Home / Arte / Libri / Louis Aragon: Për Elsën

Louis Aragon: Për Elsën

Elsa-triolet-1925-228x320Sytë e tu janë aq të thellë sa duke u përkundur për të pirë / Pashë të gjithë diejt të vijnë të pasqyrohen / të hidheshin për të vdekur të gjithë të dëshpëruarit / Sytë e tu janë aq të thellë sa më humbin kujtesën… Louis Aragon i shkroi këto vargje në tryezën e punës së Elsës, teksa ajo nuk ndodhej në shtëpi. Elsës i pëlqente të shkruante në dhomën e gjumit. Kur Parisi jashtë zhytej në errësirë dhe trupi i një burri prehej në gjumin e thellë bri saj, ajo ngrihej dhe kalonte orë të tëra pranë makinës së shkrimit. Ajo, gruaja me sytë e mëdhenj e të zinj, e veshur me fustane nën gju, që pëlqente t’u ngjiste një lule, si për të treguar brishtësinë e saj.

Louis Aragon dhe Elsa Triolet, dy protagonistë të rëndësishëm të letërsisë franceze, u takuan për herë të parë në vitin 1928, rastësisht, në “La Coupole”, në bulevardin “Montparnasse”, kur një ditë më parë, Aragon kishte njohur Majakovskin.

Ata do të hynin në historinë e letërsisë jo vetëm si dy letrarë të mëdhenj, por dhe si dy dashnorë të mëdhenj të shekullit XX.

Përpara se të njihej me Elsën, Aragon kishte një lidhje të gjatë me Nancy Cunard, lidhje e cila u prish për shkak të varësisë që Nancy kishte nga alkooli. Elsa ishte diçka tjetër në jetën e tij. Ai e ndjeu kur për herë të parë u ul me të në një nga kafenetë e Parisit. Duart e saj, vështrimi, u ngjasonin poezive që ai shkruante. Një burrë shkruan në vargje përfytyrimin e tij dhe Elsa dukej sikur kishte dalë nga ky përfytyrim. Lidhja e dashurisë mes Louis Aragon dhe Elsa Triolet do të befasonte të gjithë ata që mendonin se çifti nuk do të mund t’i shpëtonte ndarjes, për shkak të temperamenteve të ndryshme që kishin. Ata do të jetonin bashkë 42 vjet, duke influencuar në letërsinë e njëri-tjetrit. Butësia e stilit të Elsës ndihet në letërsinë që Aragon shkroi pas lidhjes me të.

Një ëndërrimtare e madhe, Elsa dukej sikur kishte dalë nga librat e klasikëve francezë. “Ëndërrimtari i vërtetë është ai që ëndërron të pamundurën”, do të shprehej ajo. Në jetën e saj, Triolet e takonte të pamundurën. E njohur si shkrimtarja e romancave, Triolet krijoi në libra ëndrrat e saj. Gratë që ajo përshkruan janë ëndërrimtare të pandreqshme dhe besojnë deri në fund tek ajo që dëshirojnë. Ashtu si gruaja te “Luna Park, letra dashurie”, e cila besonte se diku në hapësirë ekzistonte vërtet planeti i dashurisë, “Luna parku” i saj. Në shqip ajo është e njohur me librin “Trëndafili me kredi”. Por Triolet nuk ishte vetëm një shkrimtare që i pëlqente të shkruante romanca, por dhe një grua e angazhuar në jetën politike franceze. Shumë herët ajo përfaqësoi idetë e majta, duke u bërë pjesë e Partisë Komuniste.

