Teater

Europa, një utopi

Me Jeton Nezirajn, për Festivalin e Letërsisë Polip, që po mbahet këto ditë në Prishtinë, teatrin, hapësirat kulturore dhe Europën

NGA ANILA SHUKA

Jeton Neziraj është një personazh i njohur i jetës kulturore jo vetëm në Prishtinë. Teatri dhe letërsia janë dy mediume ku ai operon. Prej disa ditësh në Prishtinë po mbahet Festivali i Letërsisë Polip, një krijesë e Nezirajt, e cila tashmë ka hyrë në edicionin e gjashtë. Gati 30 shkrimtarë janë bërë bashkë për të ndarë gjatë orëve të këtij festivali jo vetëm krijimet e tyre, por dhe për të diskutuar mbi temën e këtij edicioni, që këtë vit kërkon të grishë problemet e krizës së refugjatëve në Europë. Më poshtë Neziraj vjen në një bisedë për festivalin, hapësirat e tjera kulturore dhe Europën.

Jeton, jeni ndoshta personi më “i lëvizshëm” i letrave shqipe. Vetëm gjatë këtij viti keni qenë në 10 a 15 shtete. Kjo është diçka e jashtëzakonshme për një shkrimtar që, të paktën kështu mendohet, preferon qetësinë e “kullës së fildishtë”. Ku i shkruani shkrimet, në avion?

Në të vërtetë shkruaj edhe në avion, në rastet kur fluturimet janë të qeta. Por shkruaj edhe në aeroporte, në kafene (ta zëmë, dje, përfundova një skenë drame në kafenenë “Soma” në Prishtinë). Megjithatë, shumicën e kohës shkruaj në shtëpi, kryesisht mbas orës dhjetë të mbrëmjes, që i bie pasi ta ketë zënë gjumi vajzën e vogël timen, që tashmë është dy vjeçe. Kur nuk dua të shkruaj dhe kur bëhem dembel, gjej dhjetëra arsye për ta mbajtur veten larg të shkruarit. Megjithatë, në anën tjetër, kur dua të shkruaj, gjej gjithmonë kohë për të shkruar. Nuk më pengon zhurma përreth, por nuk më pengon as qetësia. Pra, nuk më duhen kushte ‘speciale’. Nuk është se shkruaj shumë, më së shumti ndoshta dy drama e gjysmë në vit dhe tek-tuk ndonjë artikull për botime të ndryshme apo për revista e gazeta.

Numri i dramave ka arritur ndërkohë në 20 dhe ato janë vënë në mbi 40 skena nëpër vende të ndryshme të Europës dhe SHBA-së. Por nuk është vetëm teatri që ju bën të jeni vazhdimisht në avion, por edhe politikat kulturore. Si për shembull, të dielën e kaluar, që shkuat në Berlin për të folur në Konferencën Ndërkombëtare të Shkrimtarëve Europianë. Çfarë thonë shkrimtarët kur bëhen tok?

Udhëtimet që pëlqej më së shumti janë ato që kanë të bëjnë me teatrin, me shfaqjet që realizojmë ne në Prishtinë dhe të cilat pastaj i shfaqim në vende të ndryshme në Europë. Kjo është një përvojë e jashtëzakonshme dhe shumë frymëzuese. Por udhëtoj shpesh, edhe për të marrë pjesë në premierat e dramave të mia që realizojnë teatro të ndryshëm apo kur ka lexime e prezantime nga dramat e mia. Udhëtimet më të mërzitshme dhe në të cilat shkoj me më pak vullnet janë ato ku më duhet të marr pjesë në ndonjë panel diskutimi ose ngjashëm. Kryesisht, këtyre të fundit u shmangem sa të mundem, por nuk është e mundur gjithmonë.

Pra, Berlini hynte te këto përvojat e mërzitshme?

