Home / Kryeartikull / Të tallesh me shqiptarët

Të tallesh me shqiptarët

Nga Gazeta Dita 

Historia jonë politike e tre viteve të fundit është kaq e freskët, sa të gjithë e mbajnë mend si nisi. Ishte më së pari një votë proteste, pastaj një vote shprese se më në fund edhe Shqipëria mund të ndryshojë.

Dhe ndryshimi ishte tek marrja fund e pandëshkueshmërisë, qoftë dhe kaq vonë, për zyrtarët e lartë dhe qeveritarët të cilëve rregullisht nuk u ka hyrë gjemb në këmbë për çdo zullum që kanë bërë, monetar e penal. Që kanë vjedhur e plaçkitur, pa u merakosur se rrugës mund të linin edhe të vrarë; dhe që kanë vrarë qëllimisht, për të ruajtur ato që kanë vjedhur e plaçkitur.

Përderisa ndëshkimin e jep drejtësia, ishte ky sistem që duhej ndryshuar; më saktë, që duhej ndëshkuar i pari, pasi u bë mburojë e hajdutëve dhe vrasësve e për rrjedhojë, u bë edhe vetë e tillë; hajdute e vrasëse.

Po ashtu, të gjithë e mbajnë mend sesi nevojën për reformimin e drejtësisë, një kryefjalë e kryeministrit aktual (që për shumë kohë mbeti vetëm retorikë për shkak të pafuqisë përballë një sistemi të kalçifikuar berishian të drejtësisë) e shoqëruan me tone edhe më të larta, dy ambasadorë të… freskët në Tiranë, ata më të rëndësishmit: Ambasadori i ri i SHBA Donald Lu dhe ajo e BE-së, kroatja Romana Vllahutin.

I pari pati kohë të mësonte edhe shqipen, njëfarë surprize për publikun shqiptar, dhe pa shumë lajle-lule hyri menjëherë në vallen e reformës për drejtësi, duke zënë vend në krye dhe tundur shaminë. Të dytën, me një sfond përvojash pozitive kroate që sapo kishin ndodhur, gati-gati e ngatërruam me vetë kryeprokurorin kroat që futi në burg ish kryeministrin Sanader dhe hetoi mjaft zyrtarë të lartë për korrupsion. Pavarësisht se në fakt, ajo kishte qenë në anën tjetër të “barrikadës”, pra jo në drejtësinë kroate, por në stafin presidencial të vendit, duke i dhuruar shtypit kroat edhe ndonjë artikull me sfond rozë.

Sot jemi në momentin kur gjithë ky “bashkim forcash dhe vullnetesh”, pasi bëri pa u lodhur shumë ecejake me diskutime draftesh, kërcënime e ngrysje vetullash, takime e negociata, më së shumti me selinë e opozitës shqiptare; pasi u thanë e u anuluan data e kalendarë politikë, erdhën kreshendo deri tek njoftimi i fundit: Një projekt i përbashkët i reformës në drejtësi më në fund është miratuar. E mbani mend, o popull, që kërkuat me zemërim një ndryshim qeverisjeje dhe ndëshkimin e atyre që kanë vjedhur e vrarë, dhe kanë mbrojtur vjedhjet dhe vrasjet? Që ishin faktuar për këtë dhe që ashiqare gjykatat ose i harruan, ose u gjetën nga një marifet për të mos i gjykuar?

Nëse i mbani mend, dijeni se pikërisht ata nuk do të pësojnë asgjë. Këtë e thotë një nen i pafajshëm i projektit, ai nr.25, dhe një pikëz e vogël ajo 135, që përcakton se cilët lloj zyrtarësh e ish zyrtarësh do hetojë gjykata speciale që do ngrihet për këtë qëllim. Aty theksohet shprehimisht se gjykata mund të  hetojë kryeministrin, ish-kryeministrin, presidentin dhe ish-presidentin, si dhe anëtarët e qeverisë “gjatë tre viteve të fundit”. Pra, ata ministra që erdhën në detyrë pas 2013-s, por jo ata të cilët kanë qenë në detyrë deri në zgjedhjet e 2013-s?!

