Teater

Në jetën e një astronome

“Qiell i heshtur”, premierë më 5 maj në Teatrin e Metropolit

Komedia romantike gjysmë biografike “Qiell i heshtur”, shkruar nga Loren Gunderson, do të jetë premiera e dytë e Qendrës Kulturore Tirana (Teatri Metropol). Vepra do të ngjitet në skenë më 5 maj, nën regjinë e Armela Demaj. Ngjarja zhvillohet kryesisht në Observatorin e Harvardit dhe skena dominohet nga prania e yjeve, pasionit të njerëzve që e duan punën dhe dashurisë së tyre për njëra-tjetrën. “Qiell i heshtur” është një ndodhi njerëzore, që i flet shoqërisë, dje dhe sot. Është një vepër, e cila flet për marrëdhëniet familjare, besimin në fuqinë e mendjes dhe shpirtit, mbështetjen dhe solidaritetin, këmbënguljen për të kërkuar dritë në thellësitë e pandriçuara dhe mënyra shprehëse të reja, me qëllim një pamje më të qartë dhe kontribut në begatinë e njeriut. Kjo premierë vjen si një vlerësim për kontributin e këtyre grave që bën histori në botë. Në role interpretojnë: Nigela Ruka, Sonila Kapedani, Redjan Mulla, Jonida Beqo, Veriana Abazaj. Regjisorja Demaj prej kohësh ka nisur punën për të vendosur në skenë këtë komedi, e cila është frymëzuar nga jeta e astronomes Henrieta Leavit, një nga astronomet e para në Harvard. Një grua e re dhe pasionante, së cilës i duhet të përballet me një shoqëri të pamësuar me gra të forta, në një botë të dominuar nga burrat. E gjithë shfaqja do të luhet në skenë nga katër personazhe. Ato janë Henrieta Leavi rreth të 30-ave, matematikane, e zgjuar, e vëmendshme pas detajeve, mban gjithnjë në vesh një aparat që ndihmon dëgjimin. Margarita Leavi, shtëpiake, e dashur, pianiste/kompozitore, motra e madhe e Henrietës. Piter Shau, përgjegjës i sektorit të intershipit të astronomeve. I diplomuar për Astronomi, por i pasionuar pas arteve të bukura. I ndjeshëm, i ndrojtur. Eni Kanon, drejtuese, këmbëngulëse dhe me vetëbesim, aktiviste e të drejtave të gruas. Amina Fleming me zgjuarsi të natyrshme dhe humor të hollë, me origjinë skoceze. Henrieta Leavi, është një nga astronomet e para gra në Harvard në vitet 1900-1924. Ajo, së bashku me dy gra të tjera, po bëjnë për herë të parë hartën e yjeve në univers; punojnë për të identifikuar dhe kataloguar yjet. Puna e saj vuri themelin astronomik të matjes së distancës së dritës në univers dhe provoi se universi nuk ishte thjesht galaktika Udha e Qumështit, siç supozohej deri në atë kohë. Kjo vepër është premiera e dytë në Teatrin e Metropolit pas veprës “Rashomon”, nën regjinë e Jonida Beqos, që u ngjit në skenë pak javë më parë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button