Home / Europa / Dita e Europës, përvjetor i deklaratës “Schuman”

Dita e Europës, përvjetor i deklaratës “Schuman”

Dita e Europës, e mbajtur më 9 maj, kremton paqen dhe unitetin në kontinentin e vjetër. Data në vetvete shënon përvjetorin e deklaratës historike “Schuman”.

Më 9 majin e 1950-s, ish-ministri i Jashtëm francez, Robert Schuman formuloi i pari idenë e një forme të re bashkëpunimi, e cila supozohej ta bënte nga ai moment, të paimagjinueshme mundësinë e një lufte tjetër mes shteteve europiane.

Vizioni i tij ishte krijimi i një institucioni, që të centralizonte e menaxhonte prodhimin e qymyrgurit dhe të çelikut. Kjo nismë do të përbënte bërthamën e Komunitetit Ekonomik Europian, të krijuar në vitin 1957 me traktatet e Romës.

Nga ky komunitet do të merrte jetë në fillimin e viteve ’90 ai që njohim sot si BE. Plani i Schumanit ishte një revolucion: Një zyrë mbinacionale do të ngarkohej me kompetenca vendimmarrëse.

Marrëdhëniet gjermano-franceze ishin të ngarkuara me mosbesim: A do të binte Gjermania përsëri, si pas Luftës së Parë Botërore, në megalomani nacionaliste dhe do të kërcënonte fqinjët e saj?

“Europa duhet të pushojë së qeni një vend betejash, ku palët armike mbyten në gjak. Ne duam të ecim në rrugë të reja, që na çojnë në një Europë të bashkuar dhe në paqe”, pati thënë asokohe Schuman.

Planit të tij iu desh shumë kohë për t’u bërë realitet, por përpjekjet e ish-ministri francez u shpërblyen, e sot nisma e tij konsiderohet si momenti i lindjes së Komunitetit Europian, pasi në deklaratë, Schumani vizionar parashikonte integrimin e mëvonshëm të shteteve të tjera anëtare.

Leave a Reply

%d bloggers like this: