Home / Opinion / Shpagimi për vendin e punës

Shpagimi për vendin e punës

FATJONA MEJDINI

banka-320x241Vjedhja e parave publike në Bankën e Shqipërisë prej ditësh po konfiguron problematikën me të cilën përballet administrata shqiptare, trashëgimi e tranzicionit të gjatë. Si një mikrokozmos i realitetit shqiptar, ngjarja, përveç efektit të rëndë financiar, nxjerr në pah dhe qëndrimin e deformuar të administratorit publik në raport me institucionet që e kanë zgjedhur dhe vetë shoqërinë.

Skandali financiar me koston 7 milionë dollarë, përveç mangësive të sistemit, po nxjerr në sipërfaqe edhe mëkatet institucionale dhe personale të drejtuesve ndër vite të shtetit shqiptar. Heshtja gati e padurueshme, me të cilën ata e shoqëruan këtë aferë, zë rrënjë në një nga problemet më të mprehta të tranzicionit shqiptar, atë të punësimit në administratë.

Punësimi masiv i familjarëve, të afërmeve dhe miqve të politikanëve në institucionin e Bankës Qendrore, të kthyer në një administratë oaz në Shqipërinë e etur për punësim dha efektin e parashikuar. Për këtë ngjarje, zëri i atyre të cilët duhet të jenë garantët e interesit qytetar, është i zbehtë, ndërsa zëri i opozitës ka humbur nën peshën e mëkateve të kaluara. Si rrallë më parë, elita drejtuese dhe ish-drejtuese e vendit, ndodhet bashkë, për të tretur në heshtje skandalin e rëndë financiar.

Memecëria e politikës shqiptare, për t’i kërkuar guvernatorit të Bankës llogaridhënie serioze deri në dorëheqje për këtë rast, duket si realizimi i mallkimit të vjetër “rëntë mbi kokën tuaj”. Pavarësisht se shqiptarëve u ka rënë mbi krye pesha e një tjetër skandali nga papërgjeshmëria publike, pesha e tij po rëndon mbi të gjithë ata, të cilët dështuan t’i sigurojnë këtij vendi sistemin e meritokracisë në administratë.

Politikanët shqiptarë po paguajnë me heshtje koston e administratës që ndërtuan, ku shpagimi për “vendin e punës” është denigrimi i personalitetit njerëzor dhe heqja dorë nga liria personale. Deri më sot, ky shpagim u takonte vetëm atyre, njerëzve të thjeshtë, ‘hallexhinjve’, që nën mëshirën e partisë së radhës në pushtet presin rrogën në fund të muajit. Tashmë rolet ndryshuan, politikanët, raca e paprekshme, mbartësit e pushtetit absolut e të pakohë, u helmuan nga çorba që gatuan.

Punonjësit e administratës shqiptare, për të ruajtur vendin e punës duhet të votonin, flisnin dhe gëzonin për sukseset e qeverisjes në mënyrë të organizuar. Sot, politikanët shqiptarë detyrohen të heshtin të organizuar për skandalin e vjedhjes së parave, për të ruajtur vendet e punës të fëmijëve të tyre. Cinizmi i deklaratave të disa të tjerëve mbi normalitetin e funksionimit të administratës po u kthehet në bumerang. Vjedhja e miliona dollarëve në institucion nuk mund të jetë kurrsesi një procedurë normale në një vend që synon efikasitetin e administratave perëndimore.

Sot nuk do të kishte heshtje nëse këta politikanë do të kujdeseshin që sakrificën familjare dhe mundin e fëmijëve për t’u shkolluar ta garantonin përmes një sistemi meritokratik në administratën shqiptare. Ata nuk do të ishin të pafuqishëm nëse do të besonin se dija dhe kultura që fëmijët e tyre kishin marrë në universitetet prestigjioze do të ishte e vetmja kartë për të kontribuar në administratë. Këta politikanë të zgjedhur dhe të besuar nga shqiptarët, nuk do të ishin pa zë, nëse nuk do të kishin pranuar favorizimin për të punësuar familjarët e tyre, mbi kurrizin e të tjerëve.

Sistemi i punësimit nepotik që ata krijuan, sot po i nxjerr të zhveshur përpara shqiptarëve dhe të përulur përpara kujtdo që i përdor mëkatet e tyre për t’i nënshtruar. Vendimmarrësit shqiptarë në rrugën e tyre të administrimit të shtetit kanë harruar se Shqipëria që po ndërtonin është e të gjithëve. Ajo nuk mund të jetë e një pale. Themelet e saj të rrënuara institucionale nuk mund të mbajnë dot krijimin e oazeve dhe realiteteve imagjinare. Sot ka ardhur momenti që ata të paguajnë për atë që krijuan. Ashtu siç kanë pretenduar se kanë ndarë me shqiptarët këto vite gëzimin për sukseset qeverisëse dhe proceset integruese, sot po ndajnë me ta mizerjen dhe mjerimin.

Leave a Reply

%d bloggers like this: