Opinion

Arkivat Britanike: Si u vra Ali Pashë Tepelena, kush ja nguli kamën fatale?

Auron Tare / Bejtullah Destani

Për disa javë me rradhë kemi diskutuar për gjetjen e një dokumenti të shkurtër por shumë i rëndësishëm në epilogun e jetës së Ali Pashës. Ky dokument FO195/34 i ruajtur në Arkivin e Ministrisë së Jashtme Britanike hedh dritë mbi disa fakte të panjohura deri më sot mbi njerëzit që komplotuan në vrasjen e Ali Pashës. Letra e Ambasadorit Britanik në Stamboll është e një rëndësie të jashtëzakonshme pasi hedh dritë mbi çastet e fundit të jetës së Vezirit shqiptar.

Ali Pashë Tepelena, një prej personaliteteve më të rëndësishme të historisë shqiptare ka tërhequr gjithmonë vëmendjen e studiuesve mbi veçoritë e spikatura të periudhës së sundimit të tij. Përplasjet e tij me Portën e Lartë kanë qenë subjekt i një sërë veprash të historianëve europiane, greke apo otomane. E ndërsa veprat e konsullit francez Pouqueville (Pukëvil) dhe ai britanik Leak (Lik), bashkëkohës të Aliut, janë të njohura gjerësisht, një numër veprash me burime orientale ende presin për t’u njohur nga studiuesit tanë.

Ndërkohë historiografia turke për një kohë të gjatë ka theksuar si një prej arsyeve të zemërimit të Portës së Lartë ndaj Ali Pashës,ishte  bashkëpunimi i tij me rebelët grekë të cilët po përgatisnin kryengritjen e tyre në 1821. Në një sërë veprash, autorët turq kanë përshkruar shkaqet e rënies së Aliut jo vetëm sjellja e pavarur e Pashait shqiptar, por edhe ambicjen e tij, intrigat apo refuzimin e bindjes ndaj Sulltanit. Në një prej këtyre veprave me ndikim të madh përpiqet të provohet se rënia e Aliut ishte provokuar nga ky i fundit si “pasojë e rritjes së influencës së elementit të krishterë në Janinë”

Por një prej hipotezave më interesante është ai i një komploti të Ali Pashës, për të përdorur Sektin e Bektashinjve si një platformë për pushtetin e tij. E jo vetëm në krijimin e një shteti të pavarur, por nëpërmjet Bektashinjve të vinte në kontroll Jeniçerët të cilët deri më atëherë kishin pasur një bashkëjetesë të vështirë me Sulltan Mahmudin II. Kjo hipotezë është me shumë interes për t’u eksploruar, nëse marrim parasysh disa fakte si influencën e Aliut ndaj Bektashinjve, mbështetjen e tij për këtë sekt sufi apo faktin se pjesa më e madhe e lidershipit të jeniçerëve ishin me prejardhje shqiptare.

Po të kemi parasysh se ishin jeniçerët ata që kishin rrëzuar Sulltan Selimin III dhe kërcënonin vazhdimisht Mahmudin II, atëherë kjo hipotezë duket me mjaft interes për t’u eksploruar më tej. Fakti që Mahmudi II pas rrëzimit të Aliut e shkatërroi përfundimisht armën e jeniçerëve me masakrën e famshme të 1826, dhe rënia e influencës së Bektashinjve në Stamboll, janë argumente më shumë në mbështetje të kësaj hipoteze, e cila, duhet thënë nuk është marrë shumë në konsideratë.

Megjithatë në narrativën e ngjarjeve që u luajtën në dimrin e 1821-22 në muret e Kalasë së Janinës mungojnë ende një sërë detajesh të cilat mund të ndryshojnë tërësisht këndvështrimin e ngjarjeve dhe mënyrën e vrasjes së Aliut. Deri më sot, vrasja e Aliut njihet gjerësisht falë përshkrimit të konsullit francez Pukëvil, i cili përshkruan një betejë heroike të Aliut dhe rojeve të tij në shkallët e shtëpisë në ishullin e Liqenit të Janinës. Falë këtij përshkrimi, ku nuk mungojnë edhe dialogje midis palës sulmuese dhe asaj mbrojtëse, të bien në sy “fjalët e fundit të Aliut”, i cili kërkonte që rojet e tij besnike të vrisnin Vasiliqinë, gruan e Pashait, “që ajo të mos binte në duart e turkut”.

Përshkrimi në detaje i çasteve finale të Aliut, përshkruar nga Pukëvili, janë marrë më vonë nga shumë orientalistë të cilët e kanë ribotuar atë skenë në një sërë veprash duke e sjellë deri në ditët tona. Por Pukëvili në veprën e tij nuk ka cituar asnjë burim nga i mori këto informata, duke lënë në mjegull besueshmërinë e tyre. Në mungesë të dëshmitarëve apo dokumentave autentike, vdekja e Aliut njihet ende nga kjo vepër dhe në ditët e sotme, ku në shtëpinë e ishullit të Janinës turistëve kuriozë u tregohen vrimat e plumbave të cilat vranë Vezirin e famshëm.

Dokumentat e botuara sot në DITA sjellin përmes dëshmive autentike, një tablo të ndryshme mbi fundin e Aliut, duke i dhënë fund ngjarjes së treguar nga Pukëvili. Dëshmia e Ministrit të Jashtëm otoman për një fuqi të huaj si Anglia, duhet marrë si një dëshmi shumë pranë të vërtetës.

Dihet se Sulltan Mahmudi II në përpjekjet e tij për një reformë të përgjithshme në Shtetin Osman dhe mbrojtje nga ekspansioni rus, kërkonte aleancë në veçanti me britanikët dhe francezët. Përpjekjet për marrëdhënie të mira me këto dy fuqi u shtuan gjatë revoltës së Ali Pashës dhe në veçanti nga kryengritja greke. Në këtë kontekst duhet marrë dëshmia që Reis Efendiu, Ministri i Jashtëm i Perandorisë Otomane i jep Ambasadorit të Britanisë, Lordit Strangford, për Sekretarin e Shtetit, Lord Castlereagh mbi fundin e Aliut.

Dihet se Sulltan Mahmudi II në përpjekjet e tij për një reformë të përgjithshme në Shtetin Osman dhe mbrojtje nga ekspansioni rus, kërkonte aleancë në veçanti me britanikët dhe francezët. Përpjekjet për marrëdhënie të mira me këto dy fuqi u shtuan gjatë revoltës së Ali Pashës dhe në veçanti nga kryengritja greke. Në këtë kontekst duhet marrë dëshmia që Reis Efendiu, Ministri i Jashtëm i Perandorisë Otomane i jep Ambasadorit të Britanisë, Lordit Strangford, për Sekretarin e Shtetit, Lord Castlereagh mbi fundin e Aliut.

Këto dëshmi janë të vetmet fakte që vijnë nga burimet osmane në kohë reale mbi përfundimin e rebelimit të Pashait shqiptar. Prandaj mendojmë se besueshmëria e tyre është shumë afër ngjarjes së vërtetë.

Për vërtetësinë e këtyre dokumentave mund të mbështetemi tek një tjetër burim i kohës: Robert Walsh, Kapelani i Ambasadës Britanike i cili ishte pjesë e ambasadës së Lordit Strangford. Prifti Walsh jo vetëm ka pasur dijeni mbi disa të dhëna që përshkruhen në dokumentin e Ambasadorit, por i ka përshkruar ato në volumin e tij “Një përshkrim i udhëtimit nga Konstandinopoja në Angli”, botuar në 1830.

Robert Walsh i cili duket se ka pasur mundësi të njihet me dëshminë e Ministrit të Jashtëm Otoman, përshkruan me imtësi një pjesë të këtij dokumenti por pa e cituar atë. Gjithsesi nga rrëfimi i tij duket qartë se burimi është i njëjtë me atë të dokumentit të Ambasadorit.

Një tjetër fakt shumë interesant që vjen nga dokumenti britanik, është dëshmia se në fundin e Aliut ka ndikuar tradhtia e gruas së famshme të Vezirit, Vasiliqisë. Figura e Vasiliqisë e njohur nga një sërë veprash të orientalizmit europian është konsideruar si simboli i besnikërisë ndaj Pashait plak. E trajtuar gjithmonë me nota idealizmi dhe keqardhje për fatin e saj tragjik, roli i Vasiliqisë në vdekjen e Aliut sipas burimit osman, duket se ka qenë vendimtar.

Aq i rëndësishëm ka qenë ky rol, sa të jetë temë kryesore në raportimin e Ambasadorit për Sekretarin e Shtetit, duke hedhur dyshime nëse gjenerali Hurshid Pasha ka raportuar rolin e saj në vrasjen e Aliut, apo ka dashur të marrë të gjitha meritat për vete. Një tjetër fakt shumë i rëndësishëm mbi figurën e Vasiliqisë, është cilësimi i saj qartësisht si “vajza e një prifti grek”. Kjo dëshmi mbi prejardhjen e saj hedh poshtë ndonjë përpjekje sporadike të studiuesve për shndërrimin e saj në “shqiptare ortodokse nga Çamëria”.

Roli i Vasiliqisë në fundin e Vezirit, nuk ka qenë asnjëherë i ndriçuar nga burimet e kohës. Mesa duket, veprimet e saj në dobi të Portës së Lartë, kanë qenë aq sekrete sa askush deri më sot nuk ka dyshuar mbi tradhtinë e saj, edhe pse dihej se pas rënies së Aliut ajo kishte në zotërimet e veta disa prona. Prona të cilat citohen në dokumentin britanik.

Dy letrat e shkurtit 1822 të Strangford drejtuar eprorit të tij në Londër

FO195/34

Nr.22 – Konstandinopojë – Shkurt 11.1822

Imzot,

Përpara disa ditësh mora nga Dragomani i Portës letrën që po ja u përcjell më poshtë e cila përmban të dhëna të besueshme që kjo Qeveri ka marrë nga Shqipëria, se Lufta me Ali Pashën është shumë pranë fundit.

Mesa duket Kalaja është marrë me sulm në 25 Janar dhe rreth 100 nga ushtarët e Aliut kanë hedhur armët. Aliu vetë me disa nga besnikët e tij është tërhequr në Depon e Barutit, prej nga ku ai ka dërguar një propozim për dorëzim vetëm nëse Porta e Lartë do t’i kursejë jetën, në të kundërt do t’i vërë flakën Depos. Hurshid Pasha menjëherë i kërkoi Qeverisë udhëzime të cilat u dërguan. Unë nuk e di qëllimin e këtyre udhëzimeve, por ne shpresojmë se shumë shpejt do të marrim të dhëna nëse Aliu është kapur i gjallë apo i vdekur. Përfundimi fatlum i Luftës Shqiptare do ta bëjë këtë Qeveri që t’i përqëndrojë përpjekjet e saja më konkretisht në More, operacioni më i rëndësishëm për momentin, në të cilin mund të përfshihen.

Firmosur (Strangford)

 

Konstandinopojë – Shkurt 25. 1822

Imzot,

Koka e Ali Pashës u soll në Konstandinopojë të shtunën e shkuar nga Selihtari i Hurshid Pashës dhe dje u ekspozua publikisht në Kamaren e Sarajit ku do të qëndrojë për tri ditë. Kjo shfaqje ka ngjallur shumë kuriozitet. Një tregtar anglez i cili mendon se një ekspozim i ngjashëm do të ngjallë të njëjtin kuriozitet edhe në Angli dhe duke spekuluar në përfitimet që ai mund të nxjerrë nga ky ekspozim në Londër, po negocion me kryexhelatin për blerjen e Kokës. Nga shuma e lartë që po ofron, ka shumë mundësi që t’ja arrijë qëllimit. Rrethanat e vdekjes së Ali Pashës në çdo vend tjetër mund të konsiderohen si vrasje.

Reis Efendiu i përshkroi ato për z.Chabert dhe e lejoi atë që të mbante shënime për informacionin tim.

Një përkthim i këtij rrëfimi serioz është i mbyllur në zarf.

Unë nuk kam zbuluar nëse Hurshid Pasha ka pranuar në Raportin Zyrtar për Portën se ai, duke përdorur gruan e Aliut, kishte mundur ta nxirrte atë nga Kalaja. Megjithatë nuk ka aspak dyshim për faktin se ishte tradhtia e kësaj gruaje (e quajtur Vasilica, bija e një prifti grek) që e dorëzoi Aliun në duart e armiqve të tij. Ajo është shpërblyer për këtë me tre çifliqe apo ferma në periferi të Janinës.

Disa nga xhevahiret dhe thesaret e Ali Pashës kanë mbërritur në Pallat. Plaçka e kapur thuhet të ketë qenë e jashtëzakonshme, megjithëse ndoshta një pjesë e vogël do të mund të futet në Arkën e Sulltanit.

Firmosur, (Strangford)

P

Shënimet e Robert Walsh-it

“Koka e Aliut erdhi në 23 Shkurt futur në një kuti. Në 24 të shkurtit u ekspozua në Kamaren e Portës për të gjithë ata që donin ta shikonin. Unë mora një jeniçer dhe shkova për të parë një traditë orientale e cila kishte mbetur e pandryshuar që nga kohët e hershme.

Aliu kishte qenë Pasha dhe koka e tij trajtohej me respekt. Nuk ishte ekspozuar në mënyrë të rëndomtë tek Porta por përkundrazi ishte vendosur në një tepsi, në një shtyllë mermeri të ulët midis portës së parë dhe të dytë të Pallatit, ku ngjasonte me kokën e Gjon Pagëzorit. Pak më tutje ishte varur një Fatva, një letër ku ishte shkruar akuza ndaj tij ashtu siç vendosej akuza kundër atyre që ishin kryqëzuar në kryq. Pranë kokës qëndronte një bostanxhi me një shkop në dorë. Tepsia ishte e qarkuar nga pak njerëz dhe kur unë u afrova, ata u tërhoqën për të më liruar vendin. Bostanxhiu me shkopin në dorë e ktheu tepsinë nga unë, që ta shikoja më mirë, teksa njerëzia shikonte pa shprehur asnjë emocion, njësoj sikur të shikonin shtyllen prej guri ku qëndronte. Koka ishte më shumë skalpi ku kraniumi dhe trutë ishin hequr dhe ishin zëvendësuar me material tjetër.

Operacioni i cili në përgjithësi nuk bëhej mirë nga turqit, në këtë rast ishte kryer me kaq shumë mjeshtëri e  kujdes, saqë pjesa e jashtme i ruante format në mënyrë perfekte dhe shprehjet ishin të gjalla aq sa dukej sikur ajo nuk ishte ndarë nga trupi. Fytyra ishte e zbehtë, por e plotë dhe plot karakter. Ishte e gjerë, e bukur, dukej që i përkiste një personi që impononte respekt. Kishte pamjen e një personi të hapur dhe me humor, por që nën këtë pamje siç e dija, fshihej një zemër e pamëshirshme dhe e egër. Çaçka e kokës ishte pa flokë, por duke dhënë konturin e plotë të një balli të gjerë. Nga pas i vareshin një tufë flokësh në ngjyrë gri, sipas modelit të shqiptarëve të sotëm apo të grekëve të lashtë të të njëjtit vend. Një mjekër e mrekullueshme në ngjyrë gri të argjendtë gati 6 inç e gjatë, i varej. Shumë vetë po lexonin Fatvanë e vendosur në mur mbi kokën e tij.

Unë i shpreha jeniçerit dëshirën time të madhe që ta kisha kur ajo të mos hynte më në punë dhe meqë turqit bëjnë çdo gjë për para, u premtova një shpërblim të mirë. Ai foli me bostanxhiun dhe pas disa ditësh ma sollën në dorë.

Duke qenë se Aliu kishte qenë shumë i njohur në Europë dhe kishte tërhequr vëmendjen e njerëzve në Angli në veçanti, një tregtar nga Konstandinopoja mendoi se do të ishte me leverdi ta blente kokën dhe tepsinë, dhe ta dërgonte në Londër për ta ekspozuar. Ai më informoi mua se kishte ofruar një shumë të madhe parash për këtë qëllim. Por koka mesa duket, ishte rezervuar për një tjetër. Ndër të njohurit e vjetër të Aliut ishte një Dervish Sulejmani, i cili kishte qenë agjenti i tij në disa negociata të rëndësishme. Kishin pasur opinione të ndryshme për disa çështje dhe ishin ndarë; dhe Sulejmani pasi kishte dalë nga shërbimi i tij, ishte futur në një teqe ku dhe veshi robën e Dervishit. Kur dëgjoi për vdekjen e mikut të vjetër ai ishte shumë i shqetësuar dhe kur koka u vendos në publik, ai e bleu me një çmim shumë më të lartë se sa kishte ofruar tregtari”.

Kush ja nguli kamën fatale Ali Pashës?

Roli i Vasiliqisë në fundin e Vezirit, nuk ka qenë asnjëherë i ndriçuar nga burimet e kohës. Mesa duket, veprimet e saj në dobi të Portës së Lartë, kanë qenë aq sekrete sa askush deri më sot nuk ka dyshuar mbi tradhtinë e saj, edhe pse dihej se pas rënies së Aliut ajo kishte në zotërimet e veta disa prona. Prona të cilat citohen në dokumentin britanik.

Robert Walsh shkruan se e kishte parë disa herë të venë e Aliut në ambientet e Patriarkanës së Stambollit, të mbuluar fund e krye. Por arsyeja se përse e veja e Aliut u lejua të rikthehej përsëri në Greqi, nëse ishte marrë me të vërtetë rob në Janinë, nuk është mësuar asnjëherë. Në vitin 1830 qeveria greke i dha në zotërim një sasi toke dhe një kullë bizantine ku ajo qëndroi deri sa vdiq në 1834.

Por dëshmia më interesante e raportit britanik bazuar në informacionin e Ministrit të Jashtëm Otoman (Reis Efendiut), është vrasja e Aliut si dhe emri i personit që e ekzekutoi atë. Në kundërshti nga përshkrimi plot ngjyra i Pukëvilit për një fund plot lavdi, ambasadori britanik e quan vdekjen e Aliut si një vrasje të pastër. I strehuar në një shtëpizë të vogël në Ishullin e Janinës, Veziri priste faljen që do të vinte nga Stambolli. Me shumë pak pasues, nga të cilët disa po komplotonin për fundin e tij, duket se Aliu ishte rrethuar nga tradhtia. I përgatitur ndoshta për një betejë përfundimtare, por i gënjyer nga të gjithë personazhet që e vizitonin nga kampi kundërshtar, Aliu pret në audiencë një shqiptar mjaft të shquar, por shumë pak të njohur nga historia: Muhamed Pashën e Moresë, i njohur edhe si Dramaliu, i cili ishte Princ i Portës së Lartë. Me sa duket rangu dhe qenia shqiptar mund të mos kenë ngjallur dyshime te ai si një kërcënim i mundshëm. Ishte ky shqiptar i cili sipas dëshmisë së Ministrit të Jashtëm Otoman, ka ngulur në trupin e plakut kamën e Sulltanit, duke i dhënë fund një jete plot trazira dhe lavdi. Kështu Luani i Janinës, personalitet i jashtëzakonshëm i epokës së tij, vdiq në vetmi i vrarë nga një shqiptar dhe i tradhtuar nga gruaja e tij. Por më poshtë është mjaft interesante të njihemi me fatin e personazheve që në mënyrë direkte apo indirekte, patën të bëjnë me ngjarjen finale të jetës së Ali Tepelenës.

