Home / Kronika / PD: Katastrofa e Zvërnecit, asnjë institucion s’mban përgjegjësi

PD: Katastrofa e Zvërnecit, asnjë institucion s’mban përgjegjësi

Departamenti i Mjedisit në Partinë Demokratike ka parë nga afër ndotjen e bregdetit të Zvërnecit me hidrokarbure dhe kreu i këtij departamenti, Jamarbër Malltezi tha se “fatkeqësisht asnjë zyrtar dhe asnjë agjenci publike nuk ka vepruar ende për të shpjeguar shkaqet dhe për të vepruar me një plan për eleminimin e pasojave”.
Sipas PD-së, autoritetet nuk kanë dhënë asnjë informacion për llojin e ndotësit, ndonëse dyshohet se është mazut, ndërkohë që ende nuk dihet sa e madhe është shkalla e ndotjes së kësaj zone bregdetare në Vlorë.
“Në një shtet normal, kjo ndotje do të kishte kërkuar që autoritetet të shpallnin gjendjen e jashtëzakonshme, gjendjen e emergjencës civile dhe të merrnin masa për pastrimin duke shpallur planin e ndërhyrjeve. Për fat të keq nuk dihet asgjë. Institucionet shtetërore po flejnë gjumë dhe nuk dihet të thuhet as çfarë ishte burimi i ndotjes, as sasia, as tipi, as rrezja e ndikimit. Dëmtuesit duhet të ishin përgjigjur para ligjit. Ne kemi me dhjetra agjensi shtetërore që paguhen. Por pse i paguajmë ato kur atëhere kur duhen ato nuk përgjigjen për asgjë?! Çfarë e ndalon prefektin e Vlorës të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme dhe gjendjen e emergjencës civile sipas ligjit 8905?! A kemi institucione?! A kemi Agjensi Bregdeti?! A kemi roje bregdetare?! A kemi agjensi të zonave të mbrojtura?! Ky është një dëm që i bëhet mjedisit në një zonë të mbrojtur, në prag të sezonit. Kjo është antireklama më e madhe që i bëhet turizmit. Ku janë deputetët e Vlorës sepse kjo është thikë pas shpine që i bëhet turizmit të Vlorës. Me sa krenari do ofrojnë bizneset e Vlorës peshk apo prodhime deti kur kjo ishte një ndotje e madhe dhe askush nuk të thotë dot sa ishte dhe se çfarë ishte. Nuk e dimë sa e rrezikshme është dhe se sa afatgjatë do të jetë. Të gjitha këto janë pyetje pa përgjigje dhe na rroftë ne që po financojmë gjithë këto institucione dhe për fat të keq ky shtet kos po ha por miliona po përlan. Nuk ka institucione por vetëm tendera sepse kjo nuk është më çështje politike për një çështje kombëtare dhe turizmin shqiptar. Kemi dëgjuar në media që do kemi ndërshkime dhe gjoba ndaj ndotësve por nuk kemi parë deputetët dhe zyrtarët në terren dhe nuk kemi asnjë zyrtar për të thënë se çfarë ishte burimi i ndotjes. Eshtë gjithçka retorikë politike dhe nuk kanë të marrë masa”, tha Malltezi.
Për ekspertët e mjedisit në Partinë Demokratike, kjo ndotje është vërtet shqetësuese dhe duhen të merren masa të menjëhershme me një plan konkret për të eleminuar pasojat e saj. Sipas tyre, është e pafalshme mungesa e informacionit për banorët dhe komunitetin e Vlorës. “Në momentin e parë që na erdhën pamjet nga qytetarët e Vlorës për ndotjen që kishte ndodhur në Zvërnec erdhëm vetë të shihnim se çfarë kishte ndodhur. Në kur hyn në zonën bregdetare ndjen një erë të tmerrshme e hidrokarburit që e ka ndotur këtë zonë. Por fatkeqësisht as ne nuk e dimë se çfarë ndotësi është ky që ka ndotur këtë bregdet. Por ju mund të shihni që po punohet jo për ta hequr ndotësin por për ta zbërthyer atë që të jetë i padukshëm. Eshtë emergjente të zbulohet se çfarë ndotësi është dhe se çfarë rreze veprimi ka ai”, tha Emirjana Vata. Sipas Gavrosh Zelës, ndotja mund të jetë edhe më e rëndë për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e banorëve. “Ndotja që është shpërndarë në det është një rrezik për shëndetin dhe sigurinë ushqimore dhe për ekonoligjinë e zonës”, tha Zela.
Kjo ndotje bregdetare me hidrokarbur është e dyta që ndodh brenda një viti në Shqipëri kur vetëm pak muaj më parë një ndotje të madhe përjetoi edhe bregdeti i Durrësit.

Leave a Reply

%d bloggers like this: