Home / Presidenciale / Nishani, në Samitin Humanitar Botëror të OKB-së

Nishani, në Samitin Humanitar Botëror të OKB-së

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani po merr pjesë në Samitin Humanitar Botëror që po mbahet në Stamboll të Turqisë, me organizim të OKB-së.

Në fokus të këtij eventi janë konfliktet e fundit luftarake dhe krizat humanitare të shkaktuara prej tyre, si ajo e refugjatëve me të cilën po përballet Evropa.

Në fjalën e tij, Nishani ka shprehur gatishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar në zgjidhjen e këtyre problemeve, përmes eksperiencave dhe kapaciteteve që vendi ynë ka në dispozicion.

“E theksova edhe më herët sot, se për shkak të faktit që një pjesë e krizave buron nga rritja e intolerancës fetare, ekstremizmit të dhunshëm dhe diskriminimit për arsye fetare, etnike e të tjera, Shqipëria angazhohet të ofrojë eksperiencën dhe kontributin e saj në këtë drejtim”, ka thënë Nishani.

Kreu i shtetit ka nënvizuar se, Shqipëria është plotësisht e angazhuar në luftën dhe parandalimin e terrorizmit që vjen si pasojë e ekstremizmit të dhunshëm.

Ai ka shprehur bindjen se, “komuniteti ndërkombëtar dhe veçanërisht organizatat ndërkombëtare të sigurisë, me në krye Kombet e Bashkuara, do të gjejnë dakordësinë për të bërë dhe promovuar më tepër masat parandaluese”.

“Në kuadrin e krizës së refugjatëve, ju siguroj se Shqipëria ka sensibilitetin e duhur dhe është e gatshme të bashkëpunojë me vendet fqinje dhe Bashkimin Evropian, konform kapaciteteve dhe mundësive të saj”, ka shtuar më tej Nishani.

Leave a Reply

Your email address will not be published.