Kush ishte Mohamed Dramaliu

Mohamed Pasha, Guvernator i Moresë i njohur si Dramaliu (dmth. nga rajoni Drama në Greqinë Veriore). Personalitet i rëndësishëm otoman me origjinë shqiptare. Mbante titullin e Bejzadesë (Princ pa të drejtë trashëgimie të Fronit). Nëna e tij ishte mbesa e Sulltan Ahmedit të III. Gjyshi i tij ishte Husen Agai, Komandant i Përgjithshëm i Jeniçerëve me titull Çorbaxhi. I ati Halil Mehmet bej, ishte Truproja e Sulltan Selimit III dhe Komandant i regjimentit të shqiptarëve në Egjypt që mundi trupat e Napoleonit. Gjyshi i Mohamed Pasha Dramaliut, ishte xhaxhai i Muhamed Ali Pashës (Mehmet Aliut), themeluesit të Dinastisë Shqiptare të Egjyptit. Nga Raporti i Ambasadorit Britanik Lordit Strangford për Sekretarin e Shtetit theksohet qartë se ishte Mohamed Pasha Dramaliu, personi që e vrau në pabesi Ali Pasha Tepelenën. Kryekomandant i trupave osmane kundër kryengritësve grekë në 1822, pëson një humbje të madhe në fushat e Argostolit duke vdekur në verën e këtij viti nga malarja.

Halet Efendiu

Një prej figurave të rëndësishme politike në Oborrin e Sulltan Selimit III dhe Mahmudit II. Ambasador në Paris nga 1803-1806, më vonë një nga anëtarët e Kabinetit të Sulltan Mahmudit si dhe sekretari i tij personal. Halet Efendiu kishte një ndikim të madh mbi Sulltanin duke drejtuar shpesh në emër të tij mjaft çështje të rëndësishme shtetërore. Armiku kryesor i Ali Pasha Tepelenës dhe nxitësi i hakmarrjes së Sulltanit kundër Aliut, ai ka luajtur një rolparësor në rrëzimin e Vezirit plak. Edhe pse në marrëdhënie shumë të mira me greket e Fanarit, sipas burimeve të kohës Halet Efendiu injoroi të gjitha paralajmërimet e Ali Pashës mbi intrigat e aktivitetit të kryengritësve grekë. Ky gabim fatal i cili solli si pasojë rebelimin grek dhe kryengritjen e Moresë, shkaktoi zemërimin e madh të Sulltanit, i cili e shkarkoi nga të gjitha postet, duke e internuar në Konjë. Zemërimi i Sulltanit buronte jo vetëm nga gabimet e Halet Efendiut në këshillat që i kishte dhënë për çështjen e Ali Pashës dhe rebelimit grek, por në radhë të parë ai u ndëshkua si kërkesë e trupave jeniçere të cilat donin kokën e tij. Me urdhër të Sulltanit i pritet koka ende pa mbërritur në Konjë. Koka e tij u dërgua në Stamboll për t’u ekspozuar në kamaren e Portës së Lartë, por jeniçeret e zemëruar nuk e lejuan të qëndronte gjatë, duke e marrë dhe hedhur në Bosfor. Sipas kronikës së kapelanit irlandez Robert Ëalsh, pas vrasjes së Halet Efendiut, bankierit të tij, një çifuti të njohur në Stamboll, iu konfiskua një pasuri shumë e madhe e depozituar nga ish këshilltari i Sulltanit. Mesa duket mallkimi i Ali Pashës e ndoqi nga pas duke bërë që jo vetëm t’i pritej koka vetëm pak muaj pas Aliut, por t’i zhdukej përgjithmonë në ujrat e detit.

Hurshid Pasha

Me origjinë nga Kaukazi, i edukuar në trupat jeniçere. Oficer mjaft i zoti që ngjiti shkallët e karrierës duke u bërë një prej gjeneralëve të preferuar të Sulltan Mahmudit. Mori pjesë në ngjarjet e Egjyptit ku u përball me shqiptarin Mehmet Ali Pasha, por u detyrua të largohej pasi u braktis nga trupat e tij.

Ndoshta një arsye më shumë për t’u zgjedhur nga Sulltani si kryekomandant i trupave otomane kundër Ali Pashës. Pas fitores në Janinë u kthye në Stamboll, por e gjeti veten në vështirësi, pasi armiqtë e tij komplotonin duke u trembur nga pushteti dhe fama që kishte arritur. Vetëm pak muaj pasi i preu kokën Luanit të Janinës, Hurshidi vrau veten për arsye ende të paqarta.

 Sekretari i Shtetit Lord Castlereagh

Robert Stewart, Markezi i II i Londonderryt, njohur siLord Castlereagh (Kasëllrei) ishte një burrë shteti irlandezo-britanik. Nga viti 1812 ishte personaliteti kryesor në krijimin e koalicionit që bëri të mundur rrëzimin e ushtrive të Napoleonit. Negociatori kryesor në Kongresin e Vjenës, Lordi Castlereagh ishte gjithashtu udhëheqësi i Dhomës së Ulët në Parlamentin Britanik. Për një kohë të gjatë ai ishte Sekretari i Shtetit për Irlandën. Lord Castlereagh ishte personi për të cilin janë shkruar raportet nga Stambolli për fatin e Ali Pashës. Si Sekretar i Shtetit në periudhën e përplasjeve me Napoleonin, ai e njihte mirë politikanin shqiptar dhe falë tij politika angleze kishte qenë favorizuese me Ali Pashën duke e kthyer atë kundër Napoleonit. Vrau veten në 12 Gusht 1822, vetëm pak muaj pas vdekjes së Ali Pashës.

Dragomani i Parë Stavraki Aristachi

Aristachi, një figurë enigmatike në letrat dhe protokollet zyrtare otomane, ishte Dragomani i fundit i cili mbylli një epokë të gjatë ku posti i rëndësishëm i “Përkthyesit Zyrtar” të Portës së Lartë mbahej nga levantinët (anëtarë të familjeve të krishtera subjekte të Portës së Lartë). Aristachi u akuzua si përkrahës i kryengritjes greke. “U dërgua në internim dhe në shtator 1822 u ekzekutua me urdhër të Sulltanit” PRO.FO/78/111.

Aristachi ka qenë personi kryesor i cili komunikonte me Ambasadën Britanike në emër të Ministrisë së jashtme Otomane edhe mbi çështjen e Ali Pashës.


Një dëshmi e vdekjes së Ali Pashës së Janinës sipas një komunikimi zyrtar verbal të bërë nga Shkëlqesia e Tij Reis Efendiu për Dragomanin e Parë të Ambasadës Britanike të Madhërisë së Tij, për informacion për Shkëlqesinë e Tij Lord Strandford. 

Konstandinopojë, 24 Shkurt 1822

Na është bërë e ditur se Ali Pasha i fshehur në llogoret, ishte tërhequr me 50 burra të cilët i kishin mbetur besnikë në një pjesë të Kështjellës së Janinës. Vendi i cili ishte zgjedhur për qëndresën e fundit ishte një godinë e ndarë në tre kate. Në pjesën më të lartë qëndronte vetë Pashai me rojet e tij, thesaret ishin vendosur në pjesën e mesit dhe në katin e parë ishte vendosur një sasi shumë e madhe baruti. Hurshid Pasha i njoftuar për këtë veprim dërgoi tek Aliu, Selihtarin e tij për t’i kërkuar të dorëzohej kur ta shikonte ai të arsyeshme, duke i dhënë pjesën e Kështjellës që e mbante ende si dhe t’ja besonte thesarin Selihtarit të tij. Këto veprime dukeshin si më të arsyeshme në kushtet e vështirësive të mëdha ku ai tashmë ndodhej. Ai shtoi se ishte në dijeni të një lajmi që kishte marrë dhenë në trupat e tija, se Aliu do të hidhej në erë së bashku me rojet e tija besnike dhe thesaret që kishte, nëse detyrohej të mos kishte rrugëdalje. Ky kërcënim nuk e frikësonte atë, e nëse Aliu nuk vendoste menjëherë, ai do të vinte vetë dhe do t’i vinte flakën godinës.

Ali Pasha ju përgjigj Selihtarit se ai e kishte të qartë situatën ku ishte dhe se nuk kishte tjetër rrugë, por do të vendoste të dorëzohej sapo të sigurohej se do t’i falej jeta. 