Triolet do të ndikonte në pikëpamjet politike të Aragon duke e bërë të besonte te Partia Komuniste franceze. Dhe pse bindjet e tyre politike do të tronditeshin më vonë me zhvillimet që mori kjo forcë në Francë, ata deri në fund mbetën besnikë të idealeve që besuan. Në librat që shkruan ata nuk ngurruan të thoshin të vërtetën, pavarësisht ideologjisë. Ata e thanë të vërtetën, pa pasur turp për atë që kishin shkruar më parë, veçanërisht në kohërat e turbullta kur pushtetet kërkojnë të përfitojnë e të mbahen në kurriz të idealeve dhe të utopisë.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Paul Eluard, Louis Aragon, André Malraux, André Gide, ishin ndër autorët më në zë të letërsisë franceze dhe që të katër me një shpresë për të ardhmen e proletariatit botëror. Por shpejt, shpresat e tyre do të veniteshin dhe bindjet do të ndryshonin. Që në librin e saj “Takimi i të huajve” më 1956-n, Elsa Triolet shkruante në atë kohë për klimën e urrejtjes e të frikës në radhët e komunistëve francezë. Proceset politike në Bashkimin Sovjetik dhe në gjithë Lindjen e Europës linin gjurmë në shpirtrat e tyre, ashtu siç do të linte gjurmë vrasja e Gorkit me urdhër të Stalinit. Gorki ishte tmerruar nga proceset kundër intelektualëve, madje kishte kërcënuar se do të fliste. Ai donte të shkonte në Itali, por shpejt atë e helmuan dhe bashkë me të u zhdukën nga kjo botë dhe ata që qëndronin rreth tij, mjeku i tij, sekretari dhe infermierët. Një vit më vonë, më 1957-n, në librin tjetër “Monumenti”, Elsa Triolet shkruan për historinë e një skulptori, të cilit i kërkojnë të bëjë një monument për Stalinin. Por në fund, ai e shikon se s’ka bërë asgjë me vlerë. Ai do ta shkatërrojë veprën e tij, por partia i bën presion dhe më së fundi e shtyjnë të marrë ca para dhe të pranojë. Të gjitha paratë ai vendos t’ua japë të verbërve që kurrë s’do ta shohin atë vepër, derisa më në fund ai vret veten… Ishte një histori reale që kishte ndodhur vite më parë në Pragë. Triolet nuk donte të heshtte ndaj asaj çfarë po ndodhte me komunizmin në Lindje.

Në vitin 1959, Elsa ishte 60 vjeçe. Ajo nuk donte që ata të heshtnin për atë çka ndodhte në Lindje, si dhe në gjirin e komunistëve francezë. Në një letër, ajo i shkruante Aragonit, të dashurit të saj: “Ti harron që ne jetojmë në epilogun e jetës sonë dhe se pastaj s’ka asgjë për të thënë… por të tjerët më pas do t’i thonë ato…” Ajo ishte tronditur nga proceset politike që vazhdonin në Bashkimin Sovjetik dhe të vërtetat mbi atë çka ndodhte dhe për jetën në gulagët e Siberisë, ku mbylleshin e vdisnin të burgosurit politikë, mes të cilëve shumë intelektualë. Ajo ndiente tashmë një frymë antisemitizmi tek udhëheqësit e Bashkimit Sovjetik. Por dhe nga udhëheqësit komunistë francezë ajo e ndiente që atë e shikonin me sy jo të mirë dhe se ajo po e shtynte Aragonin t’i largohej partisë së tij: “Ishte e lodhshme të shikoja që partia e burrit tim, shkruante ajo, të më shikonte si një të huaj. Për “idiotët” e Partisë Komuniste franceze, a nuk isha në fund të fundit një ruse, në mos një ‘ruse e bardhë’ dhe për më tepër një emigrante çifute e kundërvënie ndaj Bashkimit Sovjetik?” … Po, dhe Aragon ishte i një mendimi me të, jo thjesht se Elsa ishte dashuria e tij më e madhe, por dhe pse ai po e kuptonte se ideja e marksizmit po degjeneronte, se stalinizmi po triumfonte përsëri në Bashkimin Sovjetik. Ishte Elsa ajo që do ta shtynte Aragonin të mbronte Boris Pastërnakun pas botimit të romanit “Doktor Zhivago”. Angazhimi i tyre ishte përtej librave. Kur Elsa mbylli sytë përgjithmonë në vitin 1970, për Aragon tashmë kishte ardhur errësira. Ai nuk e pranoi asnjëherë ikjen e saj. Për vite me radhë ai nuk preku asgjë të saj, as rrobat, as librat asgjë. Do të duhej kohë deri sa ai të kthehej sërish kafeneve dhe rrugëve të Parisit. Mbrëmjet e tij më pas, ishin një rikthim në të shkuarën që kaloi me të, për ta përshkruar në librat që shkroi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.