Teater

Çka i duhet teatrit shqiptar sot? Drama shqipe, regjisor të huaj…

Drama “Brisku” me dramaturgji e regji të Naser Shatrollit më 14 maj, në skenën e teatrit eksperimental “Kujtim Spahivogli”

Gjithçka ndodh në një berberhane, ku të rinj shpalosin ëndrrat e tyre për një jetë ndryshe. I lidhur ngushtë me teatrin, Naser Shatrolli e ka shkruar vetë dramën “Brisku” duke futur në dialogët dhe historinë që vjen nga një dhomë e zakonshme historinë e asaj çfarë po ndodh me Kosovën sot. Një dramë që mbart brenda të shkuarën dhe të tashmen, duke synuar të përcjellë për shikuesit ndjesinë e një dramaturgjie bashkëkohore, është ngjitur në skenë po nën regjinë e Shatrollit. Më 14 maj, ora 20.00, kjo dramë e teatrit “Istref Begolli” do të ngjitet në skenën e teatrit eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Në role interpretojnë aktorët Fidan Moni, Aida Alidemi, Hysen Binaku, Agon Bala, Flormend Shabaj, Fisnik Sykaj, Fitore Broqi. Nën skenografinë e Mentor Berishës dhe muzikën e Drinor Zymberit vepra do të ngjisë në skenë një dramë, ku shikuesi do të largohet duke marrë me vete ndjesitë e aktualitetit. “Është format që futet brenda kornizave të absurdit, por që mishërohet me jetën dhe vërtetësinë e një mendësie të tërë kosovare në një rrethanë kur Kosova është e lodhur, mërzitur, kur të rinjtë nuk shohin dritë përtej qepallave të tyre, dhe, për të ushqyer sy e mendje, ata do të lëvrojnë ide brenda një dyqani të vjetër parukerie se si të gjenden rrugët për të lëvizur në Amerikë”, thotë Shatrolli.

Është dramë tipike bashkëkohore – format kamertal, të cilin e rrethon publiku në të katër anët e skenës. Aktrimi është frymë filmike, dialogët janë të ndërtuar në kontekstin e një fryme dokumentare. Në qendër është historia e një të riu nga Kosova i cili kthehet nga Iraku me idenë për të ndërtuar shtëpi të re, por do ta humbasë gjumin. Jeta e tij, rrjedha e tij, është përplot ankth. Në momentin që atakohet me briskun, atij do t’i faniten skena tmerri nga Iraku….Më poshtë regjisori Shatrolli tregon se si e ka konceptuar këtë vepër.

“Brisku”, një dramë mbi Kosovën e sotme, cila është historia e kësaj drame? 

“Brisku” sendërton një histori të rinjsh, të cilët ëndrrat e tyre, entuziazmin e zjarrtë që i djeg brenda vetvetes do ta përshfaqin në një lokal – hapësirë “Berberhane” ku prehen, thuhen, përtypen thashetheme, për rrjedhën e një jete të tërë qoftë e vjetër ajo e cila mund të shikohet si film, ku do të luante Bekim Fehmiu dhe emra tjerë e deri në ditët e sotme kur kjo lloj jete e vjetër do të zëvendësohej me Tom Hanks ose filmin amerikan që do të mbulonte kulmin e shtëpisë njerëzore në botë. Kështu, dalin të jenë pretendimet e këtyre personazheve se kah duhen orientuar tabelat e rrugëve të tyre, meqë njëra nga rrugët quhet “Ibrahim Rugova”. Historia në kuptimin tematik – fabulës ndërlidhet me një kosovar që ka shkuar në Irak për të punuar tek amerikanët dhe për amerikanët, me idenë për të ndërtuar diçka të mirë në qytetin e tij. E vërteta është se ai ndërton ëndrrën e tij këtu, por humbet gjumin meqë fiton trauma nga gjithë rrjedha e asaj çka ka parë e përjetuar atje. Brisku ndërlidhet me këtë djalosh, me këtë histori, me këtë filozofi meqë është prezent në secilin xhep sot dhe në secilën shtëpi.

Ka disa emra konkretë në këtë vepër, si Bekim Fehmiu, Ibrahim Rugova, Tom Hanks…Cila është simbolika e këtyre personazheve?

Ndërlidhet e shkuara jonë historike, rrjedha jetësore qoftë ajo film, apo vërtetësi kohore. Përderisa e tashmja, bota amerikane është e konceptuar ndryshe nga Lindja ose nga bota tjetër, meqë ata për një ushtar të tyre e shkelin botën me këmbë – “Shpëtoni Ushtarin Rajan” është simbol i paqes, është mesazh se bota duhet çliruar, botës i duhet paqja, njerëzit kanë nevojë për liri konkrete dhe jo për fraza e lule fetare apo politike. Edhe Rugova ndërlidhet me pëllumbat paqësorë. Në të njëjtën kohë, flasim dhe për një brez që nuk njeh filmin shqiptar, nuk shikon asgjë përtej hundës, nuk di cila është e kaluara e tyre. Është sintezë që ndërlidhet mes filmit dhe jetës që jetojnë. Është më mirë të jetojmë si në film apo të punojmë dhe të bëjmë jetën film.

Pse personazhi kryesor është i sapokthyer nga Iraku, a është një përzgjedhje provokuese kjo, mbi atë çfarë ndodh sot në Lindjen e Mesme? 

