Rajoni

Në Bullgari pacientët paguajnë më shumë se në Perëndim

Kush sëmuret rëndë në vendet e varfëra të BE-së, është dy herë fatkeq: ai duhet të luftojë kundër sëmundjes, por edhe me një shërbim të pamjaftueshëm mjekësor. Në Bullgari pacientët paguajnë më shumë se në Perëndim.

“Nëse sëmurem sërish nga kanceri, mund të ndihmojë vetëm Perëndia”, thotë Daria Dimitrova. Ajo nuk e thotë këtë, se është besimtare e madhe, por nga dëshpërimi. Kujtimet e luftës së vështirë me sëmundjen e kancerit pesë vjet më parë, janë për bullgaren 54-vjeçare aq të dhimbshme sa ajo dëshiron t’i fshijë nga mendja. Ajo ishte me fat, sepse si arkitekte ishte në atë kohë në gjendje të paguante nga xhepi 2.400 leva (1.200 euro) për trajtimin e saj me kimioterapi, sepse këto shpenzime nuk mbuloheshin nga sigurimi shëndetësor. Sot ajo nuk do të jetë në gjendje ta paguajë këtë shumë, sepse nga kriza të ardhurat e saj kanë rënë në mënyrë të konsiderueshme .Aktualisht Arka Kombëtare e Sigurimit Shëndetësor të Bullgarisë merr përsipër kostot për preparatet gjenerike, pra kopjet e preparavete orgjinale që u ka përfunduar patenta. Megjithatë shpenzimet për barnat janë në rritje dhe arka e sigurimit duhet të kursejë duke hequr nga lista e rimbursimit mjaft medikamente.

Sipas Dr. Stijko Katzarov, Drejtor i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave në Shëndetësi, tepër të prekur prej kursimeve janë pacientët me kancer. Madje pacientët duhet të paguajnë nga xhepi edhe antibiotikë, barna për tensionin apo zemrën si dhe për sëmundje nervore.

Tregje jo interesante

Shoqëritë e sigurimeve shëndetësore në Bullgari dhe Rumani kanë me koncernet farmaceutike marrëveshje për çmimet më të ulëta brenda BE-së. Por ndërkohë që hendeku i dallimeve mes vendeve të pasura dhe të varfëra të BE-së po thellohet, firmat farmaceutike nuk kanë interes t’i sheshin prodhimet e tyre në tregje të lira si në Bullgari apo Greqi.

Për pasojë koncernet farmaceutike i shmangen shpesh përfshirjes së medikamenteve të reja në katalogun e medikamenteve që rimbursojnë arkat shtetërore të sigurimeve, sepse kështu mund t’i vendosin vetë çmimet e tregut. Sipas gazetës „Frankfurter Sonntagszeitung” koncerne si Roche, Novartis, Eli Lilly, Astra-Zeneca apo Bayer duan t’i shmangen futjes së medikamenteve të reja në tregjet disa vendeve evropianolindore, sepse ato nuk sjellin shumë fitime.

Pak fitime, shumë vështirësi në furnizim

Ndërsa në vende si Zvicra, Suedia, Gjermania apo Finlanda medikamentet e reja hidhen shpejt në treg, në vende me tregje më pak fitimprurëse si Bullgaria, Polonia, Rumania apo vendet baltike, ky proces shpesh vonohet. Madje ka raste që ky proces zgjat me vite dhe pacientët detyrohen t’i blenë këto barna në vende të tjera.

Por edhe në rastin e barnave të lira në vendet më të varfëra të BE-së ka vështirësi me furnizimin. P.sh. në farmacitë bullgare mungojnë prej vitesh supostet e diazepamit, që përdoren në rastin e krizave epileptike të bebeve dhe të fëmijëve të vegjël. Për shkak se ky apo barna të tjera kushtojnë pak, ato janë jo interesante për firmat farmaceutike.

Arka Kombëtare e Sigurimit Shëndetësor të Bullgarisë merr përsipër rimbursimin e medikamentit më të lirë nga grupi i një medikamenti. Zakonisht këto janë medikamente të vjetëruara, sqaron Dr. Katzarovi për DW-në. Barnat e tjera njerëzit duhet t’i blenë vetë.

Dallimet në furnizimin me medikamente mes vendeve lindore dhe perëndimore kanë ndikime të ndjeshme, jo vetëm të një natyre financiare. Një studim i ri i Bashkimit Evropian të Pacientëve me Kancer dëshmon, se shanset për të mbijetuar të pacientëve me kancer nga Evropa Lindore janë 40% më të ulta, se të pacientëve nga Evropa Perëndimore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button