Kronika

Kreu i SHISH: Pajisja është, por nuk e di nëse është përdorur

Paraditen e së mërkurës nisi seanca dëgjimore e Komisionit të Sigurisë me kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi, drejtorin e Policisë së Shtetit, Haki Çako, prokurorin e përgjithëm Adriatik Llalla dhe ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
I pari që u shpreh për këtë çështje ishte Visho Ajazi, i cili tha: “Rreth 2 muaj më parë morëm informacion për një pajisje të teknologjisë së lartë që kishte ardhur në Shqipëri, në Vlorë. Ishte në një ambient trajnimi të policisë shqiptare. Kontaktova me prokurorin e përgjithshëm për këtë pajisje. SHISH-i informoi institucionet e shtetit, duke bërë detyrën, për një pajisje që mund të cënonte sigurinë kombëtare”.
Ajazi shtoi se kaq ishte detyra e institucionit që ai drejton: “Pas kësaj, e kishte në dorë prokuroria për të marrë informacione të mëtejshme. Nuk jemi interesuar kurrë se si është përdorur, ky është tagri i Prokurorisë së Përgjithshme. Nuk kishim mundësi për më shumë informacion. Nuk dimë se kush është përgjuar dhe pse është përgjuar. Nuk e kam parë kurrë pajisjen e përgjimit”.
Këtë informacion ai tha se e ka ndarë edhe me prokurorin e përgjithshëm gojarisht, por jo me kryeministrin, pasi nuk e kishte të konfirmuar ekzistencën dhe qëllimin e kësaj pajisjeje. Madje, ai i është përgjigjur edhe ftesës së Presidentit për t’i dhënë detaje në lidhje me pajisjen që, sipas tij, ndodhet në qytetin e Vlorës, por ai nuk e ka parë personalisht. Presidentit i është ofruar i njëjti informacion që kam ndarë edhe me kryeprokurorin Llalla, shtoi kreu i SHISH-it dhe asnjë informacion më tepër.
Disa minuta më vonë, i pyetur nga anëtarët e komisionit, ai u shpreh që kjo është një pajisje që për shtetin do të përbënte kënaqësi nëse do e zotëronim pasi është e domosdoshme për institucionet ligjzbatuese, por konfirmoi edhe një herë që ka hyrë në Shqipëri vetëm për arsye trajnuese dhe se nuk ka informacion nëse përdoret për përgjim.
Por ai e çoi më tej pohimin duke thënë se kjo pajisje, nëse përdoret për këtë qëllim, përbën rrëzik për sigurinë kombëtare pasi të gjithë personalitetet shtetërore e deri tek efektivi me më pak rëndësi i policisë, do të ishin vulnerabël ndaj përgjimeve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button