Home / Arte / Ekspozita / Të mos e tradhtosh pikturën

Të mos e tradhtosh pikturën

Adrian Çene/ Artisti vjen për herë të parë me një ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve. Pesë tablo nudo mes 70 punimeve që sjellin një dimension tjetër të artistit

Ardian Cene

Çene është një prej artistëve modernë shqiptarë, i cili jeton dhe krijon në mjedisin artistik të Tiranës. Krijimtaria e tij ka kaluar përmes përshtatjes së kërkimeve individuale në botën e pafund të trajtesave që arti i ditëve të sotme i sugjeron çdo artisti. E rëndësishme është se kërkimet e tij nuk kanë reshtur, madje përmes tyre zbulohen kalime të guximshme, që për një piktor janë shpeshherë ballë rreziqeve të paparashikueshme, të cilat marrin emrin e thjeshtë “Imitim”

Një nudo është gjithnjë e bukur. Gruaja e ulur në karrige me duart e vendosura shkujdesur në këmbët e hapura nuk është vetëm sensuale. Në trupin e saj të zhveshur e ndien me një vështrim shqetësimin brenda saj. Të njëjtën ndjesi të jep dhe tabloja tjetër, ku një nudo e shtrirë në shtratin me mbulesë të kuqe me pika, kërkon të joshë me mënyrën e qëndrimit. Në fytyrën ku artisti i ka fshehur tiparet është misteri i saj. Një nudo mund të flasë me shumë gjuhë dhe mbart po aq të fshehta sa një trup i veshur. Prej shekujsh, piktorët vijojnë ta shohin nudon si përkryerjen e madhe të artit. Duket si një pikë takimi me të vërtetën, kur ajo shfaqet sa e qartë aq dhe e mjegullt. Adrian Çene i është rikthyer nudos shpesh në punët e tij. Jo vetëm si një tërheqje ndaj së bukurës, por dhe si një sfidë e një artisti që kërkon të hulumtojë stilin e tij, për të gjetur përkryerjen. Janë 5 tablo nudo mes 70 punimeve që ai ka zgjedhur për t’i prezantuar në ekspozitën e tij të parë personale që do të hapë më 6 gusht në Galerinë Kombëtare të Arteve. Nën titullin “Manipulation”, ekspozita sjell një dimension tjetër të artistit, tashmë më të rritur në rrugëtimin drejt artit. I zhytur në një lojë estetike, ai manipulon imazhet, duke i formësuar në një formë tjetër. Një lojë që të kujton realitetin e përditshëm ku tjetërsimi ndihet jo vetëm në marrëdhëniet njerëzore. E ndërsa gjithçka nisi si lojë, më pas u bë një domosdoshmëri e riformësimit të imazheve të veta përmes manipulimit mbi një imazh krejt të varfër, siç është fotografia konsumiste mediatike. “Ajo është një figurë me informacion shpeshherë të rremë dhe kjo bën që destinacioni i saj i fundit të jetë përdorimi njëherësh dhe hedhja tutje. Riciklimi i saj u bë bazamenti fillestar i përpunimeve të Adrian Çenes, i cili ndjeu se duke manipuluar imazhe të tilla përmes pikturimit dhe veçimit të detajit, që e ngacmonte më shumë, krijonte një realitet të ri, të ndryshëm nga piktura me vaj, por të afërt me procesin dhe lojën e tij foviste të ushtruar vite me radhë. Në këtë proces ai e çrregullon imazhin ekzistues dhe ia ndryshon informacionin fillestar, por nuk ia humb zanafillën apo imazhin e memorizuar”, shkruan për ekspozitën studiuesja Suzana Varvarica. Me shpejtësi, imazhet e manipuluara, të reja në vizion dhe të formësuara në detaj të Çenes, të afrojnë me fenomenin e kënaqësive të dyshimta të njeriut mbi botën e sendeve, mbi vetë botën njerëzore dhe mbi tipologjinë e ndërtimit të banesës ku jeton. “Në brendësi të këtyre botëve lëviz me shpejtësi mendimi i banorit për ndryshim të pamjeve të tyre, duke mos e përfillur as memorien e hershme, as atë më të renë. Ndryshimet e shpejta të imazheve të tyre janë konsumi më absurd dhe burim i kënaqësive të dyshimta, të cilat qenia njerëzore është e destinuar t’i harrojë”, shkruan Varvarica. Prej 20 vitesh Çene është një artist që vepron në skenën e artit në vend. Piktura është forma përmes së cilës ai ka dashur të shprehet. Nga tablotë që na zhysin në natyrë, tek ato shpesh abstraksioniste apo portrete që duken sikur janë një vizatim psikologjik i personazhit, Çene ka treguar se është një eksplorues i botës njerëzore. Dhe në tablotë më abstraksioniste ai ka treguar se është sentimental. Këtë e ndien teksa sheh dhe trupat pa fytyrë të personazheve që ka zgjedhur në këtë ekspozitë. Stili i tij shprehës ndihet nga një tablo në tjetrën, si një piktor që kërkon të shohë në thellësi. Ndoshta se ai vazhdon të jetë një artist që beson te piktura dhe nuk e ka tradhtuar atë. Pavarësisht tendencave që ka sot video-arti, fotografia, apo instilacionet si forma tepër të kërkuara artistike që japin një impakt më të shpejtë, Çene beson në ecjen e ngadaltë, por të bukur, të pikturës. Piktura është sfida e tij, një sfidë që e ka dashuruar që kur herët zbuloi forcën e ngjyrave. Një sfidë që e ka rritur artistikisht, teksa sheh punët e kësaj ekspozite. Por çfarë ka ndryshuar me artin e tij ndër vite? “Tashmë e shoh veten gjithnjë e më tepër drejt së vërtetës artistike. Edhe nëse dështoj në një tablo, të paktën kam qenë në kërkim të së vërtetës”, thotë ai. Çene nuk beson tek arti i angazhuar. Imazhi i artistit që ai ka në mendje, të çon në përfytyrim te një piktor që kalon orë të tëra në studio, deri në gjetjen e perfeksionit artistik. Kjo është mënyra sesi ai ka ndërtuar ditë pas dite punën e tij, duke u marrë me një tablo gjatë, deri sa ajo të marrë formën e përfytyrimit që ai ka në mendje. Një përfytyrim që shpesh mund ta lërë me muaj të tërë një tablo të papërfunduar, dhe ndodh që merr formë në një çast. “Më intereson loja që krijon ngjyra me imazhin”, thotë ai teksa mundohet të shpjegojë procesin e një pune. Për Varvaricën, Çene është një prej artistëve modernë shqiptarë, i cili jeton dhe krijon në mjedisin artistik të Tiranës. Krijimtaria e tij ka kaluar përmes përshtatjes së kërkimeve individuale në botën e pafund të trajtesave që arti i ditëve të sotme i sugjeron çdo artisti. “E rëndësishme është se kërkimet e tij nuk kanë reshtur, madje përmes tyre zbulohen kalime të guximshme, që për një piktor janë shpeshherë ballë rreziqeve të paparashikueshme, të cilat marrin emrin e thjeshtë ‘Imitim’”, shkruan ajo. Çene u dallua në rreth 20 vite të rrugëtimit të tij të parë, për një pikturë ku dominoi ekspresiviteti figurativ i sendeve të abstraguara, kontrasti në marrëdhëniet e ngjyrave dhe përdorimi i një linje të plotë vizatuese. Ai krijoi një gjuhë vizuale përmes ngjyrave, të cilat janë pushtueset e para të telajos së tij. Ai pikturoi me gjallëri dhe promotori i tij emocional krijoi sipërfaqe me ndjesi të forta foviste, ku detaji natyror abstragohej dhe shfaqej prej ushtrimit të një peneli me presion ekspresiv. Në ekspozitën që do të hapë më 6 gusht në Galerinë e Arteve, ai prezanton 70 punime në teknikën tempera-akrilik, mbi letër dhe akuarel mbi letër. Kjo ekspozitë është prezantimi i tij i parë në Galerinë Kombëtare të Arteve, pas ekspozitave që ka hapur në Europë apo galeri të tjera private në kryeqytet.

Leave a Reply

Your email address will not be published.