Jo, nuk hynte krejt te përvojat e mërzitshme, sepse aty u lexua edhe një pjesë nga drama ime o.REST.es IN PEACE. Pata dhe një diskutim me një grup të rinjsh nga një shkollë gjermane, s’po ia kujtoj emrin. Konferenca Ndërkombëtare e Shkrimtarëve, ky ishte edicioni i dytë, i pari ishte zhvilluar në vitin 2014, e organizojnë Mely Kyiak, Nicol Ljubic, Antje Ravic Strubel, Tilman Spengler dhe Frank- alter Steinmeier. Në të vërtetë, ky i fundit është ministër i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, por në kohën kur ishte iniciuar kjo konferencë nuk kishte qenë në këtë pozitë. Gjatë dy ditëve përcolla edhe diskutimet e ndryshme që u organizuan në kuadër të këtij takimi.

Dhe ju dolët prej andej me një manifest. Përse i duhet letërsisë një manifest nën përkujdesjen e politikanëve?

Nuk e di nëse një ‘manifest’ që u formulua aty mund t’i shërbejë letërsisë, por ai besoj që i shërben mirë politikës. Nuk bëhet fjalë për një manifest ‘klasik’, por një kolazh qëndrimesh dhe pikëpamjesh të autorëve të ndryshëm, një ‘manifest shumë zërash’. Ai ishte i bazuar në disa pyetje që kishte shtruar konferenca për ne shkrimtarët, si: “Ku beson ti (ose ke frikë) se është qendra e Europës?”, “Si do ta përkufizonit literaturën europiane dhe çfarë roli luan ajo për ju?”, “Çfarë të bie ndërmend kur mendon për Europën?” etj. Unë përcolla një pjesë nga një monolog i shkurtër nga drama ime “PeerGynti nga Kosova”, me titull “Ëndrra europiane”. Po e jap këtu në variant të shkurtuar:

“Atje është botë tjetër. Qyteteve s’u shihet fundi, kurse ndërtesat në to kanë me qindra kate. Njerëzit ngasin makina të bukura dhe kanë shtëpi të mrekullueshme. Atje është si në parajsë. Secili shikon punën e tij dhe askush nuk ka problem me askënd. Të gjithë punojnë dhe bëjnë jetë të mirë, por jetojnë mirë edhe ata që nuk punojnë. Fushat janë të mbushura me pemë e perime që këtu s’i kemi parë dhe as kemi dëgjuar për to. Kur të mbetesh pa para, shkon në bankë dhe u kërkon, e ata të japin, pa qenë i detyruar t’ua kthesh prapë. Vajzat janë të dashura dhe ato nuk të refuzojnë kurrë. Shitoret e tyre i quajnë ‘supermarkete’, sepse kanë super ushqime. Mjalti atje është më i ëmbël se ky yni, kurse bora në male është e shijshme si një akullore. Qentë e tyre nuk të kafshojnë kurrë, kurse mushkonjat nuk të pickojnë, por vetëm të lëpijnë. Dyert e shtëpive i lënë të hapura ditë e natë, askush nuk vjedh gjë, sepse gjithkush ka gjithçka. Atje, jo vetëm pulat, por edhe gjelat bëjnë vezë. Atje është si në një ëndërr e mirë që do të dëshiroje të zgjaste përgjithmonë …”

Pra, Europa për ju është një iluzion?

Një farë utopie, gjithsesi, parë nga këndvështrimi ballkanik.

“PeerGynti nga Kosova”, i vënë në skenë nga regjisori gjerman Stefan Schletter, me aktorë kryesorë Ema Andrean dhe Besnik Krapi, Jonas Sjögren dhe Charles Toulouse, po shfaqet këto ditë edhe në Prishtinë në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë Polip, që këtë vit merret gjithashtu me një temë shumë aktuale politike: krizën e refugjatëve në Europë.

Rreth 30 shkrimtarë e operatorë kulturorë nga vende të ndryshme të Europës janë të përfshirë në lexime dhe diskutime gjatë tri netëve të festivalit, respektivisht, të premten, të shtunën dhe të dielën. Tema e sivjetme e festivalit ka titullin “Letërsia në shkretëtirën e së vërtetës: si mund të flasim për momentin bashkëkohor” dhe ajo adreson ‘krizën’ aktuale me refugjatë në Europë. Nga Shqipëria, veç Xhevahir Spahiut, i cili hapi festivalin ditën e premte, kemi edhe tri shkrimtare të shkëlqyera. Luljeta Lleshanaku dhe Flutura Açka, të cilat kanë edhe njohje ndërkombëtare, si edhe Sabina Veizaj, e cila, në të vërtetë, aktualisht është “Writer-in-residence” në programin tonë për shkrimtarë “Prishtina nuk ka lum”.

