Home / Kryeartikull / MbinjeRiu Shqiptar

MbinjeRiu Shqiptar

I kemi bërë disa herë pyetjen vetes, ku jemi, ku do të shkojmë dhe si do t’ia bëjmë për të ecur përpara?! Në asnjë moment të pyetjes nuk ka të shkuar. E si mund të ketë të shkuar, kur shoqëria ku jetojmë sot nuk prodhon dokument, për më tepër, i Riu, individi shqiptar që duhet medoemos këtë të tashme ta bëjë fakt, që i Riu i një epoke tjetër të kthejë kokën pas dhe të thotë: “Këta njerëz më kanë pajisur me këtë pasaportë, dhe unë do të konkurroj me ty o i huaj, i njëjtë, pa frikën e stereotipit si pjesëtar i një kombi të vogël (jo në numër)”. E kur jemi në këtë të tashme, si mund të pretendojmë një të shkuar tjetër, një të shkuar të nderuar, ku madje dhe ato të cilat të gjithë i quajnë gabime, edhe ato më të afërtat, si shteti komunist ose shtetet e sotme demokratike, nuk marrin vëmendje për t’u studiuar si histori! Dhe gabimet janë diçka që meritojnë vëmendje, bile të madhe!

Kur flitet për komunizmin në Shqipëri, më vjen në mendje një paragraf: “Shteti nuk është realitet i vërtetë kur është i keq. Ndonëse mund të ekzistojë. Shteti është i keq kur nuk është sipas arsyes (racional). Sa kaq, shteti komunist shqiptar nuk ka qenë real, ndonëse ka ekzistuar, sepse kërkonte që vullneti i shtetit të jetë identik me vullnetin e individit”. Mirëpo: “Shtetet e sotme shqiptare nuk janë realë, ndonëse ekzistojnë, sepse individi kërkon që vullneti i shtetit të jetë identik me vullnetin e individit”. Pohimi është i vërtetë. Ne vazhdojmë ta përmendim komunizmin (ashtu si çdo pjesë tjetër të historisë së shqiptarëve), si një gjë të shëmtuar, një pasqyrë të deformuar së cilës nuk ia vlen t’i kthesh sytë prapa dhe vazhdojmë të mblidhemi brenda këtij justifikimi duke pasuar me shprehjen e madhe filozofike të çdo “shqiptari” të nderuar; “Shqipëria nuk ka për t’u bërë kurrë!”, shprehje e instaluar tashmë në mendjen e të Riut shqiptar, shpresa e vetme e të cilit është harresa. Harresa brenda centrifugës së madhe të trazimit të kafesë. Kafesë së parë të mëngjesit, të dytës së mëngjesit, të drekës, të pasdrekës, të darkës dhe të para-fjetjes. E çuditshme në fakt. Kafeja është droga legale e zbuluar për të të mbajtur zgjuar, ndërkohë që shqiptari provon dita-ditës se është në gjumë… dhe pret çdo gjë, nga shteti?!

Askush nuk të flet në shkak, por vetëm si pasojë. Në fund të fundit, aq është. Pasojë e vetes së vet, brenda hapësirës së vogël që i jep vetes. MIGJENI, në “epokën e vet shqiptare” shkruante për Trumcakun që ra në melankoli. “U lind në një vend me të vërtetë të shkretë. Në vend të barit bijshin qimet e derrit, e në vend të pemve – brinat e shtazës parahistorike. Dhe në kët natyrë – e cila nuk mund të quhet natyrë – kush mos të bahet melankolik? Dihet se një trumcaku s’i duhet shumë për jetë, por natyra, e cila nuk ishte natyrë, si epte as aq”…

Po tani? Tani të paktën që ndërgjegjja e të Riut mund të flasë në publik?! Kur i Riu nuk tregohet të paktën “sociopat”, sa që këtë reflektim të Migjenit ta shquajë tani, se paska bërë as i Riu i komunizmit, imagjinoni pastaj të Riun e “epokës së Migjenit”. Mirëpo 25 vjet nuk janë pak. E kur nuk janë 25, nuk janë as 70 (koha që nga vendosja e komunizmit në Shqipëri), as 2000 e ca, e as 3000 e ca (shpresoj që të jem i saktë në vendosjen e shqiptarit, arbrit, ilirit, pellazgut, si të doni quajeni, në këtë truall).

Një gjë është e habitshme! Si ka mundësi që të qenit Gjin, Gjokë, Prengë, ose edhe Klark (emri im i cili nuk është aspak shqiptar), pra të qenit privat në vete, qenka më e rëndësishme se sa të qenit shqiptar, publikja e vetes brenda popullit, shtetit, kombit. Është e habitshme sepse në këtë mënyrë harron që ke një identitet (publikja jote përpara gjithë botës), dhe shemb totalisht çfarë je dhe çfarë ka lindur përpara lindjes tënde. Shqiptari harroka genin, gjenezën e vet, dhe pret nga i Riu ta kujtojë me elozhe të mëdha?! Pyetja është, pse duhet, kur ti s’u ke dhënë vlerësimin e duhur paraardhësve duke mos i studiuar siç duhet, të presësh që unë, i Riu, të të vlerësoj ty o Gjin, o Gjokë, o Prengë ose edhe o Klarku shqiptar?! Përgjigja ime do qe e thjeshtë. Më ke dhënë jetën Dhe unë vërtet do të të shemb ty, si i Ri, por duke të të dashur dhe duke të të vlerësuar maksimalisht.

