Bota

Vritet shefi i Hezbollahut, Mustafa Amine Badreddine

Komandanti më i lartë ushtarak i lëvizjes së Hezbollahut në luftën siriane ka mbetur i vrarë në Damask. Lajmin e bëri të ditur vetë organizata ushtarake me bazë në Liban. Mustafa Amine Badreddine humbi jetën në një shpërthim të fuqishëm pranë aeroportit të kryeqytetit sirian, siç pohon Hezbollahu në një deklaratë të publikuar në rrjetin e tij Al Manar.

Badreddine akuzohet për vrasjen e ish-kryeministrit libanez Rafik Hariri në vitin 2005, në Bejrut. Hezbollahu mbështet presidentin Bashar Al Asad dhe ka dërguar mijëra luftëtarë në Siri. Thesari amerikan që vendosi sanksione ndaj Badreddine në muajin korrik, tha në atë kohë se ai ishte përgjegjës për operacionet ushtarake të Hezbollahut në Siri që prej vitit 2011, përfshirë lëvizjen e luftëtarëve të kësaj organizate nga Libani në Siri, në mbështetje të regjimit të Asadit. Televizioni libanez al-Mayadeen pohoi më herët se 55-vjeçari kishte vdekur si pasojë e një sulmi ajror izraelit, një pretendim ky ndaj të cilit Tel Avivi nuk ka reaguar ende.

Ndërsa njoftoi vdekjen e komandantit ushtarak, Hezbollahu tha në një deklaratë fillestare se ai kishte marrë pjesë në shumicën e operacioneve të rezistencës islamike që prej vitit 1982. Në një deklaratë të dytë thuhej se ishin hetimet ato që do të përcaktonin natyrën e shpërthimit, nëse bëhej fjalë për një sulm ajror, raketor apo me artileri.

I lindur në vitin 1961, Badreddine besohet të ketë qenë një figurë e profilit të lartë në krahun ushtarak të Hezbollahut. Ai ishte kushëri dhe kunat i Imad Mughniyeh, i cili ka qenë shefi i krahut ushtarak të grupit deri në vrasjen e tij në vitin 2008. Një pjesëtar i Hezbollahut i marrë në pyetje nga shërbimet kanadeze të inteligjencës e përshkroi Badreddine si më të rrezikshëm se Mughniyeh, mësuesin e tij të terrorizmit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button