Veç leximeve në tri netët e festivalit, mbahen edhe katër panele, njëri prej të cilëve, që mbahet të dielën, merret me letërsinë e të “papërshtatshmeve politikisht” të viteve ’80 në Kosovë. Në këtë diskutim, gratë, ish të burgosura politike, pjesëtare të lëvizjeve ilegale, lexojnë poezitë, memoaret dhe tregimet e tyre mbi letërsinë e burgut. Ky panel do të moderohet nga Eli Krasniqi.

Lista e financuesve është e gjatë: Allianz Kulturstiftung, Goethe Institut, Ambasada Austriake në Prishtinë, Pro Helvetia, Traduki, Instituti Suedez, KFOS dhe Ambasada Suedeze në Prishtinë, pra, ka shumë përkrahës të huaj, por mungon Ministria e Kulturës e Kosovës. Cila është arsyeja dhe a ju dhemb ky refuzim nga vendi juaj? 

Fatkeqësisht as sivjet festivali nuk gjeti mbështetje nga Ministria e Kulturës dhe kjo është – e pakta që mund të thuhet – dëshpëruese. Nuk i di arsyet, por nuk besoj që ata kanë një arsye të qëndrueshme, pos shpjegimeve burokratike dhe të thata që japin zakonisht. Megjithatë, kjo nuk është diçka e re për punën tonë. Kjo situatë ka vazhduar për vite të tëra, në fakt, që nga edicioni i parë i këtij festivali dhe që nga themelimi i Qendrës Multimedia që e organizon festivalin. Mbështetje dhe njohje të punës që bën Qendra Multimedia nuk ka pasur asnjëherë nga Ministria e Kulturës. Por ndonjë mbështetje nuk kam pasur as unë si krijues. Ju duket e pabesueshme, por pavarësisht që janë mbi 40 botime ndërkombëtare të dramave të mia (në mbi 15 gjuhë), sivjet Ministria e Kulturës refuzoi të botojë një libër timin me drama. Ndërkohë që botohen dhe mbështeten autorë margjinalë. Kjo po, dhemb, por prapë nuk ndihem i befasuar. Sepse nuk është situatë e re. Kështu ka qenë dhe kështu vazhdon të jetë akoma, fatkeqësisht.

Në hapësirën shqipe ekziston një paragjykim se autorët shqiptarë e kanë të vështirë të çajnë në tregun europian me veprat e tyre. Ju jeni shembulli më i mirë që dëshmon të kundërtën. Cili është çelësi i suksesit tuaj?

Faleminderit për vlerësimin, por vërtet akoma nuk guxoj që të mendoj se jam një ‘shkrimtar i suksesshëm’. Megjithatë, deri këtu kam mbërritur me shumë punë, një punë këmbëngulëse dhe besim në atë që po bëja e që bëj. Tani, unë me profesion jam dramaturg dhe kjo, mund të thuhet, e vështirëson edhe më shumë punën. Sepse, dramat natyrisht, para se me botimet, lidhen me vënien në skenë. Dhe kjo, është punë Sizifi. Që një teatër në Europë të bindet për të vënë në skenë një dramë të një autori nga Kosova, ka qenë një rrugë e gjatë. Është së pari drama që shkruhet, kualiteti i saj, pastaj përkthimi (që gjithmonë është i vështirë) dhe pastaj të binden teatrot për ta inskenuar atë dramë. Kur kihet parasysh tregu i madh europian i dramaturgjisë, gjithçka bëhet edhe më e pamundur. Megjithatë, jam i lumtur me sa kam arritur deri tash, por e di që kam akoma shumë punë për të bërë.

Ku dëshironi ta shihni veten tuaj pas dhjetë vjetësh?

Vështirë të bëj këso lloj parashikimesh. Megjithatë, do të doja të isha në këtë rrugë ku jam tani, pra, duke shkruar drama, duke i parë ato të vihen në skenë, në më shumë skena, dhe duke pasur këto mundësi që kam tani, të udhëtoj dhe të takoj edhe më shumë njerëz e kultura të mrekullueshme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button