Selihtari premtoi se do t’ja shpinte fjalët e Aliut, Padronit të tij dhe pasi e bëri këtë, u kthye menjëherë tek Aliu duke i thënë se në emër të Hurshid Pashës kërkonte t’i bënte të ditur se kërkesa e tij për faljen e jetës varej vetëm nga Sulltani, se Pashai me dëshirë do t’i kërkonte Lartësisë së Tij Sulltanit, faljen e jetës për Aliun, por ai nuk mund ta bënte këtë me sukses nëse Aliu nuk i jepte të gjitha ato që mbante
me vete, duke i dorëzuar Fortesën, thesaret, depot, njerëzit e të tjera, e të tërhiqej për të pritur vendimin e Sulltanit në një ishull të vogël në Liqen pranë Fortesës.

Ali Pasha kërkoi kohë që të mendohej për vendimin e tij dhe pas disa bisedimesh me Selihtarin, ai u tërhoq nga Fortesa dhe shkoi në ishullin e vogël së bashku me shpurën e tij, me përjashtim të njërit prej njerëzve të tij më besnikë, me të cilin ishin marrë vesh për sinjalet që ai do t’i bënte nëse do të hidhte gjithçka në erë, apo do t’ja dorëzonte Hurshid Pashës. Selihtari e priti Ali Pashën në ishull me të njëjtin numër burrash sa kishte nga pas ai vetë, duke e shoqëruar Vezirin. Ata i bënë të gjitha nderimet e rangut të tij dhe për disa ditë me rradhë u trajtua nga Hurshid Pasha me respektin më të madh; Aliu pati besim dhe dha urdhër që të dorëzoheshin të gjitha që ai kishte lënë në Fortesë. Menjëherë u dha urdhri që të hiqej baruti prej andej dhe të çohej në një vend të sigurtë. Në të njëjtën kohë Ali Pasha kërkoi që një prej oficerëve të tij që komandonte rreth 100 burra të lejohej që të vinte tek ai në ishull. Hurshid Pasha pranoi por në të njëjtën kohë dërgoi edhe ai një numër të njëjtë ushtarësh për të mbajtur në kontroll njerëzit e Aliut. Ndërkohë disa pashallarë të një rangu më të ulët i bënin vizita Aliut. Në ditën e 13-të të Hënës Djemaziul Awwel (5 shkurt 1822), Mohamed Pasha, Guvernatori i Moresë, i ofroi Aliut ndihmën e tij për t’i sjellë një sasi ushqimesh dhe furnizimesh të tjera. Aliu iu përgjigj se nuk dëshironte asgjë, me përjashtim të një sasie mishi, por pak më vonë shtoi se kishte edhe një dëshirë tjetër, megjithëse nuk donte të ofendonte fenë me kërkesën e tij, e prandaj nuk po e kërkonte. Kur ju tha se mund ta shprehte dëshirën e tij, ai u përgjigj se verë ishte ajo që kërkonte. Mohamed Pasha i premtoi se do t’ja sillte. Biseda vazhdoi edhe për pak në mënyrën më miqësore dhe Mohamedi u çua të largohej. Të qenurit të të njëjtit rang, bëri që të dy të çoheshin në të njëjtën kohë nga divani ku ishin ulur dhe pas ceremonisë së zakonshme dhe përpara se të dilte nga dhoma, Mohamed Pasha u përkul thellësisht. Aliu i ktheu komplimentin, por në momentin kur ishte i përkulur, Mohamedi ekzekutoi vullnetin e Sovranit duke i ngulur thellë një kamë në anën e majtë të gjoksit. Ai doli menjëherë nga dhoma duke thirrur se Aliu kishte dhënë frymë. Disa burra nga shpura e Mohamedit, hynë në dhomë dhe i prenë kokën Pashait. Koka iu tregua trupave të Sulltanit dhe ndjekësve të Pashait dhe menjëherë një përleshje u bë tek shkallët, ku disa burra u vranë. Por mendjet e njerëzisë u qetësuan dhe më pas të gjithë thirrën, “rroftë Sulltani dhe Veziri Hurshid Pasha”.  

Firmosur, (Strangford)

Botuar sot në DITA

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button