Personazhi kryesor është real, mendësi reale, e cila është kthyer nga atje. Është ide që ndërlidhet me intuitën, me energjinë e madhe rinore që ka Kosova të akumuluar nëpër secilën shtëpi, por që nuk do të kenë mundësi ta sendërtojnë atë plan njerëzor e rinor në hapësirat e veta ku ata banojnë dhe për të shprazur gjithë kapacitetet e tyre, ata do të marrin rrugët e kësaj bote lindore e cila, ndonjëherë, të duket se është profit i mirë për xhepin, por del të jetë sëmundje për rrjedhën jetësore, për perspektivën e të bërit jetë në miqësi, shoqëri e familje.

Dikush e do Amerikën – kampet amerikane, dikush ka humbur gjumin në Irak për të bërë një shtëpi të re në Kosovë me kamera e roje. Dikush lustron çizme ushtarake për t’i futur në punë edhe njëherë… na e shtjelloni pak këtë fjali…

Janë disa personazhe brenda shfaqjes që e duan jetën edhe në kampe sikur ta kishin mundësinë për të fluturuar atje, dikush ka shijuar kampet amerikane në Irak, është kthyer për të fjetur në kampet e veta jetike të vendlindjes, por gjumi i ka mbetur në Irak, të tjerë, kanë ndërtuar shtëpi me kamera meqë jetojnë me perçen e zezë lindore në formë të briskut të zi që nuk do të përdorej për të qëruar mollë, por për të prerë koka njerëzish. Ka të tjerë personazhe që lustrojnë çizme me idenë për të kapur dhe një herë malin, meqenëse janë të mbushur me mllef e vrer nga stuhia kohore, e cila sjell pak ujdi jetese.

Ju jeni aktiv në jetën teatrore, si e shihni teatrin që bëhet sot në Kosovë dhe Shqipëri?

Teatri ka nevojë për regjisorë dhe për organizim të mirëfilltë dhe dinamika tjera që do të mund të ngjasonin me rajonin e botën aty këtu. Në Kosovë, organizimi teatror përgjithësisht është në rënie dhe në krizë të theksuar. Teatrot e qyteteve janë drejt shpërbërjes meqë aktiviteti qenësor është i vakët, në rënie, dhe entuziazmi për të zhvillim artistik më të avancuar nuk duket se ka diçka që të përpin, të bën për të besuar, për të menduar, të paktën me të shtyrë do të ishte mirë. Edhe në kryeqytet, po ashtu, nuk është ai vrulli teatror siç ishte pas luftës, dhe ajo gama e gjerë e shfaqjeve të mira dhe therëse. Sot, ka teatër atje, por harron lehtësisht çfarë ke parë kur del nga teatri në shumicën e herëve. Përpëlitje, shpenzohen para, ka tendenca, por nuk ka zhvillim qenësor dhe inovacion kulturor që do të arsyetonte Kosovën e sotmen teatrore. Në Shqipëri, dinamika e punës është më e avancuar, organizimi teatror është i diktuar dhe në harmoni me kërkesat kohore, ndërsa, ajo çfarë serviret në sofrën kombëtare ngelet edhe më tej brenda sofrës kombëtare, nuk ka shpërthyer ende uji artistik përtej digës kombëtare. Teatri shqiptar duhet të ridimensionojë strategjitë artistike, vizioni teatror do të ndryshojë kursin e tij nëse ftohen regjisorë me famë ndërkombëtare, do të ndikonte drejtpërdrejt në avancimin e përgjithshëm artistik teatror. Pra, hyrja e një fryme globale në rrjetin e përgjithshëm teatror kombëtar e përtej kombëtar, flas për rrethe ku kultivohet arti, drama shqipe do të ndikonin të gjithë në të mirën e skenës sonë. Kjo është ajo që i duhet teatrit shqiptar sot. Gjuha shqipe, drama shqipe, temat shqiptare, regjisorë të huaj. Ky kombinim ka për të ndikuar edhe në dramaturgji, edhe në zhvillim dhe arsyetim të përgjithshëm. Nuk ecën përpara me dramaturgji të madhe botërore teatri shqiptar, s’kemi nevojë, ka humbur interesi i publik i publikut. Megjithëse në Tiranë, publiku është më i madh dhe nuk mund të krahasohet me Prishtinën. Gjithsesi, teatri është prezent çdo natë, ka repertor dhe ka ambicie individuale për të bërë diçka të veçantë, por teatri nuk është pikturë, ajo është familje dhe përparimi qenësor ecën kur punohet në këtë sens dhe me këtë model zhvillimi. Teatri mundet lehtë me vdekë nëse vazhdon të imitojë vetveten. Megjithëse unë besoj në teatër dhe jam optimist jashtëzakonisht në rritjen e teatrit shqiptar kudo qoftë ai.

Si e shihni zgjedhjen te një dramë shqipe me një regjisor të huaj?

Është duke punuar një dramë të Teki Dervishit nga një regjisor maqedonas këto ditë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, është kënaqësi kur punohet drama shqipe. Përkthehet së pari, ata krijojnë idenë e saj, mësojnë për historinë tonë, kuptojnë më mirë kush jemi ne, e verifikojnë me fakte dramën shqipe – dramën tonë që kemi aq të madhe, dhe është në dobi teatrore meqë këta regjisorë i hapin rrugët dramës shqipe për të shtegtuar nëpër skena ndërkombëtare. Është duke u përkthyer Kadareja dhe duke u dramatizuar nga një dramaturg i huaj, pra, në Kosovë veç është duke u jetësuar kjo logjikë teatrore. Fundja, drama shqipe nuk mund të kopjohet nëpër internet. Është tematika që kërkon regjisurë inovative, qasje dhe ide origjinale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button