Home / Kryeartikull / Pse hesht presidenti !?

Pse hesht presidenti !?

Vjedhja marramendëse e 730 milionëve nga Banka e Shqipërisë është ngjarja më e përfolur e këtyre ditëve si në shtyp, po edhe kudo ku takohen dy shqiptarë qoftë në Tiranë apo jashtë shtetit.

 

Nga PETRO DHIMITRI

Në botë ka ndodhur të vidhen Bankat duke bërë tunele nën dhe ose edhe direkt nën presionin e automatikëve. Në disa vende ka patur edhe bankierë që kanë vjedhur, po për opinionin tonë ato na dukeshin si ngjarje filmash që nuk mund të ndodhin në Shqipëri thjesht për faktin,sepse që nga 1945-sa e këtej, veprimet e Bankës sonë shtetërore ishin tejet të kontrolluara. Kjo është arsyeja kryesore pse nuk kemi patur raste vjedhjeje të kësaj natyre. Kjo traditë e shkëlqyer e sistemit të kaluar duhej jo vetëm të vazhdonte , po edhe të përmirësohej më tej sipas përvojës së bankave më të zhvilluara të Botës Perendimore të cilat kanë ofruar ndihmë të vazhdueshme për specializimin e ekonomistëve tanë. Veç tjetër është të themi duhej të vazhdonte dhe tjetër na doli realiteti. Nuk dua të merrem me hollësitë apo stërzmadhimet e vjedhjes që në kësi rastesh janë dukuri normale. Dua të tregoj se ç’ndodhi me mua. Kur lexova për vjedhjen skandaloze, pyeta veten se kush duhej, të paktën të pezullonte, ose ta shkarkonte Guvernatorin e Bankës? Cili e ka atë të drejtë? Pse hesht Rama, kryeministri i zgjedhur nga populli me votë plebishitare?… Nuk mund t’i jepja vetes një përgjigje të saktë pa e ditur procedurën e emërimit të Guvernatorit të Bankës. Nga ky hulumtim doli se Guvernatori i Bankës propozohet nga Presidenti i Republikës dhe miratohet nga Parlamenti. Më 2011-tën ai u rizgjodh për një mandat të dytë 7 vjeçar. Atëhere tërhoqa menjëherë kritikën ndaj kryeministrit Rama, sepse i takon Presidentit Nishani të kërkojë pezullimin ose shkarkimin e tij. I takon Parlamentit të vendosë që procesi hetimor të zhvillohet jo duke qenë në krye të Bankës administratori i cili nuk qe i aftë të ruante paratë e Shqipërisë. Po deri tani zoti Nishani ka heshtur. Vetëm urdhërdhënësi i tij që nuk ka asnjë funksion partiak, zoti Berisha, ka thënë se Banka e konstatoi e para vjedhjen.Pra, e konstatoi Guvernatori. Aludimi është i qartë:” Mos prek Guvernatorin, zoti Nishani, se ai e zbuloi vjedhjen…Mos e prek atë se e kemi vendosur ne…” Në zbatim të “urdhërit” Presidenti ynë bën lojën e shurdh-memecit dhe hesht kur nuk i takon ta kyçi gojën. Mirë, e dimë se Presidentin e kemi të PD-së, po deputetët e maxhorancës socialiste pse nuk po veprojnë? Pse duhet pritur kaq gjatë? Në vendet demokratike instancat emëruese do ta kishin shkarkuar menjëherë Guvernatorin pas zbulimit të vjedhjes filmike. Si mund të punojë hetuesia kur Guvernatori nuk nuk po i jep asaj dokumentat e auditit të disa viteve të mëparshme? Nga paaftësia e tij dhe e nëpunësve të tij u bë vjedhja. Tani nuk dorëzon dokumentat që i kërkohen. Pse? Nga se frikësohet? Me që instituciuoni i dorëheqjes në Shqipëri nuk ekziston, pse të paktën sa për të lehtësuar hetimin nuk deklaron të qendrojë nja dy muaj mënjanë deri sa të zbardhet ngjarja? Nga e merr ai guximin për të vazhduar të mbajë postin? Si nuk po fajëson opozita maxhorancën për vjedhjen? Apo mos vallë nga heqja e Guvernatorit hetuesia do t’i ketë duart më të lira për të zbuluar edhe anomali të tjera që do të implikonin direkt figura të me peshë të PD-së? Ç’i djeg Berishës që del në mbrojtje të Guvernatorit? Një analizë tërësore e veprimtarisë së Bankës mund të nxjerri në shesh veprime që ne njerëzit e ndershëm nuk i kemi parë as në endërra.
Tani po rikthehem te Kryeministri Rama. Atij nuk i takon të anashkalojë Presidentin. Po kur ky nuk zbaton detyrën, kur populli është tejet i irrituar jo aq nga vjedhja sa nga mosmënjanimi nga detyra e Guvernatorit Fullani, kur shteti i kryesuar nga ai po përpiqet maksimalisht të luftojë korrupsionin, do të ishte e mirëpritur një bisedë në television, një intervistë, një diskutim në Parlament apo edhe ndonjë shkrim i tij, qoftë në Twitter, për të sqaruar e qetësuar popullin, si për vjedhjen dhe mosdorëheqjen ose mosshkarkimin e Guvernatorit . Në këtë mënyrë do t’u mbyllej goja atyre njerëzve që mendojnë se edhe kuadro të PS-së, të qeverisë që ju drejtoni, janë përfshirë në allishverishe me Bankën e Shqipërisë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: