “Për shoqëritë tregtare”, pajisen me NIPT sekondar kur deklarohen si vende të ndryshme të ushtrimit të aktivitetit nga subjektet tregtare”, thotë policia.
Një prej pronarëve shfaqet edhe tek një tjetër kompani, tek shoqëria “FLLADI” me administrator Apostol Goçi, me 40 përqind, Rebani Boi 30 përqind dhe Llazi Angjeli 30 përqind. Policia ka zbuluar lidhje mes tyre dhe disa kompanive të tjera, përmes kontratave të ndërmjetme të qirave, marrjes së borxheve dhe huave në banka duke krijuar një borxh të frikshëm financiar. Për shembull, vetëm kompania “Flladi” rezulton se për vitin 2013 ka një hua prej 52 milionë lekësh të reja, ndërkohë që një tjetër kompani me emrin “MË” ka lidhur me të një kontratë sigurie aksionesh prej 165 milionë lekësh të reja.
Por sipas policisë, më 16 qershor 2015, aksionet e kompanisë, zotëruar nga një shtetas, Andi Memi, i shiten një tjetër kompanie, asaj “UNIK” administruar nga shtetasi Mitat Sulaj. Por vetë kompania “UNIK”, sipas policisë, rezulton e zhytur në borxhe. Gjatë vitit 2014, kuotat e kësaj kompanie janë me urdhër bllokimi nga zyra të ndryshme përmbarimore private. Detyrimet ndaj furnitorëve janë mbi  278 milionë lekë, huate afatgjata janë mbi 752 milionë lekë.
Sipas policisë kompanitë e mësipërme nuk kanë bërë dorëzime të bilanceve të viteve të fundit. Gjithashtu, deklarohet rënie në xhiro vjetore pas vitit 2011 dhe kanë hapur dhe mbyllur adresat sekondare pothuajse në të njëjtën periudhë kohore, ku deklarohet humbje në shtimin e aktivitetit. Referuar adresave sekondare janë të njëjta me adresat që deklaron “A.K.F Petroleum”, e themeluar më 26.09.2013.
Sipas raportit të dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës, brenda këtyre kompanive ekziston një treg informal aksionesh, transaksionesh, jashtë dhe brenda vendit. Ky system funksionon jashtë syrit të shtetit dhe brenda besimit reciprok të një grupi njerëzish që e kanë strukturuar atë, të cilët realizojnë fitimet dhe qëllimet e tyre në formën e një rrjete merimange duke njohur mjaft mirë vakuumet ligjore të tregut bankar dhe financiar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button