Home / Kryeartikull / Guvernator, përgjegjësia të urdhëron: Ik !

Guvernator, përgjegjësia të urdhëron: Ik !

ANDREA STEFANI

Andrea StefaniMë kot përpiqen ta mbrojnë me heshtje ose me deklarime, si ato të Ilir Metës, që rreken ta degdisin fajin për vjedhjen e milionave sa më larg guvernatorit. Qoftë edhe moralisht, Ardian Fullani nuk i shpëton dot përgjegjësisë për krimin më të rëndë që mund t’i ndodhë një banke qendrore, grabitjen e thesarit publik, ruajtja dhe miradministrimi i të cilit është misioni, shkaku i themelimit dhe funksionimit të Bankës. Thënë shqeto, guvernatori dhe gjithë punonjësit e Bankës paguhen nga taksat e shqiptarëve që as edhe një lek të mos humbasë a shpërdorohet. E jo më të vidhet. Por brenda Bankës janë vjedhur miliona. Për vite me radhë. Dhe jo nga hajdutë me maskë që mësyjnë befasisht apo natën, por nga brenda, nga bankierë. Supervjedhja fakton dështimin e sistemit të sigurisë. Po dëshmon mjerisht, falimentimin edhe të sistemit të përgjegjësisë. Dhe kjo është një humbje shumë më e madhe për shtetin, për publikun sesa humbja e disa miliona eurove. Banka ka dështuar të mbrojë paratë, por shteti po dëshmon falimentim në mbrojtjen e interesave të publikut. Banka ka dështuar. Pra edhe guvernatori ka dështuar. Prandaj, pavarësisht përgjegjësisë penale, ai duhej të kishte dhënë me kohë dorëheqjen. Moralisht dhe përgjegjshmërisht.

***

Në shtete të tjera, zyrtarë të niveleve të ndryshme largohen vullnetarisht për shumë më pak se kaq. Në Francë, nja dy ministra janë larguar vetëm pse u gjetën me shpenzime të tepërta të fondeve publike për zyrat e tyre. Bëhej fjalë jo për miliona, por për disa mijëra euro. Kaq i pasur është shteti shqiptar, pra edhe publiku, sa të tolerojë me “zemërgjerësi” vjedhjen e milionave?! Diku tjetër, një kryetar bashkie largohet nga posti pas kritikave se kish parkuar makinën private në një vendparkim për automjete zyrtare. Një ministër Transporti në Spanjë, ka dhënë dorëheqjen sepse u shemb një urë duke shkaktuar viktima. Mos vallë kishte faj për cilësinë e urës? A nuk do të kish qenë e mjaftë të ndëshkohej inxhinieri apo zbatuesi teknik? Në Shqipëri ndoshta po, por jo në një shtet europian, ku nuk është zakon që përgjegjësia hidhet nga lart si një kovë me ujë që qull deri në palcë vetëm të shkretët poshtë, ata që nuk bëjnë pjesë në kupolën e pandëshkueshmërisë.

***

Në fakt, edhe me ligjin shqiptar përgjegjësia nuk delegohet. Titullari i një institucioni shpërndan detyra, madje edhe përgjegjësi, te vartësit dhe bashkëpunëtorët. Por kjo nuk do të thotë se e transferon përgjegjësinë, duke e larguar atë nga menderja e vet. Për dështime me rëndësi strategjike për institucionin, përgjegjësia mbetet e tij. Mund të ketë edhe përgjegjës të tjerë. Por titullari mbetet përgjegjësi kryesor. Dhe në rastin e Bankës së Shqipërisë ka ndodhur një dështim strategjik. Më e pakta që urdhëron dorëheqjen e guvernatorit është përgjegjësia e paaftësisë për të parandaluar vjedhjen shumëmilionëshe. Është njësoj si të mbytet anija dhe kapiteni të mos mbajë përgjegjësi, por të justifikohet se fajin e kishin marinarët! Vetëm në Shqipëri ndodh kjo. Vetëm këtu shteti shembet dhe kryeministri shpallet pa faj, madje bëhet prapë kryeministër. Vetëm në Shqipëri një punishte sekrete e Ministrisë së Mbrojtjes hidhet në erë, duke shkaktuar dhjetëra viktima e rrafshuar dy fshatra dhe ministri i Mbrojtjes jo vetëm nuk ndëshkohet, por votohet si deputet e bëhet prapë ministër. Në Shqipëri vota shërben si lavatriçe e krimit. Vetëm në Shqipëri ndodh që gardistët të vrasin protestues para syve të ministrit të Rendit dhe ministri jo vetëm del pa faj, por si një yll në ngjitje, bëhet edhe kreu i opozitës dhe u shet moral shqiptarëve, duke u premtuar të ardhmen e ndritur. Ky është fundi i moralit. Raketa ngjitet lart dhe gjithë të tjerët janë si karburanti i saj. Ata digjen e sakrifikohen për lavdinë e saj. Çfarë poshtërsie dhe poshtërimi për të gjithë ne!

***

Në këto vite tranzicioni, në Shqipëri është krijuar një si biçim kupole e pandëshkueshmërisë. Ajo privilegjon titullarët jo vetëm në shpërblime, por edhe në ndëshkime. Ka vite që titullarët e institucioneve në rang ministri e lart zbatojnë moton: Të parët në lavdërime për arritjet apo sukseset dhe të fundit në ndëshkime për dështimet! Vetë titullarët janë të kujdesshëm të lartësojnë veten edhe më lart se institucioni që drejtojnë. Ata i atribuojnë vetes suksese që, në fakt, janë frutë i kolektivitetit institucional. Mjafton të hedhësh një shikim në website-t e disa institucioneve për të konstatuar triumfin e këtyre kulteve të pështira narciste. I gjen të përmbytura nga fotot e titullarëve. Meritë dhe medalje për gjithçka?! Atëherë pse jo dhe ndëshkim të merituar edhe për dështimet?

***

Heshtja e qarqeve politike të të gjithë krahëve rreth përgjegjësisë së guvernatorit na skicon një rrjetë të padukshme lakmish dhe pazaresh, ku duket sikur kanë ngecur të gjithë. Por nëse ekziston, një rrjetë e tillë mund të jetë krijuar vetëm duke abuzuar me paratë dhe postet e dhëna nga publiku. Vetëm me akraballëqe dhe me korrupsion. Vetëm me tramtën “më jep të jap”. Heshtja e politikës ne rastin “Fullani” është e frikshme, sepse të bën të dyshosh për embrionet e një oligarkie pluraliste dhe të korruptuar në kokë të politikës, e një aleance të fshehtë lakmish tinëzare që nuk ka asgjë të përbashkët me interesin publik. Ndaj atë që nuk e bëjnë dot titullarë a politikanë të ngecur në rrjetën misterioze, duhet ta bëjë publiku, shoqëria civile që në emër të moralit dhe përgjegjësisë publike duhet t’i thonë guvernatorit: Ik! Aq më tepër kur në Shqipëri nuk ka një drejtësi që ndëshkon kupolën. Shoqëria duhet të bëjë atë që dikton morali. Pastaj le të dalë edhe drejtësia kundër moralit dhe shoqërisë!

Leave a Reply

%d bloggers like this: