Ekonomia

Ahmetaj: Ekonomia shqiptare ka lënë pas krizën

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, deklaroi të enjten se ekonomia shqiptare ka lënë prapa krizën e ciklit të gjatë 2008-2014. “Rritja ekonomike në ëndrrat e mia do të duhej të ishte të paktën 7 %, por ajo zhvillohet, lëviz e rritet në kontekstin e vet dhe konteksti yne është rajoni, një ekonomi e vogël me 3 milionë konsumatore dhe ekonomia jonë zhvillohet, rritet, goditet e bie në kuadrin e fqinjëve që janë Italia, Greqia e gjithë vendet e rajonit e sigurisht e influencuar në të gjithë kontekstin rajonal”, tha ministri.

Ministri i Financave, Ahmetaj, mori pjesë në konferencën e dytë financiare “Arritjet dhe sfidat e ekonomisë në sytë e studentëve” që u mbajt në Muzeun Historik Kombëtar.

“Data 23 qershor nuk do të kishte më asnjë lek për të paguar punonjësit e administratës”, tha ministri Ahmetaj, duke folur për situatën në të cilën e gjetën vendin në shtator të 2013-ës.

Ahmetaj tha se referuar të dhënave të 3-mujorit të parë të vitit, përllogaritet që rritja ekonomike në fund të 2016-ës të arrijë në 3.4-3.5 %. Ajo që është e rëndësishme, sipas tij, është se kemi cilësi shumë interesante sa i takon rritjes në krahasim me rajonin edhe pse jemi mesatarisht 0.5 % më lart se rajoni, pasi kemi trendin rritës të konsoliduar, në kushtet kur vendet e rajonit kanë luhatje serioze edhe për shkak të strukturës.

Klima e biznesit, nënvizoi ai, është sfidë më vete dhe ajo është sfida e qeverisë sonë. Ekonomia, vijoi ai, ka vetëkorrigjuar veten edhe për shkak të trysnisë pozitive të reformave të qeverisë dhe ka kaluar nga ndërtimi tek industria, nga aktiviteti me vlerë të ulët, në aktivitete me vlerë të lartë.

Më në fund, theksoi Ahmetaj, ka një stabilitet të rritjes së konsumit, kryesisht atij privat, pasi qeveria vazhdon të frenojë veten. “Nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë, ka filluar një ringjallje e kreditimit, tek korporatat është modeste, tek biznesi i vogël e i mesëm më shumë se modeste, ndërsa tek kredia konsumatore është dyshifrore. Të gjitha këto, përtej debatit politik se ra ekonomia apo ka deflacion, të cilin po e kthejnë në instrument politik pa analizuar cilësinë, statistikën apo bazën përtej shifrës, janë shifra që tregojnë se ekonomia shqiptare ka dalë nga kriza”, deklaroi ministri.

Ahmetaj nënvizoi se debati politik, i cili godet ekonominë, godet konsumatorin, qytetarin dhe tatimpaguesin. “Qeveritë kanë trajektoren e vet, 1-2-3-4 mandate dhe ikin, por konsumatori, populli, qytetari mbetet, dhe ekonomia nuk është pronë e askujt, është e qytetarit dhe sa herë godasim ekonominë i bëjmë dëm qytetarit”, u shpreh kreu i financave publike, Ahmetaj. Ai po ashtu tha se është rritur me 10.8 % vlera e shtuar në ekonomi.

Ministri i Financave foli edhe për investimet e huaja, të cilat, sipas tij, kanë arritur në 889 milionë dollarë në fund të 2015-ës. “Është vend atraksioni për investimet e huaja, pavarësisht problemeve që ka çdo ekonomi. Jemi vendi i dytë në rajon pas Malit të Zi “, tha ai.

Duke u ndalur në debatin se Maqedonia është më atraktive se Shqipëria sa i përket thithjes së investimeve të huaj, Ahmetaj sqaroi se kemi tërhequr dyfishin e investimeve që kanë tërhequr ata. Sipas tij, ai shtet vazhdon të japë subvencione, ndërsa ekonomia jonë është e pastër dhe megjithë problemet që ka, nuk ofron subvencione.
“Ka një debat të madh nëse duhet të ofrojmë subvencione apo jo. Unë jam i bindur që jo. Duhet të ofrojmë lehtësi proceduriale, reformën në drejtësi, sistem tatimor të thjeshtë, por jo subvencione sepse e devijojnë. Mund të ketë rritje të përkohshme, por në periudhë afatgjatë nuk ndihmojnë në ekonomi”, u shpreh ministri.

Lidhur me këtë, Ahmetaj vuri në dukje se  kur të vijë momenti i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian do të kemi shtrëngesa, për shkak të konkurrueshmërisë, por nuk kemi subvencione. “Ditën që të nisin negociatat apo të futemi në BE, në aspektin teknik apo kushtëzues, nuk kemi çfarë të heqim siç kanë patur shumë vende apo do të kenë”, deklaroi ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button