Tashmë shqiptari po mer trajta të tjera, duke qenë po i njëjti shqiptar. Perpetum mobile njerëzore, energjia e vetme që i nevojitet është mekanika financiare dhe jo ajo shpirtërore. Individi që prodhon habitatin më të vogël jetik. Kutinë e vogël të apartamentit, kutinë e vogël të makinës së përditshme që lëviz me distancë maksimale prej 3 km (për mos të thënë më pak), dhe më e tmerrshmja, brenda qyteteve bosh. Betone, kulla pa ngjyrë, ku i Riu nuk njeh perspektivë për syun, t’i thotë vetja: “Sa bukur!”. Të ketë kontaktin me natyrën, që t’ia thotë ndërgjegjja dhe jashtë t’i dalë vetëm një buzëqeshje, dhe do të qe i gatshëm ta donte të lashtin e vet që nga kjo natyrë i ka derivuar këtë kod komunikimi. Gjuha. Pasqyra e historisë së vet!

Model i qenies, tashmë, është bërë Roboti, që nuk është as një shpikje shqiptare! Madje dhe mendohet në gjuhë të huaj (si figurë), me pamje metalike dhe kudo në trupin e vet, ingranazhe, pa tru e muskuj, inde që prodhojnë mendim dhe lëvizje. Kur në fakt, gjuha jonë, ajo shqipe, e shpjegon me rrënjën më të pashpresë të skllavërisë – rob(ot)! E ky Robot, dita-ditës ushqen varësinë e madhe që ka ndaj konceptit (që nga formulat shkencore e deri te paraja), nga frika se nuk duhet të hyjë askush brenda habitatit të vet, që i kushton shuma marramendëse dhe e kanalizon gjithë historikun e jetës së vet brenda kësaj frike!

I Riu e ka të vështirë të hulumtojë, ta dojë qenien e vet ashtu siç do të festojë edhe atë natyrë që ka përpara. Si do të kthente kokën prapa ky i ri, zot i të cilit është shifra me logon prapa. Nuk ka lekë në këtë kohë se kështu kemi qenë ne, të varfër, në çdo etapë të historisë, TË VARFËR! E si mund të mos bëhet i Riu qenie private në vete, dhe për vete, duke e shquar veten vetëm në emër, pa mbiemër, kur me “të varfër” mendon materialin, e jo dijen?! Të shpikë nga natyra dhe ta prodhojë vetë konceptin pa e marrë atë si të gatshëm. Dhe në Shqipëri natyrë ka, më e Bukura nga të gjitha, sepse e vëmë re që e duam pa na e thënë askush.

E prapëseprapë “Historia jonë na kthen në popull johistorik”.

Në këtë moment i humb totalisht shpresat për të studiuar historik. Kur them historik them gjithçka. Historikun e tokës, natyrës, gjuhës e duke u kthyer nga vetja, të studionte njeriun, i bindur se do të ndiente të gjitha dukuritë fizike, kimike e shkencore, sepse do ta ndiente veten pjesë e këtij rendi magjik. Jo, i Riu merr vetëm esencën e konceptit pa ja ndjerë nevojën eksplorimit, si brenda qenies ashtu edhe jashtë saj. Ta kuptonte se është diçka e madhe brenda diçkaje akoma edhe më të madhe. Të kishte perceptimin e vet të hapësirës, dhe duke e dashur, ta balanconte me kohën e segmentuar. Të ishte me të vërtetë një-i-ri. Njeri që nuk ka vdekur. I deprimuar, i zhytur brenda zhguallit të vet, pa kuriozitetin për të buzëqeshur, sepse do t’i dinte të gjitha, me mungesë përvoje, dhe i dehur për të njohur. I lumtur se do ta bënte këtë gjë për familjen e vet, dhe pas familjes do vinin të gjitha të tjerat me radhë (qyteti ose fshati, rrethi, populli, shteti, kombi dhe në fund etnia). Do shqyente gojën dhe do ulërinte me të madhe pa frikën e askujt: “Unë jam Shqiptar-(i)!”- me “Sh-ë” te madhe.

Le të themi se jemi në kërkim dhe historia e këtyre 25 viteve ta ketë përmirësuar cilësisht jetën e këtij të Riu. Jetojmë në demokraci, apo jo?! Në rendin politik më te mirë të mundshëm. Pra le të shpresojmë se në këtë demokraci të dizajnit të makinës, kulturës pop, kutive të mëdha të betonit, televizorëve 70’ që të sjellin “gjithë botën” në shtëpi, ekraneve 6’ të celularëve me të cilët komunikon me këdo, por jo me veten, të gjejmë një të Ri shqiptar që këtë të tashme ta kthejë në një të shkuar të shk(r)uar. Një shqiptar që të jetë me të vërtetë Ilir (ose i lirë). Duket e vështirë në fakt, dhe është. Është kur tashmë nuk të duhet më një mbi-nje-ri! Kur adhurohet më shumë një mbi-rob(ot), se sa një Migjen!

Leave a Reply

%d bloggers like this: