Home / Arte / Teater / Qielli do më kujtojë gjithnjë Henrietën

Qielli do më kujtojë gjithnjë Henrietën

Për më shumë se një orë, ajo ishte Henrieta Levit, e para grua që  më 1893, hyri në Observatorin e Harvardit, duke dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme në studimin e dritës së yjeve. E magjepsur pas qiellit, gjithë jeta e Henrietës ishte ajo hapësirë e pafund e mbushur me dritëza të largëta ku humbte çdo mbrëmje. Për shumë aktorë Henrieta Levit nuk është një rol i lehtë për t’u krijuar. Një rol karakteri, të cilën aktorja Nigela Ruka e solli disa ditë më parë në skenën e Teatrit të Metropolit, në komedinë “Qiell i heshtur” nën regjinë e Armela Demajt. Çdo rol është një jetë tjetër e jetuar për një aktor, një jetë që lë gjurmët e saj dhe kur roli ka përfunduar. Më poshtë, Nigela tregon çfarë ka mbetur nga Henrieta tek ajo…dhe pse i përkasin dy kohëve të ndryshme për sa i përket raportit të gruas në shoqëri.

Si ishte të ishe nën lëkurën e Henrieta Levit?

Henrieta Levit nuk mund të them se qe e lehtë si personazh, pasi për jetën e saj dihet shumë pak. Dhe puna e një aktori nis me hulumtimin e biografisë së personazhit. Mungesa e informacionit nuk më ndihmoi, por vullneti dhe këmbëngulja e saj si studiuese më krijoi ide më të qartë, natyrisht që analiza e tekstit të shkruar me mjeshtëri më qartësoi edhe më shumë për figurën e Henrietës. Dita-ditës personazhi m’u shpërfaq edhe më i plotë dhe i kuptuar për t’u mishëruar.

Qielli është limiti, thotë ajo, për ju çfarë është qielli?

Qielli është i pamasë, i bukur, ftues, intrigues. Ai i natës plot yje i magjishëm. Këtej e tutje, sa herë që do ngre sytë lart e di që qielli do të më kujtojë edhe Henrietën.

Cilin nga momentet në jetën e këtij personazhi do më shumë dhe cili të dhemb më shumë?

Momentin e zbulimit të saj, natyrisht. Imagjinoj sa shumë ajo e ka shijuar dhe sa i bukur e vetëpërmbushës ka qenë për të ai moment. Ajo që më dhemb është jeta e saj e pajetuar “mirë”, orët e tëra, net e vite në Observator duke studiuar yjet. Më dhembin momentet e tjera që ajo nuk i provoi e jetoi.

Sa frymëzuese mund të jetë një personazh i tillë për shekullin e XXI?

Një personazh i tillë është frymëzues për çdo kohë, e për çdo njeri. E them me siguri këtë.

Çfarë do ndryshoje në jetën e saj?

Do doja të ndryshoja handikapët e saj. Henrieta nuk dëgjonte e nuk shikonte mirë.

Çfarë mund të thoshit për Nigdën si aktore?

Asgjë më mirë se rolet nuk mund të flasin më drejt për aktorin.

Cila është fjalia që do marrësh gjithnjë me vete pas këtij roli?

Dikur mendoja se për të qenë e gjallë, kisha nevojë për të gjitha përgjigjet. Doja të dija! Por e vërteta është se universi nuk e ndien nevojën të njihet, ndërsa ne njerëzit, po!

Leave a Reply

Your email address will not be published.