Nëse lexuesit dhe, në përgjithësi, votuesit shqiptar me rreshtin e fundit i shkon në mendje Vjedhja e (rrugës së) Kombit, shpërthimi teknologjik i Gërdecit apo vrasjet e 21 Janarit 2011, padyshim që ka të drejtë. Edhe ato ngjarje, ose pikërisht ato ngjarje janë amnistuar. Nëse zemërimi popullor arriti kulmin në qeverisjen e dytë Berisha pikërisht me këto akte flagrante ku paraja dhe gjaku, hajdutëria dhe vrasja për pushtet u kokolepsën në një e të pandarë; nëse për këtë arsye reforma në drejtësi e premtuar me këmbëngulje nga mazhoranca ende pa u bërë e tillë nga zgjedhjet, ishte refreni i një shprese të ripërtërirë në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, pikërisht ajo nuk ka për të ndodhur.

Thënë shkurt, thelbi dhe strumbullari i bëmave që ulëritën nevojën e një drejtësie të re, të vërtetë, nuk kanë për t’u hetuar.

Gjasat janë pothuaj të sigurta, që ambasadori që di shqip ta dijë shumë mirë se në dy prej skandaleve-ikonë të 8-vjeçarit ‘Berisha’ në pushtet, atë të Gërdecit dhe Vjedhjes (së rrugës) së Kombit, të përfshira bukur fort ishin edhe kompani amerikane. Teorikisht, ai do duhej të ishte i interesuar që të zbardhej edhe kjo pjesë amerikane e këtyre ngjarjeve shqiptare, për të përforcuar edhe më shumë imazhin pozitiv dhe dashurinë që shqiptarët kanë për SHBA-në. Por mesa duket, këtu jemi vetëm në teori…

DITA, mëse një herë e ka shprehur skepticizmin për mënyrën sesi po procedohej me reformën në drejtësi. Ishim skeptikë sapo dalluam një gadishmëri të pakuptueshme për çdo lëshim të mundshëm ndaj një pale që jo një redaksi gazete, por një shumicë popullore i sheh si arsyeja kryesore që shtroi nevojën e reformës. Por ja që nëse i merr mendim hajdutit se si t’i fshehësh më mirë paratë, nëse pyet ujkun sesi do mund të ruhej më mirë kopeja, merr një rezultat si Neni 25.

Dhe kjo është tallje e rëndë, edhe për shqiptarët me të cilët është tallur shumëkush.

Përgjithësisht, ambasadorët amerikanë kanë dalë në pension pas shërbimit në terrenin e vështirë shqiptar. Nëse ambasadori Lu, bastin e vetëm që ka me veten është të marrë një detyrë shumë më të lartë pas Tiranës, me këtë supë të ujshme me logon ‘reformë në drejtësi’ që do t’i shtojë CV-së së vet, ndoshta ja ka arritur t’ua kalojë ish-kolegëve.

Nuk është sekret se Shqipëria për ambasadorët amerikanë është pak si “zona e tretë e krahut të majtë të perandorisë” për të dërguarit e sulltanit. Me dallimin e madh se ndryshe nga atëherë, shqiptarët sot e shohin SHBA-në si pikë referimi në çdo aspekt; dhe do ishin shumë të kënaqur që një dorë ndihmuese ambasadoriale, të vinte pak rregull në xhunglën tonë. Por rrezik që të vetmet kujtime të çmuara që z.Lu do marrë me vete nga Tirana, do jetë shqipja dhe ndonjë ikonë adhuruese prej Mesie që Lul Basha do vërë në selinë e PD, për nder të ambasadorit.

Padyshim, me porosi të Berishës…

Leave a Reply

Your email address will not be published.